Rritja e pagave nga Rama del jashtë kontrollit, Financat kërkojnë largime masive nga puna

Rritja e pagave nga Rama del jashtë kontrollit, Financat kërkojnë largime masive nga puna

19:16, 21/07/2023
A+ Aa A-

Nga muajit Prill 2023, hyri në fuqi vendimi për të rritur pagat e sektorit publike në mënyrë të ndjeshme dhe me një kosto të lartë. Vendimi u zbardh me vonesë në fillim të muajit Qershor, pas disa raportimeve për llogaritje gabim të koeficienteve të pagave të administratës publike.

Në zbardhjen e vendimit të pagave u vu re një rritje e konsiderueshme e pagave për stafet politike të drejtuesve, kryesisht këshilltarëve të ministrave me rreth 80 %, deputetëve, krerëve të institucioneve, ç’ka rriti koston e madhe të Buxhetit të Shtetit.

Ministria e Financave pranoi publikisht në Qershor se fatura financiare shtesë e rritjes së pagave do të ishte rreth 110 milionë euro përgjatë vitit 2023, ndërsa për vitin e ardhshëm do të tejkalonte shifrën e 165 milionë eurove.

Këto shifra nuk korrespondojnë me projektin fillestar të dërguar në Parlament për miratim, ku synohej që kostoja e rritjes së pagave të ishte rreth 90 milionë euro për vitin 2023. Zbardhja e vendimi rriti automatikisht koston me 20 milionë euro. Ndërsa për vitet të vijim ka një kosto edhe më alarmuese, që sipas të dhënave zyrtare e tejkalon 400 milionë euro.

E ndodhur nën këtë fryrje të madhe financiare, Ministria e Financave është vendosur nën alarm dhe ka kërkuar një zgjidhje ndryshe dhe ekstra ligjore. Media Ditari ka zbuluar se përgjatë muajit Maj dhe Qershor, me dhjetëra drejtues institucionesh publike janë kontaktuar nga zyrtarët e ministrisë së Financave ku u është kërkuar verbalisht që të shkurtojnë vendet e punës.

Burimet shpjeguan se si masë e menjëhershme, institucioneve u është kërkuar të mos plotësojnë vakancat e nëpunësve publike, një shifër që e tejkalon numrin 1 mijë punonjës, me qëllimin e kursimit të fondeve. Por kjo ka qenë e pamjaftueshme ndaj dhe ministria e Financave insiston për shkurtime personeli për të ulur koston.

E gjithë kjo sipërmarrje është kryer e gjitha larg shkresave zyrtare. Media Ditari kontaktoi të paktën 8 drejtues institucionesh qeveritare dhe shumica e tyre konfirmuan “urdhrin” verbal të ministrisë së Financave. Një pjesë e tyre e cilësojnë urdhërin e ministrisë si të pamundur për t’u realizuar pasi shkurtimi i stafit kërkon kohë ndërsa nuk mund të mbajnë të bllokuar vakancat në administratën publike.

Në datën 21 Qershor, Media Ditari kërkoi një koment zyrtar nga ministria e Financave në lidhje me zbardhjen e vendimit të rritjes së pagave, nëse ka pasur gabime, tejkalime kostosh si dhe nëse ka urdhëruar verbalisht, jo me shkresë zyrtare, drejtues institucionesh për shkurtim të vendeve të punës në administratë. Prej 1 muaji, Ministria e Financave refuzon të komentojë. /Ditar.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco