Gjermania: Do ketë masa ndaj Serbisë, të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

Gjermania: Do ketë masa ndaj Serbisë, të zbatojë Marrëveshjen e Ohrit

10:02, 11/07/2023
A+ Aa A-

Qarqe qeveritare nga Gjermania sërish kanë theksuar rëndësinë e shtensionimit në Ballkan për situatën gjeopolitike në Evropë. Gjatë një takimi me gazetarë në Berlin, një zyrtar i lartë i kancelarisë gjermane i tha DW se Prishtina dhe Beogradi duhet t’i kthehen tryezës së bisedimeve.

Gjermania e rriti javën e kaluar presionin ndaj Kosovës duke anuluar përkohësisht tre projektet e para të bashkëpunimit me Kosovën, në përputhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Bashkimit Evropian për masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Siç i konfirmoi DW-së ambasada gjermane në Prishtinë dhe Ministria e Punëve të Jashtme në Berlin, bëhet fjalë për tre projekte që ende nuk kanë nisur akoma. “Janë konsultime dhe formate bashkëpunimi në fushat e bashkëpunimit të sigurisë dhe bashkëpunimit për zhvillimin”, tha ministria gjermane, por shtoi se ndëshkimet nuk prekin “projektet me sektorin e shoqërisë civile si dhe në projektet që tashmë kemi filluar t’i zbatojmë”. 

"Të gjitha projektet e prekura mund të rifillojnë në çdo kohë. Parakusht për këtë është zbatimi i masave të nevojshme për shtensionimin e situatës në komunat veriore”, shkruan Ministria e Punëve të Jashtme.

DW e pyeti ministrinë e punëve të jashtme të Gjermanisë edhe se a ka ndër mend Gjermania të marrë masa ndëshkuese ndaj Serbisë, e cila po e refuzon nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme gjermane thuhej gjithashtu se “ashtu si Kosova, ne presim që Serbia të kontribuojë në mënyrë aktive në shtensionimin e gjendjes. “Serbia duhet të angazhohet qartazi për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, për të cilën ra dakord në fillim të këtij viti dhe nuk duhet të vërë më në dyshim vlefshmërinë dhe natyrën obliguese të saj”.

“Duke pasur parasysh situatën e tensionuar – siç bëmë me Kosovën – ne po shqyrtojmë, pra, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në planin dypalësh se çfarë masash mund të ndërmerren ndaj Serbisë, për shembull duke pezulluar projektet dhe formatet e bashkëpunimit”, tha Ministria e Punëve të Jashtme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco