SYRI TV/ Skandali, si u frynë faturat e Sterilizimit? Koncesionari SaniService, fitim deri 2 mln euro në vit

14:11, 18/08/2023
A+ Aa A-

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar skemën se si koncesionari i sterilizimit i frynte faturat ndaj ministrisë së Shëndetësisë për të vjedhur sa më shumë para nga taksat e shqiptarëve. Sipas auditeve, koncesionari përcaktonte çmime të ndryshme për pajisjet kirurgjikale për sterilizimin, duke i cilësuar me kompleksitet të lartë edhe ato pajisje të cilat mund të pastroheshin lehtësisht. Mosrespektimi i kontratës me çmimet e sterilizimit, sipas KLSH, ka bërë që buxhet i shtetit të humbasë për vitin 2021, 1.5 milionë euro.

Nga SYRI TV

Koncesioni me vlerë 100 milionë euro i sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është ndër më problematikët e grupit prej 4 kontratave të ngjashme të dhëna nga ministria e Shëndetësisë nën drejtimin e Ilir Beqjas, në mandatin e parë qeverisës të Edi Ramës.

Kompania koncesionare, e kontrolluar në shumicë nga ish-punëtori i ndërtimit Ilir Rrapaj, siguroi fitime të majme nga kontrata me qeverinë shqiptare, nënshkruar në vitin 2015.

Bilancet tregtare tregojnë se shoqëria koncesionare “SaniService” ka fituar mesatarisht 1.5 deri në 2 milionë euro në vit.

Në bilancin e dorëzuar pak ditë më parë, për aktivitetin gjatë vitit 2022, koncesionari deklaron një fitim në vlerë 174.6 milionë lekë të reja.

Pjesë e këtyre fitimeve duket se janë edhe faturat e fryra financiare të lëshuara nga koncesionari për Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, në Tiranë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në një auditim të përfunduar vitin e kaluar, konstatoi se koncesionari i dorëzonte QSUT-së fatura të ndryshme për sete të njëjta kirurgjikale.

Kontrata koncesionare parashikon që seti i pajisjeve i pajisjeve kirurgjikale ndahet në tri nivele, në kompleksitet të ulët, të mesëm e të lartë.

Në bazë të kësaj ndarjeje, bëhej edhe pagesa për koncesionari, ku sa më i lartë kompleksiteti, aq më i madh çmimi.

KLSH ka zbuluar se për të njëjtën ndërhyrje kirurgjikale, të realizuar në të njëjtin spital apo spital tjetër, faturimi kryhet sipas kompleksiteteve të ndryshme, dhe për pasojë çmime të ndryshme.

Kjo mënyrë aplikimi shkakton pasoja financiare shtesë, thotë KLSH.

Audituesit shtetërorë thonë se, në rast se do të ishte zbatuar rigorozisht kontrata dhe niveli i kompleksitetit të seteve kirurgjikale do të ulej nga i larta në të mesëm, buxheti i shtetit do të shpëtonte plot 87.3 milionë lekë të reja ose më shumë se 800 mijë euro.

Po ashtu, sipas KLSH-së, nëse do të zbatohej drejt kontrata dhe disa sete të faturuara me kompleksitet të mesëm do të paguheshin për kompleksitet të ulët, siç ishin realisht, buxheti i shtetit, vetëm për vitin 2021, do të shpëtonte edhe 81 milionë lekë të reja të tjera ose mbi 750 mijë euro.

Në total, sipas gjetjeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga ky ndryshim jokorrekt i llojit të seteve kirurgjikale, vetëm për vitin 2021, autoritetet shëndetësore i kanë paguar koncesionarit “SaniService” plot 1.5 milionë euro më shumë se sa shërbimi i ofruar.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco