Mesazhi/ Berisha: Edmir Kapidani ishte një politikan i urtë dhe i vendosur

Mesazhi/ Berisha: Edmir Kapidani ishte një politikan i urtë dhe i vendosur

10:19, 30/08/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha, i ka shprehur sot ngushëllimet familjes dhe të gjithë demokratëve të Durrësit për vdekjen e z. Edmir Kapidani, një bashkëpunëtor i hershëm i tij që në vitet e para të demokracisë.

Në një mesazh ngushëllimi në Fb, Berisha ka nxjerrë në pah kontributet e shquara të z. Kapidani për Partinë Demokratike ndër vite, në qeverisje dhe opozitë.

“Edmir Kapidani mbylli sytë përgjithmonë, - shkroi Berisha në Fb. - Edmir Kapidani njëri nga veprimtarët më të shquar të Partisë Demokratike të Degës Durrës, ish- kryetari i saj në tri mandate edhe në periudhat më të vështira të saj, anëtar i forumeve qendrore të kësaj partie, ish- zëvendësministër i Arsimit në qeverinë e Partisë Demokratike, mbylli sytë përgjithmonë.

Edmir Kapidani ishte një politikan i urtë dhe i vendosur, drejtues i aftë, punëtor, i përkushtuar, me një kontribut të spikatur në fushat ku punoi.

Ai ishte një qytetar, prind dhe familjar shembullor dhe mik i dashur për të gjithë ata që patën fatin të gëzojnë miqësinë e tij.

Duke shprehur mirënjohjen më të thellë për bashkëpunimin e ngushtë që kemi pasur, ndihmesën e tij të çmuar, i shpreh ngushëllimet e mia familjes së tij të nderuar, miqve të afërmve dhe të gjithë demokratëve të Durrësit për ndarjen nga jeta të Edmir Kapidanit që do ta kujtojmë me nderim të veçantë gjithmonë.

Unë lutem së bashku me ta, që shpirti i tij i mirë të gjejë paqen e merituar. Amin,” përfundon mesazhi.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco