VIDEO-SYRI TV/ PPP në shëndetësi zhvatën 14% të fondeve

14:17, 09/08/2023
A+ Aa A-

Pagesat e koncensioneve të buxhetit spitalor në vitin 2022 zhvatën 14% të fondeve, duke kaluar ndjeshëm vlerën e shërbimeve parësore spitalore. Paratë shkuan për financimin e kontratave, të sterilizimit, dializës dhe laboratorit që kapën vlerën e 4.1 miliardë lekëve. Shpenzimet më të mëdha në shërbimin spitalor bëhen për Qendrën Universitare “Nenë Tereza”.

SYRI TV

Fatura e koncesioneve në shëndetësi po gangrenizon vit pas viti buxhetin e shërbimit spitalor, i cili në vend që të shkojë për shërbimet themelore dhe burimet njerëzore, po bie pre e abuzimeve nga keqmenaxhimi i kontratave.

Të dhënat zyrave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore tregojnë se vitin e kaluar, fondet për shërbimin spitalor arritën në 29,4 miliardë lekë, por sasia e parave që shkoi për financimin e tre kontratave PPP arriti në 4,1 miliardë lekë ose 14% e buxhetit spitalor. Kosto e kontratave me PPP kaloi ndjeshëm vlerën e shërbimeve parësore spitalore. Të dhënat tregojnë se kosto e barnave për spitalet ishte 3,6 miliardë lekë ose rreth 13% më e ulët se fondet e PPP-ve në shërbimin spitalor.

Në funksion janë tre kontrata PPP, e sterilizimit, dializës dhe laboratorit. Në vitin 2022 kontratat e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale u financuan me 1,7 miliardë lekë, e Dializës me 835 milionë lekë dhe e Laboratorit me 1,6 miliardë lekë.

Për dy PPP-të e laboratorit dhe sterilizimit, vlera e financimit ka tejkaluar parashikimet fillestare, teksa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shumë abuzime gjatë zbatimit të tyre. Në vitin 2021, kontratat me PPP në shëndetësi morën 3,4 miliardë lekë financime, ose 12% të fondit total për spitalet.

Pas pandemisë fondet për shërbimin spitalor u rritën, por pesha e koncensioneve u rrit edhe më shpejt, pasi hynë në fuqi kontratat e shërbimit laboratorik, teksa të tria bashkë me dializën dhe sterilizimin po marrin fonde përtej planifikimeve. Shpenzimet më të mëdha në shërbimin spitalor bëhen për Qendrën Universitare “Nenë Tereza”.

Në strukturën e shpenzimeve për sektorin publik të shëndetësisë, peshën specifike më të madhe e zënë shpenzimet e shërbimit spitalor me 56%, ndjekur nga shpenzimet për rimbursimin e barnave e pajisjeve mjekësore me 22% dhe shpenzimet e kujdesit parësor me 20%.

Ashtu si inceneratorët, kontratat PPP në Shëndetësi janë bërë në një seri shkeljesh ligjore, aq sa “Transparency International” i renditi si raste madhore të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, ndërsa disa prej tyre janë tashmë nën hetim nga SPAK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco