'European Conservative': Shqiptarët janë bosat e tregut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar

'European Conservative': Shqiptarët janë bosat e tregut të drogës në Mbretërinë e Bashkuar

10:38, 28/07/2023
A+ Aa A-

Nga Michael Curzon, EUROPEAN CONSERVATIVE

Përdorimi i kokainës po rritet në pjesën më të madhe të Perëndimit dhe pjesa më e madhe e shpërndarjes me shumicë kryhet nga grupe shqiptare, sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara të publikuar në fillim të këtij viti.

Në raportin global të organizatës për kokainën për vitin 2023, bandat shqiptare përshkruhen si “shumë aktive” në pritjen e dërgesave të drogës në të gjithë Evropën Perëndimore. Raporti shton se tani ata “ushtrojnë kontroll të konsiderueshëm” në të gjithë tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar.

Edhe në Itali, “grupet shqipfolësish” renditen krahas organizatës famëkeqe kriminale ‘ndrangheta, e cila në fillim të këtij viti ishte objektivi i një operacioni të madh evropian kundër krimit. Raporti i OKB-së vë në dukje se këtu dhe në Irlandë, ku “ka nisur të ndihet prania e krimit të organizuar shqiptar”, dominimi në rritje i bandave shqiptare “në të ardhmen mund të çojë në konflikte të dhunshëm” me organizatat vendase.

Mësohet se grupet shqiptare tashmë qëndrojnë pas vrasjeve të paramenduara në Malin e Zi, Serbi dhe Shqipëri që nga viti 2015.

“Këto konflikte janë shtrirë në disa vende të Bashkimit Evropian, me vrasje të izoluara të raportuara në Austri, Gjermani, Greqi, Holandë dhe Spanjë. Megjithatë, duket se grupet kriminale ballkanike përdorin dhunë selektive, në vend që ta përdorin pa bërë dallime”, thotë raporti.

Vrasjet mund të ndikojnë kryesisht tek ata që zgjedhin të përfshihen në shitjen e drogës, por tregtia në tërësi “mbështetet", siç e bën të qartë raporti kur diskutohet për tregun e drogës në Mbretërinë e Bashkuar, “në shfrytëzimin e njerëzve të brishtë, përfshirë të rinjtë”.

Raporti thekson se operacionet janë shumë profesionale, duke pasur parasysh se ato kontrollohen “me një farë shkalle të koordinimit transnacional, përveç formimit të marrëdhënieve të drejtpërdrejta me furnitorët në Amerikën Latine”.

Këto zbulime pasojnë debatet diplomatike midis zyrtarëve britanikë dhe shqiptarë për hyrjen e paligjshme të emigrantëve shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar përmes La Manshit. Rreth gjysma e numrit të përgjithshëm të emigrantëve nga La Manshi vitin e kaluar erdhën nga Shqipëria, pavarësisht se ishte një vend i sigurt, për të cilin zyrtarët thanë se “nuk kishte asnjë rast që meritonte ofrimin e azilit për aplikuesit”.

Kjo e shtyu Dan O'Mahoney, komandantin e njësisë për Kërcënimin Klandestin në La Mansh, të pretendonte se ekziston një “numër i madh [emigrantësh shqiptarë] që po bëjnë lojëra qëllimisht me sistemin” për qëllime të paligjshme. Kryeministri shqiptar Edi Rama vitin e kaluar iu përgjigj me tërbim debateve në Mbretërinë e Bashkuar mbi kriminalitetin lidhur me kalimet e La Manshit, duke këmbëngulur se “vënia në shënjestër e shqiptarëve (siç vepruan për turp disa kur luftuan për Brexit) si shkak i krimit të Britanisë dhe problemeve kufitare e bën retorikën e lehtë, por injoron faktet e dukshme”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco