McGonigal do bëjë marrëveshje me prokurorët/ Avokati: Do pranojë fajin, çështja mund të mos shkojë në gjyq

McGonigal do bëjë marrëveshje me prokurorët/ Avokati: Do pranojë fajin, çështja mund të mos shkojë në gjyq

18:56, 04/08/2023
A+ Aa A-

Ish-agjenti i kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal mund të arrijë marrëveshje me prokurorët amerikanë, të cilët e akuzojnë për fshehje parash dhe për ndihmën që tentoi t'i japë një oligarku rus. Kështu raporton rrjeti amerikan, CNN.

McGonigal, i cili ka punuar për 22 vite në FBI dhe u pensionua në vitin 2018, është akuzuar për dy çështje të ndryshme në Nju Jork dhe Uashington DC, përfshirë edhe fshehjen e 225,000 dollarëve të marra nga një ish-agjent i shërbimeve sekrete shqiptare.

Avokati i tij, Seth DuCharme tha se McGonigal ka dy mundësi, të pranojë fajësinë ose të shkojë përmes procesit të rregullt gjyqësor. Deri tani, McGonigal është vetëdeklaruar i pafajshëm.

"Kemi shpresë se çështja do të zgjidhet dhe nuk do të shkojmë në gjyq. Do ta marrim vesh menjëherë pas Ditës së Punëtorëve", tha ai. Dita e Punëtorëve përkon me të hënën e parë të muajit shtator.

Komentet e avokatit sugjerojnë se McGonigal dhe prokurorët mund të arrijnë një marrëveshje. Megjithëse avokati këmbënguli se dëshiron të shikojë pjesën tjetër të dokumentave që prokurorët kanë zbuluar për çështjen. Por për këtë do të duhej pak kohë pasi kërkojnë redaktime dhe censurime.

Në Shqipëri, McGonigal ka zhvilluar disa vizita ku është takuar me zyrtarë të lartë deri edhe me kryeministrin Edi Rama. Është e paqartë se ku mund të konsistojë marrëveshja mes McGonigal dhe prokurorëve dhe se për cilat akuza ai mund të pranojë fajin.

Seanca e radhës është caktuar për datën 13 shtator, ndërsa ajo për çështjen në Nju Jork është caktuar ditën e martë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco