Afera 100 mln euro/ Ku fut ujë alibia e Beqajt për udhëtimet me Rrapajn

Afera 100 mln euro/ Ku fut ujë alibia e Beqajt për udhëtimet me Rrapajn

15:25, 20/08/2023
A+ Aa A-

I vënë nën hetim nga një ndërhyrje e posaçme e gjyqtarit që kishte vënë re se prokurorët e SPAK kishin “harruar” të kryenin disa veprime hetimore, Ilir Beqaj ka dalë me një alibi publike për udhëtimet e tij me biznesmenët, të cilëve u dha 100 milionë euro PPP nga paratë e taksapaguesve.

Një nga pikat më domethënëse në dosjen e sterilizimit janë udhëtimet e Ilir Beqajt jashtë vendit me Ilir Rrapajn. Ato nisin që në vitin 2013, kur socialistët sapo kishin ardhur në pushtet dhe Beqaj sapo ishte emëruar ministër shëndetësie.

Në thelb të marrëdhënies ka qenë afera 100 milionë euro e sterilizmit të instrumentave kirurgjikalë, që Beqaj e ka “bekuar” me firmën e tij si ministër i Shëndetësisë. Nga dosja e SPAK, kuptohet se miqësia ka vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, e provuar kjo nga udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit.

Sipas dosjes së SPAK, udhëtimet jashtë vendit të Ilir Beqes janë disa, si me Admir Dacën që ka firmosur kontratën, ashtu edhe me biznesmenin Ilir Rrapaj, që me 1 mijë euro kapital arriti të “fusë në xhep” pjesën e luanit në 100 milionë euro PPP.

“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10”, ka zbuluar SPAK.

Një tjetër detaj që tregon për një marrëdhënie të ngushtë mes Beqajt dhe biznesmenëve ishte lënia në përdorim e makinës së ministrit, ku dhëtonte biznesmeni Rrapaj dhe zv.ministri Klodian Rrjepaj.

Në dosjen e prokurorisë është gjetur pas verifikimeve se “shtetasi Ilir Rrapaj dilte jashtë vendit me makinën në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar nga shoferi i zëvendësministrit të Shëndetësisë. Ky shtetas ka udhëtuar gjithashtu me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj”.

Por Beqaj ka një shpjegim krejt tjetër për udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit me biznesmenët që përfituan paratë e PPP. Sipas tij është normale të ndodhin udhëtime të tilla.

“Së fundmi diçka lidhur me udhëtimet e mija jashtë shtetit me “miqtë” e mi Umbro Staccini e Ilir Rrapaj. I njoh të dy. I kam njohur pasi jam bërë ministër dhe në zbatim të detyrës sime si ministër. Nuk kam zhvilluar ndonjë miqësi të veçantë. Gjatë kohës si ministër kam takuar e jam njohur me siparmarrës të ndryshëm, të huaj dhe shqiptarë, dhe për nevoja pune kam fimosur kontrata me ta.

Të udhëtosh Tiranë – Romë apo Romë – Tiranë si dhe Tiranë – Vjenë apo Vjenë Tiranë është gjëja më normale nëse do të udhëtosh nga Tirana për në Europë apo për në botë. Këto janë rrugët ajrore të Shqipërisë (në atë kohë nuk ishte Wizzair). Mund të qëlloj që në ato fluturime të jenë miq, shokë, kontraktorë, bashkëpunëtorë etj. Vetëm pse je në atë fluturim, kjo nuk besoj se është indicia për fajësi.

Në shtator 2016 është e vërtetë se kam udhëtuar për në Vjenë. Sipas hetimit paska qënë edhe Admir Daca. Mundet. E ka njohur vetëm ditën që kam firmosur kontratën. Unë vetë kam fluturar për në Vjenë për një vizitë pune në ANEA (Agjencia e Energjisë Atomike e Kombeve të Bashkuara). Bëni një kërkim “Ilir beqaj në ANEA” në Google dhe iu del lajmi i asaj vizite. Pse kam qenë dhe me kë kam qenë. Por po e ripostoj. Në maj 2017 nuk kam udhëtuar jashtë shtetit sepse kam qënë në qarkun e Dibrës në fushatë elektorale”, shkruan Ilir Beqja, në sqarimin e tij.

Në fakt, ky është një shpjegim i thjeshtëzuar i situatës. Sepse udhëtimet jashtë vendit para dhe pas firmosjes së kontratës së sterilizmit, e vendosin Beqajn në një pozicion kompromentues.

Duhet thënë se ishte Ilir Beqaj që firmosi hapjen e procedurës për PPP e sterilizimit. Ishte po ai që firmosi sistemin e pikëzimit që renditi të parën bashkimin e kompanive ku ishin Ilir Rrapaj dhe Umbro Staccini. Ishte po Ilir Beqaj që firmosi kontratën me Admir Dacën.

Tani që janë zbuluar udhëtimet me këta persona, ankesat e kompanive se gara për PPP ishte e padrejtë marrin një rëndësi tjetër. Përveç kësaj, është provuar se kompania e Ilir Rrapajt ishte e themeluar dy muaj para zhvillimit të garës për PPP të sterilizmit. Nuk kishte asnjë eksperiencë në fushën përkatëse dhe Ilir Rrapaj kishte një kapital vetëm 1 mijë euro, megjithëse kishte pjesën më të madhe të përqindjes në përfitimin e parave.

Duke marrë parasysh këto, lindin natyrshëm pyetjet: A ishte Beqaj pjesë e skemës së manipulimit të garës për t’ia dhënë 100 milion euro PPP miqve të tij? Nëse gara ka qenë problematike, gjë për të cilën u arrestuan Rrapaj dhe Rjepaj, përse nuk është mbajtur përgjegjës njeriu që ka firmosur procedurën nga nisja në përfundiim të saj? A është normale që ministri të udhëtojë me biznesmenët të cilëve u kalon dhjetëra milion euro me PPP?

Rjepaj dhe Rrapaj mbetën në burg këtë të enjte. Ish-zv.ministri do të përballet me drejtësinë me akuzat e “falsifikimit të dokumenteve” dhe “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa biznesmeni Ilir Rrapaj për “mashtrim me pasoja të rënda”. 6 ish-zyrtarë të tjerë që kanë firmosur për PPP po hetohen në gjendje të  lirë.

I vetmi për të cilin nuk u firmos një masë arresti ishte Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që me firmën e tij mban peshën kryesore të PPP.

Dokumentet tregojnë se u desh ndërhyrja e gjyqtarit Erion Bani që i sugjeroi prokurorit nisjen e hetimeve. Përndryshe prokurori do të pushonte çështjen për të./Lapsi.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco