Lajmi i fundit

Nëna me 3 fëmijët të zhdukur prej tre ditësh/ Gjendet i pajetë në Drin një prej të miturve. Dyshohet se…

Rama si kryekadiu i drejtësisë së re

Rama si kryekadiu i drejtësisë së re

14:05, 26/08/2023
A+ Aa A-

Boldnews.al

Në një konferencë të gjatë kryeministri Edi Rama foli sikur të ishte drejtues i SPAK-ut, ose ndonjë ambasador me peshë që nuk ka lënë zyrë të institucioneve të reja të drejtësisë pa u futur, duke u njohur edhe vrimat nga “dalin minjtë”. I ndodhur para skandaleve të mëdha që bashkëpunëtorët më të afërt po përballen me akuza të rënda, ose janë në proces hetimi për abuzime me qindra milionë euro, kryeministri Rama tenton të shfaqë qetësi, duke e konsideruar punën e drejtësisë si “reformën e tij”.

Jo një herë por disa herë, Rama përmend se qëkur miratoi reformën në drejtësi e kishte të qartë se kjo situatë do të ndodhte dhe se ai është krenar që “kjo reforme e iniciuar prej tij” po jep rezultatet dhe se do e përkrahë drejtësinë në çdo nismë të saj, duke iu gjendur pranë. Me këto qëndrime, Rama qartësisht po tenton të japë në publik idenë se ky njeri i ndershëm bëri reformën në drejtësi që të zhdukë korrupsionin në nivele të larta, duke mos ia përtuar as “shokëve të partisë” dhe të kabinetit që drejton. Pra nuk është “drejtësia e pavarur”, por drejtësia e Ramës ajo që po bën punën.

Kryeprokurorit të SPAK-ut, prokurorëve, oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe gjyqtarëve të GJKKO-së ua bënë të qartë se janë aty sepse ashtu donte Rama. Sa herë ata bëjnë ndonjë procedim apo lëshojnë ndonjë urdhër-arresti, sërish duhet t’i jenë mirënjohës kryeministrit që SPAK, BKH, KLGJ, KPK, KPA, ILD, KLGJ dhe çdo KÇK (kap ç’të kap nga propaganda) po bëjnë drejtësi, sepse ai vetë është “i drejti”.

Politikisht, kjo reformë është votuar nga 140 deputetë në korrikun e vitit 2016, mazhorancë dhe opozitë. Madje, një nga deputetët ishte nën hetim për plagosje me armë dhe u fut sa për të votuar dhe iku. Disa të tjerë i hëngri ligji i dekriminalizimit pasi ishin të dënuar për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese apo edhe vrasje. Që të gjithë deputetë të PS-së së Ramës, ose aleatë të tij në qeverisje që votuan këtë drejtësinë e re.

Nëse ajo reformë kur u miratua dhe u duartrokit gjatë edhe nga dyshja e zellshme Lu-Vlahutin, përkatësisht ambasadori i SHBA-ve dhe i BE-së në atë kohë, rrjedha që ndoqi nuk ishte gjë tjetër përveçse kapje e institucioneve që po ngriheshin. Për të pasur një statistikë dhe treguar se ajo nismë për shkundjen e sistemit të drejtësisë nuk dështoi, sot po përballen me akuza disa ish-kryebashkiakë, ish-ministra, apo zëvendësministra. Arsye mëse të mjaftueshme që çdo kryeministër që i kishte zgjedhur në kabinet të jepte dorëheqjen. Po a është ky standard i Ramës? Përkundrazi, ai po hedh në publik idenë se pas çdo ndalimi apo procedimi është ai që i jep një “dorë drejtësisë së pavarur”, duke u mburrur se reformimi i saj ishte nismë personale e tij.

Në këtë pikë paradosksalisht Rama ka plotësisht të drejtë dhe duhet besuar kur shprehet se është ai, ndaj janë ata… Edhe pse është e qartë se pa “izmin” e tij vështirë të lëvizë drejtësia, sërish ka harruar gjënë më thelbësore që nëse do ishin vërtetë një vend demokratik, me këto deklarata Rama do ishte kryqëzuar politikisht qindra herë.

Në Kushtetutën e vendit, teorikisht institucionet janë të ndara dhe duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur. Sistemi legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor (drejtësia) janë  në hendeqet e tyre, ku sidomos drejtësia as nuk duhet të përmendet nga politika në pushtet e aq më pak të yshtet prej saj. Koha po tregon se Rama ka të drejtë, drejtësia është kështu siç është sipas midesë së tij dhe qëllimit të kahershëm që institucionet e reja të drejtësisë t'i jenë mirënjohës një njeriu që mburret se është ai që i lë të punojnë duke bërë dy role, edhe të kryeministrit edhe të “kryekadiut”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco