Lajmi i fundit

SPECIALE/ 7 orët e Erion Veliajt në SPAK

KAFE SHQETO/ Mëlyshi: Bashkisë së Mirditës i duhet organikë efektive

10:48, 13/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari i bashkisë së Mirditës, Albert Mëlyshi, fitues nga radhët e koalicionit “Bashkë fitojmë”, ka rrëfyer për punën që ka nisur këta muaj të parë për transformimin e kësaj bashkie, në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV.

Kryebashkiaku ka nxjerrë në pah vështirësitë që po has për t’i dhënë zgjidhje një problemi të mbartur, të kthyer në gangrenë: numrit tejet të lartë të punonjësve të bashkisë, numër joefiçent  që edhe po e konsumon buxhetin e vogël të një bashkie si Mirdita.

Kafe Shqeto: Z. Mëlyshi, si kanë qenë këta muaj për ju?

Albert Mëlyshi: Të jem i sinqertë, kanë qenë dy muaj shumë intensivë, nga mëngjesi deri vonë sepse ashtu është në fakt dhe puna e të qenurit kryetar i bashkisë. Kërkon impenjime maksimale dhe që të jesh në lartësinë e duhur për t’iu shërbyer qytetarëve; takimet e vazhdueshme me qytetarët që presin të diskutosh me ta për hallet dhe shqetësimet e tyre bëjnë që të kesh impenjim maksimal.

Kafe Shqeto: Çfarë gjetët kur hytë në zyrën e bashkisë së Mirditës. Keni pasur një paraardhës, që ishte personazh le të themi i çuditshëm... A keni pasur diçka që ju ka vrarë sytë?

Albert Mëlyshi: Problematike ose më saktë e kemi ditur edhe më përpara është numri i lartë i punonjësve, që bashkia disponon. Përveç kësaj, numri i lartë i punonjësve, numri i lartë joefiçent, që do të thotë joproduktiv për banorët, joproduktiv për Mirditën dhe aq më tepër duke e ditur që një pjesë e madhe e tyre patjetër që kanë probleme ekonomike, janë punësuar aty për të menaxhuar jetën e tyre ekonomike, por kurrsesi për të shërbyer në një pozicion apo punë që është caktuar.

Vazhdon të jetë ose më saktë është kthyer në mentalitet që bashkia mund të jetë institucioni që punëson. Fatkeqësisht ose më mirë të themi nuk mund të funksionojë në këtë mënyrë sepse presupozohet që një administratë, e cila ndërtohet për t’iu shërbyer qytetarëve nuk mund të jetë ai institucion që të punësojë brenda organikës së tij qytetarët për të ndërtuar jetën e tyre ekonomike. Po, bashkia është një instrument shumë i rëndësishëm për të ndihmuar qytetarët që të gjejnë mundësi të tjera punësimi, por jo të jetë bashkia ajo që të plotësojë mundësitë apo nevojat e qytetarëve për sa i përket punësimit në organikën e saj.

Ky numër i lartë dhe joefiçent, joproduktiv për qytetarët është një gangrenë e madhe që më ka marrë shumë kohë, po më merr shumë kohë sepse duhet ndërtuar një organikë që të jetë produktive, të jetë efektive dhe të mos jetë rënduese në buxhetin që ka kjo bashki, një buxhet shumë minimal dhe me këtë ngarkesë të numrit të punonjësve, patjetër që kufizon çdo mundësi për të investuar dhe punuar.

Kafe Shqeto: Fokusi juaj në programin e zgjedhjeve lokale ka qenë frenimi i largimit të të rinj. Si do të punoni?

Albert Mëlyshi: Është fenomen kombëtar. Normalisht që Mirdita është prekur shumë duke qenë edhe një zonjë, një krahinë që nuk ka shumë mundësi ose mundësitë e punësimit në ndërmarrjet e mëdha janë të vogla dhe patjetër që qytetarët janë të interesuar të ndërtojnë jetën e tyre në vende të tjera ku gjejnë mundësi punësimi dhe mundësi ekonomike.

Kam tentuar që ditët e para të punës sime të lidhem me ndërmarrje, me investitorë të cilët mund të afrojnë mundësi të hapjes së vendeve të reja të punës në Mirditë, duke qene dhe bashkia një hapësirë edhe mundësie lehtësimi për çdo investitor, në mënyrë që të paktën ata që e kërkojnë në mënyrë të përditshme punën, të mund të fillojnë ta gjejnë në Mirditë.

Këto janë disa nga hapat ku kemi filluar të punojmë të gjejmë mundësitë që qytetarët të gjejnë hapësirat e duhura të punësimit. Dhe pastaj janë disa indikatorë ekonomikë që duhet të planifikohen gradualisht dhe të hyjnë në veprim në buxhetin e ardhshëm në mënyrë që të rinjtë të kenë hapësirat e duhura minimalisht në ato institucione ose ato ndërmarrje, drejtori, të cilat bashkia e Mirditës është menaxhuese e tyre, në mënyrë që të rinjtë që kanë rezultate të larta të kthehen  të punojnë në Mirditë e patjetër nëpërmjet mundësive të ndryshme, të biznesit, të ndihmës ndaj tyre, do të tentojmë që në buxhetin e parë t’u vijmë në ndihmë qytetarëve ose të rinjve që duan të hapin një aktivitet të tyre dhe ta ndërtojnë jetën e tyre në Mirditë. E kam thënë dhe vazhdoj ta them që Mirdita ka pa fund mundësi për t’u zhvilluar dhe do të luftojmë fort që këto mundësi që ka, të vihen në jetë dhe fillojnë të lehtësojnë jetën e qytetarëve./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në videon e Syri TV:

    

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco