Lufta imagjinare midis oligarkëve të transportit publik dhe Bashkisë së Tiranës

Lufta imagjinare midis oligarkëve të transportit publik dhe Bashkisë së Tiranës

18:32, 31/07/2023
A+ Aa A-

Sot në mëngjes i ashtuquajturi Union i Transportit Publik, një shoqatë që bashkon pronarët privatë të linjave të transportit publik urban, nxori një deklaratë ku linte të kuptohej se do të reduktonte numrin e autobusëve në Tiranë. Ata kërkojnë nga bashkia më shumë subvencione. Pak orë më vonë kryetari famëkeq i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërcënoi pronarët e linjave private me heqje licence në rast të ndërprerjes së shërbimit.

Kjo kontradiktë në dukje midis oligarkëve dhe Bashkisë fsheh abuzimet e shumta dhe shkeljet e kontratës që të parët bëjnë, me ndihmën e të dytës, ndaj qytetarëve të Tiranës. Pas kësaj shtirjeje fshihet rritja e pajustifikuar e subvencioneve publike ndaj monopolistëve privatë.
Kujtojmë se çdo ditë operatorët privatë shkelin detyrimet e tyre kontraktuale, pa u hyrë gjemb në këmbë. Më konkretisht:

1. Asnjë nga linjat e Tiranës nuk është e pajisur me një sistem GPS/SIT, që raporton në kohë reale vendndodhjen dhe shpejtësinë me të cilin udhëton autobusi, ndonëse ky është detyrim kontraktual i operatorëve privatë (GPS) dhe detyrim i përbashkët me Bashkinë (SIT). (nenet 7-8 të kontratës)

2. Në asnjë nga stacionet e autobusëve nuk janë vendosur tabela të informimit të udhëtarëve për oraret e shërbimit, edhe ky detyrim i operatorëve privatë. (neni 7)

3. Në të shumtën e rasteve, në autobusët e Tiranës nuk hapet kondicioneri, çka e dëshmojnë ankesat e pafundme të qytetarëve dhe konfliktet e tyre të vazhdueshme me punonjësit e autobusëve, shkelje kjo e nenit 10 të kontratës midis operatorëve privatë dhe Bashkisë.

4. Së bashku me Bashkinë, operatorët privatë kanë shkelur detyrimin e përbashkët të financimit dhe implementimit të sistemit të biletës elektronike.

Përveç këtyre, bazuar në një kërkesë që i kemi dërguar më herët Bashkisë Tiranë, rezulton se operatorët privatë të autobusëve vetëm në vitin 2022 janë subvencionuar me 136 000 000 lekë (të reja), shifër kjo që një zot e di se si është llogaritur dhe pse duhet të ekzistojë, pasi në kontratë bashkia nuk ka asnjë detyrim për të subvencionuar subjekte private fitimprurëse.

Gjithë kjo që po ndodh ditët e fundit në Tiranë është një inskenim për të përligjur zhvatjen e mëtejshme të buxhetit të qytetarëve të Tiranës duke rritur subvencionimin e operatorëve privatë monopolistë, të ndarë midis oligarkëve ekonomikë dhe gangsterëve të rëndomtë. Po ashtu është një mënyrë për të përligjur rritjen e çmimit të biletës dhe aboneve.

/ Marrë nga profili i Lëvizja Bashkë në Facebook

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco