Nëse Rama e arreston dhe shkarkon Belerin, ç'e pengon nesër për kandidatin për kryeministër të opozitës

Nëse Rama e arreston dhe shkarkon Belerin, ç'e pengon nesër për kandidatin për kryeministër të opozitës

08:41, 17/08/2023
A+ Aa A-

"Në të vërtetë, nëse Rama, pa hasur probleme, mund t’a arrestojë Belerin e t’a shkarkojë si kryetar bashkie, asgjë nuk do ta pengojë atë të përsërisë të njëjtin truk me kandidatin për kryeministër të opozitës në zgjedhjet parlamentaretë radhës nëse ky i fundit do të kryesojë në sondazhe."

Nga Genc Pollo

Përkufizimi standard i të burgosurit politik është “Dikush që e burgosin për veprimtarinë e tij politike. Veprimtaria politike nuk është gjithmonë arsyeja zyrtare e burgosjes”. Me këtë përkufizim  Shqipëria sot e ka një të tillë.

Fredi Belerin, i cili në maj të këtij viti kandidoi për kryebashkiak të Himarës i mbështetur nga opozita, i përshtatet shumë mirë këtij përkufizimi. Mediat janë plot me deklarata e replika të qeveritarëve grekë e shqiptarë që përmendin emrin e tij.

Megjithatë, paraqitja mediatike e rastit Beleri si një çështje dypalëshe shqiptaro-greke është keqorientuese: çështja Beleri është një problem serioz i të drejtave themelore të njeriut (habeas corpus), i shtetit të së drejtës dhe i demokracisë për Shqipërinë. Pavarësisht nëse për të interesohet ose nuk interesohet  Greqia apo Bashkimi Evropian.

Beleri ishte si kandidati sfidues i kryebashkiakut socialist dhe kryesonte qaratazi në sondazhet e opinionit në Himarës. Kjo ishte mesa duket arsyeja pse Edi Rama e sulmoi atë personalisht dhe vrazhdë, si asnjë kandidat tjetër të opozitës. Megjithatë Beleri vazhdoi të kryesonte dhe përfundimisht e fitoi garën. Ai mësoi për fitoren e tij në një qeli burgu.

Beleri u arrestua me akuzën e blerjes së votës. Në dekadën e fundit, blerja e votave është kthyer në një gangrenë  në zgjedhjet shqiptare dhe në një shqetësim të vazhdueshëm sipas raporteve ndërkombëtare të monitorimit ndërkombëtar të OSBE-së. E vërteta është se blerja e votave është një specialitet i partisë në pushtet për shkak të parave të publike të grumbulluara  dhe të ardhurave nga kriminaliteti.  Opozita është margjinalizuar, madje edhe e privuar nga instrumentat  ligjore rutinë (financimi i fushatës dhe përfaqësimi në administrimin e votimit) përmes marifeteve administrative.

Megjithatë, asnjë kandidat i partisë në pushtet nuk është hetuar aq më pak të arrestuar apo paditur për akuza të tilla.

Arrestimi i Belerit ndodhi mbasi policia pajtoi  një person me preçedentë penalë i cili i premtoi se do të gozhdonte Belerin për blerje votash (policia nuk e përdori  një teknikë të tillë për kandidatë të tjerë, pavarësisht provave të shumta). Aktakuza e paraqitur nuk tregon asnjë ndërveprim mes Belerit dhe “personit të infiltruar”.

I gjithë procesi policor/prokuror/gjyqësor është shenjuar nga shkelje të Procedurës Penale. Beleri ndodhet ende në paraburgim, ndërsa bashkëpunëtori i tij, që pati një takim me të infiltruarin policor është lënë i lirë. Sipas ligjit, Beleri duhet të bëjë betimin për kryetar bashkie brenda tre muajve nga zgjedhjet. Ai nuk mund ta bëjë këtë ndërsa është në burg dhe gjykimi në themel i çështjes mund të zgjasë më shumë se një vit. Rama duket se synon anulimin dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Himarë.

Duhet të ketë një arsye pse Rama u investua personalisht në një sjellje kaq të rrezikshme duke shkelur normat ligjore dhe demokratike që ai nuk i kishte shkelur ende (dmth. arrestimin e kandidatëve të opozitës gjatë fushatës). Shpjegimi i qartë është qasja e babëzitur ndaj zhvillimit të bregdetit të detit Jon me Himarën që administron pjesën më të lakmuar të tij.

Një grup oligarkësh rreth Ramës e kanë ndarë mendjen për të rrëmbyer tokën (plazhet dhe shpatet e kodrave) që i përket normalisht  banorëve vendas për të zhvilluar resorte turistike. Ata përdorin agjencitë shtetërore për të detyruar pronarët të shesin trojet për një kafshatë goje. Ka pasur raste të rrëmbimit të tokës përmes zyrtarëve të kadastrës duke falsifikuar dokumentet e pronësisë.

Ministrja e Jashtme e Ramës është kapur në një skandal (korrupsion ose  konflikt interesi) teksa ka përdorur burimet shtetërore për të favorizuar investimet e familjes në një hotel në Himarë. Ndërkohë që shumica parlamentare po bllokon hetimin e opozitës dhe po injoron vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Beleri ishte zotuar vazhdimisht se do të përdorte pushtetin e kryebashkiakut për të penguar praktika të tilla grabitqare dhe korruptive. Duke pasur parasysh kompetencat bashkiake në planifikimin urban, ai do të kishte kompetenca dhe mjete për t’a  mbajtur këtë premtim. Kryebashkiaku socialist përkundrazi i ka përmbushur përherë dëshirat e qeverisë Rama dhe oligarkëve të ndryshëm.

Duke qenë se Beleri është me shtetësi të dyfishtë, ka pasur protesta sistematike greke duke filluar me kryeministrin Mitsotakis që nga dita e arrestimit të tij. Kjo ka bërë të mundur që Rama të gjegjet me  tirada “patriotike”  kundër “ndërhyrjes greke”. Megjithatë, përpara fushatës lokale, Mitsotakis vizitoi bashkitë e minoritetit grek në Shqipërinë e Jugut i shoqëruar vetëm nga Rama dhe zyrtarë socialistë. Kjo përkrahje mori “shpërblimin e merituar” duke arrestuar Belerin.

Parlamenti Evropian më 11 korrik 2023, në rezolutën e miratuar me konsensus për Shqipërinë: “…shpreh shqetësimin e tij për arrestimin e kryetarit të ri të bashkisë Himarë, Fredi Beleri, në prag të zgjedhjeve bashkiake të majit; ky arrestim cënon prezumimin e pafajësisë dhe parandalon kryebashkiakun e zgjedhur që të marrë ofiqin pasi ai mbetet i burgosur edhe sot e kësaj dite; nënvizon se kjo çështje lidhet me respektimin e përgjithshëm të të drejtave themelore, çështjen e zvarritur të pronave … në zonën e bashkisë dhe me akuzat për interferenca nga shteti”.

Komisioni Evropian ka heshtur deri më tani për këtë çështje, përveçse ka thënë se po monitorojnë çështjen gjyqësore. Nënkryetari i tij Margaritis Schinas ka bërë deklarata të mprehta, por ato duket se janë në linjë  me njoftimet për shtyp të zyrtarëve të tjerë grekë. Megjithatë, Komisioni ka shprehur shqetësim për raste të ngjashme në vende të largëta që nuk janë (nuk mund të jenë) kandidatë për në BE. Në qasjen e tyre formaliste, ata nuk duhet të flasin për një çështje gjyqësore në një shtet kandidat deri në një vendim përfundimtar. Që presupozon një gjyqësor që funksionon normalisht. Kjo përshtatet në narrativën e Komisionit për “progresin e vazhdueshëm” të Shqipërisë si vend kandidat, pavarësisht shkëputjes së kësaj narrative nga realiteti.

Çështja Beleri do të jetë një letër lakmusi. Jo thjesht për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë apo për avancimin e saj drejt Bashkimit Europian, por kjo çështje do të testojë shkallën e tolerimit të arbitraritetit nga një sundimtar autoritar që ka përqendruar dhe personalizuar pushtetin qeveritar.

Në të vërtetë, nëse Rama, pa hasur probleme, mund t’a arrestojë Belerin e t’a shkarkojë si kryetar bashkie, asgjë nuk do ta pengojë atë të përsërisë të njëjtin truk me kandidatin për kryeministër të opozitës në zgjedhjet parlamentaretë radhës nëse ky i fundit do të kryesojë në sondazhe.

Prandaj precedenti Beleri meriton më shumë vëmendje dhe angazhim se sa ka marrë deri sot. Dhe në protestën e himariotëve pro kryebashkiakut të tyre nuk lipsej të mungonin titullarët e opozitës politike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco