Projektligji Koçi-Beqiraj për Akademinë e Shkencave në përmbajtje drejtohet kundër Kushtetutës të Shqipërisë!

Projektligji Koçi-Beqiraj për Akademinë e Shkencave në përmbajtje drejtohet kundër Kushtetutës të Shqipërisë!

16:58, 17/07/2023
A+ Aa A-

Akademiku u njohur, profesor, Artan Fuga, vijon të demaskojë publikisht përpjekjet jo-legjitimie që po bën shteti për t'i dhënë edhe një mandat Skënder Gjinushit në krye të ASH.

Nga Artan Fuga: 


Veç shkeljeve të rënda proceduriale që e bëjnë projekligjin e deputetëve Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj të pa shqyrtueshëm, nëse respektohet Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, përmbajtja e tij është alogjike, e bën ligjin për akademinë e shkencave të mohojë atë që pohon dhe të pohojë atë që mohon, si edhe e vendos në mospërputhje të plotë me Kushtetutën e vendit!
O projektligji Koçi - Beqiraj ose Kushtetuta! A do të ketë deputetë që do të votojnë për shkopa bejsbolli në kurriz të Kushtetutës?
Unë kam shpresë që jo!
Gjithsesi ja komentet e mia kritike në përmbajtje për këtë projektligj që kërkon të lejojë një kryesi që ka uzurpuar Akademinë e Shkencave, ka bllokuar zgjedhjet atje, dhe kërkon nga Kuvendi në mënyrë antikushtetuese t'i jepet mundësia për mandate të tjera në pushtet, edhe pas 75 vjetve!
---------------------
1. Akademiku mbi 75 vjeç: është apo nuk është më anëtar i Asamblesë i së cilës dëshiron të jetë kryetar?
Ritheksoj se dobësia e projektligjit të zotërinjve Petro Koçi dhe Imet Beqiraj është se ai kërkon ndryshimin e një ose dy neneve të ligjit për Akademinë e Shkencave, pa mbajtur parasysh nëse ky ndryshim përputhet ose jo me pjesën tjetër të përmbajtjes së ligjit që mbetet e paprekur. Por, siç thamë ligja ka natyrë strukturore, holistike.
Po qe se do të hynin në fuqi amendamentet e propozuara, atëherë do të kishim paradoksalisht dy norma ligjore ose fakte juridike:
a. edhe një kryetar të akademisë që qëndron në postin e tij edhe pas moshës 75 vjeç,
b. edhe rregullin që një anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave shndërrohet në Emeritus pas moshës 75 vjeç!!!
Këtu nisin kontradiktat dhe kundërthëniet ligjore!
A mundet që dikush, i cili sipas përcaktimit ligjor nuk është më pjesë e Asamblesë, ose pa të drejta dhe detyrime të plota atje, të jetë Kryetari i saj?
Logjikisht, nëse një element nuk është pjesë e një bashkësie a mund të jetë drejtuesi i saj? Matematika dhe algjebra më elementare e bashkësive nuk e pranon këtë. Nëse duam që ligji t’i kundërvihet logjikë formale elementare, vetëm atëherë mund të pranojmë kësi kundërthëniesh.
Çfarë kërkon ligji për Akademinë e Shkencave në nenin 11 të tij, të titulluar’ “Zgjedhja e Kryesisë” ? Ai thotë : “Zgjedhja e Kryetarit të Akademisë bëhet nga anëtarët e Asamblesë”.
Pra, duhet të jesh anëtar i Asamblesë për t’u bërë Kryetar i saj. Nuk ka gjë më logjike, dhe ligjore.
Por, çfarë parashikon Ligja për Akademinë e Shkencave kur flet për atë se çfarë quhet Asamble e Akademisë së Shkencave?
Kush janë ata që e përbëjnë Asamblenë e Akademisë së Shkencave?
Ligja në fjalë, në nenin 6 të saj, të titulluar “Asambleja” thotë troç, qartë, pa ekuivokë : “Asambleja është trupa e shkencëtarëve dhe e kërkuesve, e cila përbëhet nga akademikë dhe akademikë të asociuar, të cilët do të quhen anëtarë të Asamblesë.”
Gjithçka është e qartë. Në Asamble sipas nenit të cituar më sipër, në mënyrë strikte, bëjnë pjesë vetëm “akademikët” dhe “akademikët e asociuar”. Askush tjetër.
Dhe si për ta bërë edhe më të qartë këtë, neni 6, thekson edhe më tej:
“Numri i akademikëve është deri në 30, ndërsa numri i akademikëve të asociuar është deri në 10.”. Asnjë më shumë, pra!
Dhe për ta kuptuar edhe më mirë përkufizimin ligjor të anëtarëve të Asamblesë, neni 14 i ligjit, me titull “Vlefshmëria” thekson: “Pika 1. Me zgjedhjen si Anëtar i Asamblesë, personi fiton titullin “akademik” ose “akademik i asociuar”.
Në këtë bashkësi, ligja nuk ka përfshirë as anëtarët e nderit, as ata korrespondentë, as anëtarët e jashtëm, dhe si shihet qartë as anëtarët Emeritus. Këta të fundit kanë një përcaktueshmëri tjetër ligjore.
Neni 6 i ligjit për Akademinë e Shkencave shprehet : “Pika 1. Anëtarët e Asamblesë që mbushin moshën 75 vjeç marrin statusin e anëtarit Emeritus.”.
Aq e qartë është kjo, saqë ligja shprehet në po atë nen: “Ata nuk përfshihen në llogaritjen e e kufizimeve të pikës 1 të këtij neni.“ Pra, janë përtej asaj bashkësie që pika 1 e nenit 6 i përmbledh në jo më shumë se në 30 “akademikë” dhe 10 “akademikë të asociuar”.
Në këtë mënyrë, sipas përcaktimeve ligjore ne kemi Anëtarët e Asamblesë me të drejta, detyra dhe kompetenca të plota; anëtarë nderi, anëtarë korrespondentë, anëtarë të jashtëm. Si edhe akademikët Emeritus që sipas përkufizimit bazë, përkufizohen si anëtarë të Akademisë, por nuk janë anëtarë me të drejta të plota dhe detyrime të plota të Asamblesë së saj.
Fakti që quhen “anëtarë” të Asamblesë nuk ndryshon gjë, sepse edhe anëtarët e nderit dhe të jashtëm quhen anëtarë, por nuk bëjnë pjesë në kuptimin strikt të anëtarit të Asamblesë sikurse e përcakton ligja në bashkësinë 30 plus 10.
Neni 14 e përforcon këtë edhe nëpërmjet parashikimit financiar: Në pikën 3, të nenit 14 thuhet : “Titujt akademik dhe akademik i asociuar përfitojnë një shpërblim mujor të përhershëm për titull në masën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Kur një akademik Emeritus, pra që ka përmbushur moshën 75 vjeç, sipas ligjit, kthehet automatikisht në Emeritus, nuk është më anëtar i asaj bashkësie që ligji e përcakton të përbërë vetëm nga akademikët dhe akademikët e asociuar, ose është pa të drejta dhe detyrime të plota në të, si mund të jetë kryetar i saj?
2. Kundërthëniet ligjore të një statusi institucional hibrid
Ligja për Akademinë e Shkencave përcakton një sërë privimesh në të drejta, në kompetenca dhe në detyrime për akademikët Emeritus. Si mundet që një Kryetar Akademie që ka kaluar moshën 75 vjeç, (pra sipas ligjit edhe ai është Emeritus), i privuar nga shumë detyrime dhe të drejta, të ushtrojë të drejta të shtuara si Kryetar Akademie?
Le t’i shohim me radhë! Çfarë privimesh në të drejta dhe në kompetenca ka një akademik Emeritus?
- Sipas pikës 4 të nenit 6 të ligjit: “Anëtarët e Asamblesë që mbushin moshën 75 vjeç marrin statusin e anëtarit Emeritus. Ata nuk përfshihen në llogaritjen e kufizimeve të pikës 1 të këtij neni.” Këtu shënojmë pra që ligji në fuqi konsideron se faktori moshë, pa përjashtuar askënd, merret si parametri kryesor që karakterizon në formë të përmbledhur një kufi moshor pas të cilit anëtari i Asamblesë kalon në një status tjetër. Numri i Emeritus-ave mund të jetë pa kufizim sepse ata nuk llogariten te numri i anëtarëve të Asamblesë që përcakton si të tillë pika 1 e këtij neni.
- Neni 8, pika 7 thekson se “Mospjesëmarrja e “anëtarit Emeritus” nuk cenon arritjen e kuorumit apo përcaktimin e shumicave të cilësuara. “ Shihet se ka një zbehje të rolit të anëtarit Emeritus në mënyrën e funksionimit të Akademisë së Shkencave. Kjo pikë nuk do të thotë tjetër veçse atë që si të marrin pjesë, si të mos marrin pjesë Emeritusit në mbledhje, kjo gjë nuk ka rëndësi për të plotësuar kushtet normative dhe institucionale të funksionimit të Asamblesë.
- Pika 10 e nenit 9 thekson :” Anëtarët Emeritus përjashtohen nga detyrimet e pikës 2 të ,këtij neni.” Çfarë thotë pika 2? 3Anëtarët e Asamblesë kanë të drejtë dhe detyrë... Të marrin pjesë aktive në Mbledhjet e Asamblesë, të seksioneve dhe të komisioneve.” Pra, përndryshe kjo do të thotë se ligja nuk e detyron një Emeritus që të marrë pjesë në ndonjë aktivitet të Akademisë, të seksioneve, apo të komisioneve. Ai po të dojë merr pjesë, nëse jo, është i lirë të mos marrë pjesë.
- Po pika e 10 e nenit 9, thekson : “Anëtarët Emeritus përjashtohen... edhe nga e drejta për t’u zgjedhur në organet drejtuese.” Pyetet se përse ligja i përjashton ata nga e drejta për t’u zgjedhur nisur nga një moshë prej 75 vjetësh? Është e qartë përsëri se ligja nënkupton që pas asaj moshe ulen në parim aftësitë e njeriut për të drejtuar me efikasitet një institucion si Akademia e Shkencave. Mund të mos jesh dakord me këtë. Por, ligja kështu ka zgjedhur të besojë dhe normativizojë.
Nëse amendamentet e propozuara në këtë kuadër do të hynin në fuqi, ligja për Akademinë e Shkencave do të hynte në një kundërthënie të brendshme.
Nga njëra anë asgjë nuk do ta detyronte akademikun Emeritus të merrte pjesë në veprimtaritë e Akademisë së Shkencave, nga ana tjetër Kryetari i Akademisë me statusin sipas ligjit (nëse ka mbushur moshën 75 vjeç) Emeritus është i detyruar me ligj që:
Neni 13 (Kryetari)
“Detyrat e Kryetarit janë:
a. Drejton dhe organizon punën e Akademisë...”
Nëse amendamentet e propozuara hyjnë në fuqi, ligja për Akademinë e Shkencave do të merrte një kundërthënie të brendshme: Kryetari i Akademisë do të ishte i detyruar nga ligja, sipas nenit 14 të saj, ta drejtonte punën e Akademisë, ndërsa si Emeritus ai do të ishte i lirë që nëse do të donte mund të punonte, nëse jo mund të mos shkonte fare edhe në mbledhje?
3. Si shkelet barazia e akademikëve përpara ligjit
Me mbushjen e moshës 75 vjeç, anëtarët e Asamblesë, përgjithësisht kalojnë në një status, i cili u heq disa të drejta dhe detyrime që ata kishin deri një orë përpara se të mbushnin këtë moshë.
Kujdes!
Të gjithë me përjashtim të njërit!!!
Atij që është Kryetar i Akademisë së Shkencave.
Askush nga akademikët nuk mund të ketë pas moshës 75 vjeç të drejta dhe detyra si akademik apo akademik i asociuar.
Kujdes!
Me përjashtim të njërit, i cili merr dhe ushtron edhe më shumë kompetenca sepse është ai që drejton Akademinë.
I njëjti ligj krijon pabarazi mes akademikëve Emeritus. Njëri prej tyre privilegjohet në krahasim me të gjithë të ngjashmit e tij.
Në këtë pikë do të vinim në kundërshtim me Kushtetutën e Shqipërisë, e cila në nenin e 18 të saj afirmon: “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”.
4. Përfundim
Amendamentet Koçi – Beqiraj, nuk mbajnë parasysh, nuk janë në përputhje apo edhe vijnë në kundërshtim me :
- Pikën a të nenit 2 të Rregullores të Kuvendit të Shqipërisë
- Pikën b të nenit 2 të Rregullores të Kuvendit të Shqipërisë
- Nenin 94 të ligjit për arsimin e larte dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë
- Nenin 95 të po atij ligji
- Pikën 2,3,4,5 të Kodit të Sjelljes të deputetit
- Pika të ndryshme të neneve 4,8,9,11,13,14 të ligjit për Akademinë e Shkencave
- Neni 18 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë
5. Rekomandime
Në këto kushte i ftoj deputetët iniciatorë ta tërheqin nismën e tyre duke ri-parë edhe një herë se sa integrohen me pjesën tjetër të ligjit për Akademinë e Shkencave ndryshimet që ata kërkojnë të sjellin në dy nene të tij,
i bëj thirrje komisionit t’i shqyrtojë hollësisht kundërshtitë e mia duke i ballafaquar ato me ekspertizë juridike të pavarur,
bëj me dije zonjën Flutura Açka, si Kryetare e këtij komisioni, se relacioni që shoqëron amendamentet në fjalë nuk plotëson kërkesat e procedurave ligj-bërëse, dhe si i tillë nuk mund të shqyrtohet në këtë gjendje nga ky komision,
i lutem kryetares të Kuvendit të ushtrojë kompetencën e saj dhe ta kthejë te iniciatorët këtë projektligj meqë nuk përmbush kërkesat e procesit ligj-bërës,
dhe së fundi ftoj Kuvendin e Shqipërisë të iniciojë reflektime të tjera për të përmirësuar kuadrin e kërkimit shkencor në vend.
Sigurisht, unë kam idetë e mia për të ndërtuar një bazë ligjore solide, të drejtë, koherente, në përputhje me Kushtetutën për Akademinë e Shkencave. Por, këtu nuk besoj se është fjala për të abuzuar nga koha e deputetëve dhe vendi për të dhënë konsiderata personale.
Unë mendoj se situata që krijojnë amendamentet në fjalë është e paqartë ligjërisht. Nuk kuptoj se përse ky nxitim!!! Një politikë e matur do të ishte mungesa e nxitimit. Akademitë janë institucione afatgjata, që ndryshojnë ngadalë në kohë, nuk bëhen me arnime ligjore, as me praktika ligjore urgjente. Unë propozoj që Komisionit të marrë ekspertizë, të dëgjojë dhe ballafaqojë alternativat e paraqitura me një komunitet profesoral brenda dhe jashtë Akademisë së Shkencave, ndofta edhe të sqarojë me juristë ekspertë të pavarur kuptimin e mjaft koncepteve juridike që paraqiten në ligj, ndofta të presë dhe formulimin dhe shqyrtimin e ligjit për shkencën që duket se është si draft, dhe vetëm atëherë të marrë një vendim përfundimtar për çka diskutohet.
Nuk e kuptojë këtë urgjencë ndërkohë që në vjeshtë, ndoshta deri në fund të fund të vitit është e gjithë koha për ta bërë këtë punë me pjekuri, dhe jashtë urgjencës që ndofta lidhen me ankthin e disa interesave të vogla personale.
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco