SYRI TV/ FSHU dhe OSSH bëjnë tender 6.1 milionë euro për makina me qira

15:36, 26/08/2023
A+ Aa A-

6.1 milionë euro është tenderi i vënë në dispozicion të rinovimit të flotës së mjeteve të OSHEE Group. Shuma u bë e ditur përmes një procedure të çelur këtë të premte nga Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë. Nga 170 mjete që do të merren me qira, 159 janë për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, ndërkohë që vetëm 11 mjete i përkasin Furnizuesit të Shërbimit Universal

SYRI TV

170 makina me qira do të merren në përdorim nga Furnizuesi i Shërbimit Universal dhe Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE Group, për të rinovuar flotën e mjeteve që kanë në përdorim.

Procedura e çelur këtë të premte nga Drejtoria Rajonale e OSSH Tiranë, tregon se shuma e vënë në dispozicion është më shumë se 672 milionë lekë apo 6.1 milionë euro, për lloje të ndryshme mjetesh në varësi të funksionit.

Referuar dokumenteve që shoqërojnë procedure, pjesën dominuese e kanë automjetet pick-up që përdoren kryesisht nga grupet e terrenit.

Nga 170 mjete që do të merren me qira, të paktën 159 mjete janë për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes, ndërkohë që vetëm 11 mjete i përkasin Furnizuesit të Shërbimit Universal. Mjetet, sipas specifikimeve të bëra në dokumente, kërkohen me kilometrazh zero, dhe minimumi duhet të jenë prodhim i vitit 2022.

Kompania fituese nga kjo procedurë do të ketë të paktën 180 ditë kohë për të lëvruar gjithë sasinë e mjeteve të kërkuara, ndërkohë që qiraja do të jetë për një periudhë 3-vjeçare.

Vënia e miliona eurove në dispozicion, për marrjen e makinave me qira është një praktikë që zhvillohet prej vitesh nga një sërë institucionesh publike në vend, përfshirë këtu Policinë e Shtetit, Illyrian Guard, Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor etj, duke pretenduar se kjo është një formë më e leverdishme sesa blerja e tyre, për shkak se garantohen edhe shërbimet e mirëmbajtjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco