Kaos me Kadastrën Online, Hamataj: Sistemi të përgjigjet 'nuk kemi dosjen' dhe ... punë e kryer!

Kaos me Kadastrën Online, Hamataj: Sistemi të përgjigjet 'nuk kemi dosjen' dhe ... punë e kryer!

11:37, 06/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Dhomës së Avokatëve Fier, z. Ermal Hamataj, e ka shpjeguar fare thjesht sot keqfunksionimin e Kadastrës online, një sistem i kthyer në makth për qytetarët që nuk po mund të bëjnë asnjë dokument për pronat e tyre. Në emisionin “Kafe Shqeto” të SYRI TV këtë mëngjes, av. Hamataj tha:

 “Si batutë  duket goxha e lezetshme të thuash që një aplikim i Tiranës t’i shkojë Sarandës, por duke mos pasur dosjen, këtu fillon problemi. E dini çfarë ndodh me specialistin e Sarandës?! Të kthen një përgjigje dhe të thotë “ne nuk kemi dokumentacionin” dhe ty të vjen përgjigja.

Që në këtë moment, sistemi e quan se ty ta ka kthyer përgjigjen, ndërkohë që ti riaplikon për të njëjtin problem dhe këtë herë ajo nuk i shkon atij të Sarandës, por i shkon atij të Kukësit!!!

Specialisti i Kukësit shikon që ai i Sarandës ta ka kthyer përgjigjen, por pa e ditur se çfarë përgjigjeje. Dhe ai të kthen të njëjtën përgjigje që thotë se “kërkesa juaj është përmbushur”.

Pra, ec e merre vesh tani realisht se si do të zgjidhet ky problem. Në parim ata e quajnë punën të bërë, sepse të kthejnë një përgjigje që “nuk kemi dosjen”; edhe specialisti i dytë e i tretë thotë ta ka kthyer përgjigjen ai i pari dhe kjo vazhdon pafundësisht.

Duhet të kesh aq fat sa kërkesa jote t’i shkojë specialistit që ka dosjen tënde fizike. Nuk besoj se edhe ata të Partisë Socialiste kanë kaq fat, jo më qytetarët e thjeshtë.

Kjo është njera anë e problemit. Pjesa tjetër është se para se në të vemi te një sistem kadastre online, neve duhet të na funksiononte njëherë kadastra fizikisht. Por ne e kishim në kolaps kadastrën edhe fizikisht, kur i kishim personat përballë që komunikonim, që ua çonim shkresën qoftë dorazi, qoftë me postë.

Imagjinoni tani që këtë sistem që ishte në kolaps dhe fizikisht, duke qenë mes grumbujve të dosjeve, tani ta kthesh elektronikisht edhe të presësh zgjidhje.

Nuk e di sot në bëhet zgjidhje, po ministri ka të drejtë në një fakt që sistemi “funksion”. Po, funksionon sistemi, të kthen përgjigje! Por ideja nuk është që sistemi të të kthejë përgjigje!

Qëllimi është që të zgjidhë problemin, që të regjistrojë aplikimet, të tjetërsojë pronësinë, të të japë kartelën, të bëjë rifreskimin dhe njëmijë e një probleme të tilla,” vërejti av. Ermal Hamataj./ar.sh/SYRI.NET  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco