'Marrja peng e diplomave të Mjekësisë, një turp që nuk shlyhet'

'Marrja peng e diplomave të Mjekësisë, një turp që nuk shlyhet'

09:01, 21/07/2023
A+ Aa A-

"Marrja peng e diplomave të Mjekësisë është një turp që nuk shlyhet! Kushtetuta shprehet shumë qartë. Neni 57: "1. Kushdo ka të drejtën për arsimim. 4. Arsimi i lartë mund të kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie."

 

Nga Petrit Vasili, deputet i PL, ish-Ministër i Shëndetësisë.

Edi Rama dhe qeveria, dështimin e sistemit shëndetësor duan t’ia hedhin në kurriz studentëve të Mjekësisë. Sipas Ramës dhe qeverisë, mjekët duhet të punojnë me detyrim pesë vjet ose të paguajnë 6700 euro për çdo vit se me demek ka shpenzuar shteti për ta, pagesë që ua kalon edhe universiteteve private që ofrojnë bile diploma mjekësie që njihen në Evropë.

Së pari: Është një arbitraritet dhe arrogancë e madhe që të vendosësh kushtëzime për të marrë diplomën, ndërkohë që i vetmi detyrim që ka një student për t’u diplomuar është që të përmbushë të gjithë detyrimet mësimore e të japë provimet dhe këtu mbyllet cikli i diplomimit.

Së dyti: Është një arbitraritet shumë i madh sepse Fakulteti i Mjekësisë si i gjithë sistemi universitar është një shërbim publik ku kontribuon e gjithë shoqëria përmes taksave si një detyrim shtetëror dhe kushtetues.

Së treti: Kushtetuta është shteruese kur përcakton se arsimi i lartë kushtëzohet vetëm nga kritere aftësie

Së katërti: Familjet shqiptare, që paguajnë taksa, që paguajnë me djersë e sakrifica të panumërta për mbajtjen e fëmijëve në universitet u dashka të paguajnë edhe mijëra euro të tjera nëse fëmijët e tyre duan të marrin diplomën që u takon pasi kane përmbushur të gjitha provimet dhe detyrimet.

Së pesti: Po si mund të ketë arbitraritet më të madh se fakti që këto detyrime për marrje diplome do t’i bëhen vetëm atyre, që studiojnë mjekësi ndërsa për mijëra studentë që studiojnë në fakultete e degë të tjera të Arsimit të Larte si pjesë e sistemit universitar publik kjo nuk ndodh?

Është shumë e thjeshtë zgjidhja:

Qeveria të mos vjedhë miliarda euro me koncesione, tenderë e blerje votash.

Të rrisë rrogat e mjekëve në mënyrë dinjitoze dhe jo vetëm që mjekët nuk do të largohen më, por mjaft prej tyre do të kthehen sërish në atdhe.

Ndryshoni rrënjësisht cilësinë e universitetit që nga mjediset, tekstet, laboratorët, sallat e mësimit, të cilat kanë mungesa të mëdha që ndikojnë shumë negativisht në cilësinë e diplomës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco