Berisha: Me inceneratorin e Tiranës, kreut të aferës Rama-Agaçi i shtohet edhe Erion Veliaj

Berisha: Me inceneratorin e Tiranës, kreut të aferës Rama-Agaçi i shtohet edhe Erion Veliaj

13:16, 14/07/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, deklaroi disa herë sot, se pronari i ndërmarrjes së djegësave është Edi Rama. Por me inceneratorin e Tiranës, kreut të kësaj afere, iu shtua edhe Erion Veliaj, tha Berisha.

“Një nga faktet se kemi të bëjmë me një ndërmarrje të vetme është se Gugallja, Mërtiri, Zoto, tani dalin në skenë në djegësin e Tiranës.

Por, në djegësin e Tiranës, kreut të aferës Rama-Agaçi, i shtohet Erion Veliaj.

Erion Veliaj, në vitin 2016, ndonëse e ka mohuar publikisht disa herë se është iniciator i djegësit të Tiranës, është e faktuar se ai është propozuesi, se ai është iniciatori, se ai ka dorëzuar të paktën katër kërkesa në Ministrinë e Financave për miratimin e projektit të djegësit të Tiranës. Një për Shkëlqim Canin dhe tre për Arben Ahmetajn. Pastaj ka shfrytëzuar drejtuesit e Ministrië së Mjedisit.

Për djegësin e Tiranës, Edi Rama ka firmosur me 7 dhjetor 2016 për t’i dhënë kompanisë 8 pikë bonus. Kjo sipërmarrje nuk ekzistonte në tokën shqiptare. Zero.

Por nën udhëheqjen e bosit të ndërmarrjes, Edi Rama, i jepet bonusi një ndërmarrje që është krijuar tetë muaj më vonë dhe një ditë përpara se qeveria ta shpallë fituese të inceneratorit të Tiranës.

Më tutje, Erion Veliaj lartësohet në bashkëpronar sepse ai ka falsifikuar, ka mashtruar, i ka dërguar Ministrisë së Financave si vendime të Këshillit Bashkiak dhe vendime të Këshillit të Qarkut, vendime për të cilat nuk ishte mbledhur as Këshilli Bashkiak dhe as Këshilli i Qarkut. Përkundrazi thuhet se asnjë bashki tjetër e qarkut përveç asaj të Tiranës, nuk ishte dakord, por kjo është punë tjetër.

Këtu, Erion Veliaj bëhet ortak në aferën me Ramën dhe Agaçin,” theksoi Berisha.

“Keni vënë re ju se si vjedh Belinda Balluku? I copëtojnë rrugët me lote. Unaza e Tiranës ka 13 vjet që nuk përfundon me lote. Përfundoi Rruga e Kombit për dy vite. Përfundoi rruga Levan-Vlorë për dy vite.

Pse e bëjnë kështu? Se kështu vjedhin me Salillarët dhe të tjerë dhe nuk futin kompanitë e huaja. Kompanitë e huaja nuk janë, se ndjekin standarde të tjera. Ndaj ndërtoheshin rrugë me 2 milionë euro për kilometër. Me respektin më të madh për ndërtuesit shqiptarë, por rrugët janë ndërtuar nga kompanitë e huaja.

Dhe unë u bëj thirrje medieve t’u thonë shqiptarëve të vërtetën për këtë sipërmarrje. Është banale të përflitet për sipërmarrje Zoto-Gugallja-Mërtiri. Kjo është sipërmarrja Rama-Veliaj-Agaçi-Gjiknuri.

Jam përpjekur të ekspozoj Ramën si kreu i organizatës. Nuk e bëj për qëllime politike, por dokumentet të detyrojnë të thuash të vërtetën. Sot ia mbathi. Ajo që tha avokati, koka e mbretit apo revolucionit, koka e mbretit iku. Nuk ishte Arben Ahmetaj koka e mbretit. Dhe po të shihni fytyrat e tyre, nuk kishte pamje të papara ndonjëherë. Do të studiohet edhe leximi i fytyrës, do të dalin aty të gjithë që janë të implikuar. Aty me firma janë me dhjetëra, me dhurata janë me dhjetëra,” shtoi Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco