Berisha: Zgjedhjet që vidhen, nuk fitohen! Dokumenti për batërdinë elektorale të Edi Ramës është gati

Berisha: Zgjedhjet që vidhen, nuk fitohen! Dokumenti për batërdinë elektorale të Edi Ramës është gati

13:31, 01/09/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, tha në takimin me koordinatorët e PD, se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.

“Pas një periudhë pa diskutim të zgjatur të përpjekjes sonë shumë serioze do të thosha, për identifikimin e të gjitha problematikave të panumërta të procesit zgjedhor, përfundimit të një dokumenti shumë serioz, falë punës së shkëlqyer që kanë bërë degët në identifikimin e problemeve, drejtuesit e qarqeve, grupi i punës ka përfunduar dhe ditën e mërkurë ne paraqesim në publik këtë dokument në dy vëllime, i cili do të jetë shtyllë bazë e analizës suaj.

Analiza do ketë dy shtylla kryesore, njëra është farsa zgjedhore 2023, tjetra është çfarë duhet bërë për përmirësimin maksimal të punës për eliminimin e dobësive të konstatuara gjatë fushatës elektorale në të gjithë strukturat tona dhe në tërësi do të regjistrohen, do të debatohen propozimet, mendimet, sugjerimet e anëtarësisë dhe drejtuesve lokalë për përmirësimin e punës sonë.

Për reformimin e mëtejshëm të PD, ridimensionimin e hapjes së saj dhe në tërësi funksionimin e saj.

Do ndalem te shtylla e parë. Ne u premtuam shqiptarëve se do mbrojmë votën. Dokumenti që ju do merrni, dëshmon punën më serioze që kjo parti ka bërë në ekzistencën e saj për të evidentuar dhe mbrojtur votën e qytetarëve shqiptarë.

Çfarë na duhet kjo? Unë mendoj se kjo ka një vlerë të jashtëzakonshme. Që kur ka ardhë Edi Rama në pushtet, por edhe më parë, në Shqipëri ka pasur debat për zgjedhjet. Por ky debat u kapërcye në vitin 2005, 2009, 2013, bazuar jo në pretendime absurde, por në dokumente ndërkombëtare.

Pas vitit 2013 gjer sot, Shqipëria nuk ka pasur në mënyrë absolute asnjë garë të vërtetë elektorale.

Por kulmi i batërdisë elektorale, apo farsës elektorale shqiptare të Edi Ramës, është shënuar në mënyrën më të paimagjinueshme në zgjedhjet pa garë të vitit 2019, ku ai nuk kishte asnjë rrezik, asnjë rival, ku ai kishte në dorë të kryente një proces zgjedhor lega artis. Por aty, ai realizoi procesin zgjedhor më të shëmtuar që ishte zhvilluar në Shqipëri nga viti 1991 deri në atë ditë, në mënyrën më të pabesueshme.

Dhe Audrey Glover, nxori një raport, bashki me ekipin e saj, do të thosha raportin më damkos në historinë e zgjedhjeve në Europë. Zgjedhje që u zhvilluan nga një njeri, ku nuk cenohej asnjë mandat falë marrëzisë së Peng Bashës, megjithatë Edi Rama tregoi se konsiderata e tij për zgjedhjet është zero. Se procesi zgjedhor është një farsë dhe ligji zgjedhor, siç është shprehur këtë herë, është një kinezëri.

Dokumenti që ju merrni, është dokumenti më i plotë i hartuar ndonjëherë dhe dëshmon me faktet më flagrante dhunimin e këtij procesi në çdo hallkë.

Por ku jemi ne? Çfarë ndodh me shoqërinë shqiptare? Mund t’ua them se ndodh një fatalitet.

Sot, të majtë dhe të djathtë dhe të ndërmjetëm, që të gjithë po t’i pyesësh, Edi Rama i vjedh zgjedhjet. Por fatkeqësia e madhe është se në tërësi shprehen: ai i vjedh, po i fiton zgjedhjet.

Zgjedhjet që vidhen, nuk fitohen.

Prandaj them se kjo është shtyllë kryesore. Unë për ty si qytetar që thua se Rama i fitoi zgjedhjet, kam një pyetje: Si mund të thuash fitore, kur ai shumëzoi me zero, ligjin zgjedhor.

Çfarë garancie ka një proces zgjedhor, përveç ligjit zgjedhor? Kur qeveria e shumëzon me zero, kush e paguan faturën e kësaj? Të tjerët, që marrin pjesë në garë.

Nuk mund të pranojmë që vjedhjen ta bëjmë pjesë të moralit tonë politik. Kjo është e tmerrshme.

Të pyesim çdo qytetar, çfarë ndikimi kanë, sa vota i japin qeverisë 683 mijë zarfa me 50 mijë lekë për çdo pensionist? Të ndaluara me ligj këto. Sa vota kthejnë këto? Njeri ta thotë me saktësi, nuk ka. Por njeri që ta mohojë se ky zarf kthehet në votë, këtë nuk ka njeri që mund ta mohojë. Që ka logjikën e shëndetshme.

Po sa vota vodhi ky me rritjen e rrogave të 183 mijë votuesve?

Ne duhet të ulemi me çdo qytetar. Nëse zgjedhjet duhet të jenë të drejta, të drejta janë vetëm kur janë të barabarta.

Atëherë të shndërrojmë pyetjen- se nuk po marrim të nëndheshmet- sa vota është diferenca kur ti 12 kandidatëve të Lul Pengut u jep 1.2 milionë euro për fushatë, kandidatëve të tu u jep 4 milionë euro për fushatë, kurse 61 kandidatëve të forcës kryesore opozitare u jep zero financim nga paratë publike?

Sa vota mori Lul Pengu duke marrë logon dhe voton e PD në mënyrën më banditeske? Por logoja është instinkti i votuesve.

Sa vota humbi forca kryesore opozitare kur kryetari i koalicionit u caktua nga qeveria? Po marrim vetëm këto legalet, por të bëra haptas.

Sa vota humbi forca kryesore opozitare kur në gjysmën e qendrave të numërimit në Shqipëri nuk kishte asnjë përfaqësues?

Ne duhet ta bëjmë këtë me çdo demokrat, për t’u thënë se ne votën e mbrojtëm, ja ku janë faktet. Dhe e dyta, se me këtë njeri nuk ka votime, por vetëm farsë.

Sa vota vodhi Edi Rama, duke regjistruar 13 mijë pensionistë pa kontribute shoqërore? Duke regjistruar 20 mijë persona në ndihmë ekonomike vetëm për qëllime elektorale? Duke firmosur me dhjetëra mijëra legalizime dhe leje ndërtimi në katër anët e Shqipërisë? Duke shpërndarë në zonat e dëmtuara nga tërmeti me dhjetëra milionë euro? Duke blerë haptas vota,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco