‘Më varni mua në vend të djalit...’: Episodi tragjik në Masakrën e Qafë Valmirit

‘Më varni mua në vend të djalit...’: Episodi tragjik në Masakrën e Qafë Valmirit

10:43, 17/08/2023
A+ Aa A-

17 gusht 1949 - Një baba i kërkoi trupit gjykues të varet në litar në vend të djalit të tij dhe kërkesa u miratua nga gjykata, me kushtin që i biri të burgosej përjetë. Ky është vetëm një prej episodeve tragjikë të Masakrës së Qafë Valmirit, 74 vite më parë në Mirditë, ku u regjistrua një nga krimet më të rënda të regjimit komunist ku 14 burra, përfaqësues të dyerve të fisme u pushkatuan dhe u varën në litar, 500 të tjerë u burgosën dhe mbi 400 familje u internuan nëpër kampet e përqendrimit.

Kupola komuniste me direktiva nga Beogradi shfrytëzoi vrasjen e Sekretarit të Parë Bardhok Biba, nga Komiteti i Maleve, organizatë që luftonte për një Shqipëri etnike dhe demokratike,  për të gjunjëzuar Mirditën në shenjë hakmarrjeje për rezistencën e armatosur të burrave të kësaj treve kundër instalimit të regjimit komunist në trojet shqiptare.

Të pushkatuarit në këtë masakër të paprecedentë, pasi u faktua se nuk kishin asnjëri lidhje direkt me vrasjen e deputetit Biba, janë

1. Preng Ded Gjomarkaj nga Oroshi varet në litar.

2. Pjetër D. Vila nga Kaçinari varet në litar.

3. Dodë Mark Biba nga Kthellë e Epër varet në litar

4. Pjetër Paloka nga Kaçinari varet në litar

5. Nikollë Bardhok Bajraktari nga Rrësheni pushkatohet.

6. Llesh Gjon Melyshi nga Malaj pushkatohet.

7. Nikoll Llesh Bajraktari nga Oroshi pushkatohet.

8. Ndrecë Mark Ndoj nga Kaçinari pushkatohet.

9. Bardhok Dodë Gjini nga Proseku pushkatohet.

10. Gjok Gjin Kaçi nga Bukmira pushkatohet.

11. Gjergj Beleshi nga Kthellë e Epër vritet për të vëllanë, Dodën.

12. Ndoc Gjet Cupi nga Blinishti pushkatohet.

13. Preng Shkurt Nikolli nga Oroshi pushkatohet.

14. Frrok Mata nga Kaçinari pushkatohet.

Më shumë se proces, gjyqi  ndaj këtyre 14 burrave  ngjau një procedure për “të krijuar bindjen për fajësinë”, ndonëse dosja  hetimore nuk faktoi lidhjet e tyre me elementë armiq të kohës, as nuk qartësoi kriteret mbi të cilat u morën të pandehur.

Prokurori Misto Bllaci kërkoi 20 vendime me vdekje në fillim, ndërsa Gjykata e Lartë Ushtarake në fund të procesit që zgjati nga data 11, kur u kryen arrestimet, deri më datën 16, kur u dha vendimi, ra dakord për 14 dënime me vdekje.

Në vetëm pesë ditë proces hetimor u pranua në dokumentet e lëna pas se asnjëri nuk ishte i përfshirë në vrasje.

Çdo vit familjarët e tyre dhe të afërm kryejnë homazhe në memorialin e vendosur në nder të tyre në Mirditë, në shenjë respekti për sakrificën e tyre në emër të kombit dhe demokracisë.

Masakra të ngjashme, mirditasit dhe malësorët kishin provuar vetëm gjatë pushtimit 500 vjeçar turk apo ekspeditave ushtarake sllave,  ku në saj të rezistencës  sublime ia dolën të ruanin, shumëçka të shenjtë për shqiptarët.

As masakrat ndaj civilëve, as ndarja e territorit të krahinës dhe as damkosja e kësaj treve përmes artit dhe kinematografisë nuk e zvetnuan asnjëherë ndjenjën kombëtarë dhe etjen për  të banorëve të këtyre maleve.

ImageImage

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco