Arrestohet me urdhër të SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj Klodian Rjepaj

Arrestohet me urdhër të SPAK, ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj

09:04, 17/08/2023
A+ Aa A-

Policia ka arrestuar me urdhër të SPAK, Klodian Rjepajn, ish-zv.ministrin e Shëndetësisë.  Rjepaj u arrestua për llogari të hetimit të SPAK mbi koncensionin e sterilizimit.

Arrestimi i Rjepajt ka ardhur në zbatim të një mase sigurie "arrest në burg" të dhënë në mungesë ndaj tij.

Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, administratori i shoqërisë që fitoi koncensionin. Po ashtu, për dy zyrtarë të tjerë u caktua masa ‘arrest shtëpie’ si dhe për 4 të tjerë u caktua masa ‘detyrim paraqitje’.

Në vijim një artikull investigativ të BIRN mbi rastin, shkruar që në nëntor 2020, ndër të tjera thuhej:

"Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e pestë të operimit, por ka shënuar rritje të kostove të parashikuara me gati 30%. Nga 9.6 miliardë lekë të parashikuara në vitin 2015, sterilizimi pritet tashmë të kushtojë 12.3 miliardë lekë në total.

Pagesat realizohen sipas skemës “përdor dhe paguaj”, ndaj rritja e numrit të ndërhyrjeve sjell rritje “pa tavan” të pagesave. Megjithatë, numri i operacioneve nuk është kalkulimi i vetëm i gabuar që rëndon sot mbi financat e sektorit të shëndetësisë.

BIRN intervistoi mjekë dhe kirurgë të spitave të ndryshme të Tiranës, të cilat pohuan se formula e zgjedhur i rrit shpeshherë kostot edhe fiktivisht. Mjekët pranuan se kishin përdorur sete të shtrenjta për mikrokirurgjitë dhe ishin detyruar shpeshherë që të hapnin dy ose tre sete gjatë një operacioni, për të gjetur instrumentin kirurgjikal që u nevojitej.

Sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin dhe pritet të sjellë probleme në vazhdimësi për financimin e saj.

Kontrata PPP është gjithashtu një nga dosjet e para të bujshme që përfundoi në dyert e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe po hetohet prej 11 muajsh për tre vepra penale që lidhen me korrupsionin.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja e mbrojti kontratën në një përgjigje me shkrim për BIRN, pavarësisht kostove të rritura dhe akuzave të regjistruara nga Prokuroria.

“Kanë kaluar tashmë më shumë se 4 vjet nga ndërhyrja e parë kirurgjikale e realizuar me këtë shërbim të ri, por në dijeninë time asgjë nuk ka shkuar keq,” tha Beqja, firmëtar i kontratës.

“Përkundrazi, tashmë është e provuar se shërbimi kirurgjikal në çdo sallë operacioni të Shqipërisë është ndryshuar radikalisht dhe se çdo kirurg apo obstretër në Shqipëri operon në kushte shumë më të mira steriliteti me instrumenta kirurgjikale të gjeneratës së fundit,” shtoi ai. Kompania koncesionare, SaniService nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN deri në publikimin e këtij shkrimi."

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco