Më në fund Qazim Mulleti prehet në Tironën e tij të dashur: Kthehen në atdhe eshtrat e ish-prefektit

Më në fund Qazim Mulleti prehet në Tironën e tij të dashur: Kthehen në atdhe eshtrat e ish-prefektit

10:04, 25/08/2023
A+ Aa A-

Kanë mbërritur sot në Shqipëri nga Italia, eshtrat e Qazim Mulleti, prefektit të Tiranës të viteve 1942-1944, nëpërmjet portit të Durrësit.

Kthimi i eshtrave të tij nga Roma, ku ishte varrosur, për t’u prehur pranë bashkëshortes së tij Hajrie Mulleti, që u persekutua nga diktatura bashkë me të birin, ka qënë një sipërmarrje e gjatë dhe e vështirë e familjes së tij, e shoqatave patriotike, e studiuesve dhe historianëve jo vetëm nga Tirana.

Familja Mulleti e ka shpjeguar në një letër të hapur të gjithë procesin dhe natyrshëm, edhe falënderimet dhe mirënjohjen për të gjithë kontribuuesit:

"Në emër të familjes sonë, dëshiroj t’ju njoftoj që pas përpjekjeve të vazhdueshme, u bë e mundur sjellja në atdhe e eshtrave të z. Qazim Mulleti. Ndihemi të lehtësuar shpirtërisht, pasi jo vetëm sollëm në vend amanetin e vetë djalit të tij të vetëm z. Reshit Mulleti, por realizuam edhe një dëshirë të kahershme të familjes, si dhe të të gjithë qytetarëve të Tiranës e më gjerë që e nderuan dhe respektuan figurën e Qazim Mulletit ndër vite, madje edhe gjatë regjimit diktatorial komunist.

Detajet e ceremonisë së varrimit, e cila përkon edhe me 67-vjetorin e vdekjes së Qazim Mulletit në Rocca di Papa/Romë, janë si më poshtë:

E hënë, 28 gusht 2023

09:00-12:30: Homazhet dhe vizitat në Shtëpinë Funerale “ALBA 2000”

Adresa: Rruga e Dibrës, nr. 302, Tiranë

13:00: Kryerja e riteve fetare në xhaminë e “Kokonozit”, Pazari i ri, Tiranë

14:00: Ceremonia e varrimit në varrezat e Shish-Tufinës.

Më në fund, Qazim Mulleti do të prehet në Tironën e tij të dashur, pranë bashkëshortes zj. Hajrie Mulleti (Kusi) dhe djalit të tij, me të cilët kaloi aq pak vite në jetën e përkohshme të kësaj bote për shkak të angazhimit të tij politik dhe qytetar për një Shqipëri etnike, republikane dhe me orientim qartësisht perëndimor.

Një falenderim i veçantë shkon për drejtuesit e Shtëpisë Funerale “ALBA 2000” Sherbime Funerale Alba 2000 Tirane që bënë të mundur ndjekjen dhe finalizimin e procedurave tekniko-ligjore për riatdhesimin e eshtrave nga varrezat e Rocca di Papa në Romë, i cili për hir të së vërtetës, nuk ishte një proces i lehtë.

Shprehim gjithashtu mirënjohjen për shoqatat Shoqata Tirana, Shoqata "Tirona Intellectum" dhe Shoqnia Tirona Autoktone, si dhe çdo mbështetës, për të gjithë angazhimin dhe aktivitetin e tyre ndër vite në nderim të figurës dhe veprës së Qazim Mulletit.

Së fundmi, por jo për nga rëndësia, shprehim falenderimet për finalizimin e këtij procesi dhe organizimin e ceremonive të rastit të gjithë kontribuesit si Akademia e Studimeve Shqiptare, historianë, diplomatë, klerikë, politikanë, artistë etj., duke veçuar ndër ta, juristin e njohur dhe intelektualin tironas, z. Shkëlqim Hajdari, për koordinimin e punës në realizimin e këtij procesi të gjatë.

Me respekt,

Familja Mulleti

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco