Rama dorëzon sot emrin e Ballës/ Prapaskenat e shkarkimit të Çuçit

Rama dorëzon sot emrin e Ballës/ Prapaskenat e shkarkimit të Çuçit

09:31, 10/07/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama pritet të shkojë në Presidencë, ku do t’i dorëzojë personalisht kreut të shtetit propozimet për ndryshimin më të fundit në qeveri. Dy ditë më parë, ishte vetë kryeministri Rama ai që njoftoi përmes rrjeteve sociale shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe zëvendësimin e tij me Taulant Ballën.

LAPSI

“Në përfundim të mandatit tim do doja që publiku të thoshte, që i mbaroi mandati Ministrit të Brendshëm, jo Ministrit të Policisë apo Rendit”. Këto ishin fjalët e Bledi Çuçit në dhjetor 2020 kur mori detyrën nga Rama pas dorëheqjes së detyruar të Sandër Lleshajt. Sot më shumë e rëndësishme është të dimë se çfarë ndodhi 48 orët që çuan në shkarkimin e kreut të Ministrisë së Brendshme sesa si e mban mend publiku Bledi Çuçin në këto dy vite e gjysmë.

Lapsi.al mëson nga burime të besueshme prapaskenat që sollën largimin e Çuçit. Publikimi i pamjeve të dhunës barbare të Rrajave në Krujë ndaj dy qytetarëve dhe hezitimi i Policisë së Shtetit për të vepruar menjëherë për shkak të mburojës politike që ata kishin, e detyruan Edi Ramën të bënte “kurban” Ministrin e Brendshëm.

Ai i ka parë pamjet e rënda teksa orvatej në vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u dukur si lider global, si udhëheqës europian që kishte marrë përsipër të ndërmjetësonte edhe kriza të mëdha, ndërkohë që në Shqipëri në fakt qeveris me një mendësi kriminale. Dhe çfarë ndodhi me Rrajat në Krujë, është fytyra e vërtetë e pushtetit të Edi Ramës brenda vendit.

I xhindosur keq nga pamjet e dhunës barbare të pushtetit të tij në Shqipëri, teksa ai vetë shpërfaqej si lider i madh në shtetet e rajonit, Rama iu kishte lënë ultimatum dy ministrave të tij, Bledi Çuçi e Ulsi Manja ta mbyllnin këtë ngjarje pa zbritur ai nga Beogradi në Rinas. Ministri i Brendshëm duhet të arrestonte Rrajat dhe Ministri i Drejtësisë të sigurohej që ata të mbesnin në burg përmes sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për vëllezërit e deputetit të PS-së, Rrahman Raja dhe djalin e këtij të fundit Rexhep Rraja.

Me tone kërcënuese, Rama kishte kërkuar kontroll banese të deputetit Rrahman Rraja nën dyshimet sipas policisë se brenda saj fshiheshin vëllezërit e tij. Por pa një autorizim nga Kuvendi kontrolli ishte ligjërisht i pamundur. Ndërkohë që po kthehej nga Beogradi, Rama kishte thirrur urgjentisht në Tiranë ministrin Çuçi, i cili nuk ndodhej në kryeqytet. Çuçi mbërriti në Tiranë vonë pas mesnate tregon burimi për Lapsi.al, por një takim mes tij dhe Ramës nuk ndodhi për arsye që nuk dihen.

Rama nuk e priti Çuçin as paraditen e së shtunës teksa ai qëndroi i ngujuar për mbi 5 orë në zyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. Shkarkimin nga detyra Çuçi e ka mësuar nga Twitteri i shefit të tij njësoj siç mësoi edhe emërimin në dhjetor 2020 teksa ishte brenda një serre me domate bashkë me Luigi Soreca-n në Lushnje.

Me siguri diçka ka parandjerë prej së premtes në drekë kur Rama kishte lëshuar ultimatumet e tij kërcënuese ndërkohë që orët po kalonin dhe Rrajat nuk po arrestoheshin. I zënë ngushtë edhe kësaj radhe nga zullumi i trashur i pushtetit të tij kriminal që mbronte banditë si Rrajat, Edi Rama sakrifikoi Bledi Çuçin, që duhet thënë se pavarësisht bilancit negativ me Policinë e Shtetit, nuk ka pasur akuza për korrupsion e afera si ministrat e tjerë të Rilindjes e as ka qenë shumë i atakuar nga opozita.

Pse e hëngri Blendi Çuçi

Siç mëson Lapsi.al, firma për shkarkimin e Ministrit të Brendshëm dhe zëvendësimit të tij me Taulant Ballën, është hedhur nga Rama mbrëmjen e së shtunës pasi ai ishte kthyer nga Vlora ndërkohë që policia dështoi edhe gjatë ditës së shtunë për të arrestuar vëllezërit dhe djalin e deputetit të dorëhequr tashmë Rrahman Rraja.

Vetë Çuçi bëri një reagim formal ku falenderoi Ramën e i uroi suksese Taulant Ballës. Pakkush priste diçka më shumë prej tij. Mister është fakti se pse Rama vendosi ta shkarkonte dhe jo t’i kërkonte që ai të jepte vetë dorëheqjen si një formë më e butë largimi. Por jo, kreut të organizatës së Rilindjes i duhej një akt më i fortë për t’ja hedhur publikut në përpjekjen mjerane për të thënë se ai nuk toleron dhe se s’ka gisht fare në këtë ngjarje.

E vërteta është që Rrajat kishin mburojën politike të Edi Ramës prej kur Rilindja erdhi në pushtet, jo thjesht në kohën kur Çuçi shërbeu si Ministër i Brendshëm. Forca e Rrajave buronte nga Rama së pari dhe më pas shpërndahej në mënyrë kapilare përmes të gjithë shërbëtorëve të tij në të gjitha nivelet e pushtetit të Rilindjes. Bledi Çuçi ndoshta nuk do të mbahet mend as si Ministër i Brendshëm e as si Ministër i Policisë apo Rendit. Thjesht një nga ministrat e radhës që u emërua në Twitter pa dijeninë e tij dhe u shkarkua po me një cicërimë pa dijeninë e tij nga kreu i organizatës së Rilindjes.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco