Lajmi i fundit

EMRI/ Vrau çiftin e të moshuarve, policia identifikon autorin e krimit…

Rama nuk bind më as Kovaçevskin

Rama nuk bind më as Kovaçevskin

16:34, 06/07/2023
A+ Aa A-

Nga Lapsi.al

Turi ballkanik që ka nisur kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka për qëllim ta zhvendosë vëmëndjen e vendeve të rajonit nga Ballkani i Hapur tek Procesi i Berlinit, me pak fjalë të zhbëjë atë që aleanca Rama-Vuçiç e propagandoi me ngulm dhe përpjekje të mëdha në 4 vitet e fundit.

Por kjo nuk është kaq e lehtë. Në vizitën e parë, që pati në Shkup me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, Ramës i ngeci sharra në gozhdë. Kovaçevski i qëndroi aleancës me Aleksandër Vuçiçin e Serbisë dhe tha se do t’i qëndrojë Ballkanit të Hapur, pavarësisht se Edi Rama tashmë e quan inisiativën të përmbushur.

“Ballkani i hapur nuk ka përfunduar. Ballkani i Hapur dha shumë rezultate të dukshme, të prekshme. Të dielën e ardhshme do kem takim me Bërnabiç për taksat. Ballkani i Hapur nuk e ka kryer misionin e vet, meqënëse ai angazhohet për të njëjtat vlera si Procesi i Berlinit” tha Kovaçevski në konferencën e përbashkët që mbajti në Shkup me Edi Ramën.

Më tej, kryeministri i Maqedonisë së Veriut përmendi shtimin e shkëmbimeve tregtare në shifra të kënaqshme me Serbinë dhe Shqipërinë gjatë viteve të fundit, duke i konsideruar këto meritat e nismës së Ballkanit të Hapur, e cila sipas tij duhet të vazhdojë.

Misioni që ka marrë për të promovuar Procesin e Berlinit, takimi i radhës i të cilit pritet të mbahet në Tetor në Tiranë, nuk i shkon për shtat Edi Ramës. Minimumi një muaj më parë, fliste ndryshe. Sot e quan Ballkanin e Hapur “shpërqëndrim”, “mision të përmbushur” apo “të përfunduar”. Kthesa e fortë që ka marrë brenda një kohe të shkurtër e pengon të shprehë pakënaqësi për qëndrimet e Kovaçevskit.

“Nëse doni që të nxjerr një lajmërim vdekje nuk e kam dhe nuk kam për ta nxjerrë. Megjithatë jeta është e bukur se secili mund të këndojë këngën e vet, aq më tepër në një situatë liri demokracie, kështu që secili prej jush të zgjedhë të këndojë këngën e vet dhe të thotë si e dëshiron.Kush ka pritur që Ballkani i Hapur të dështojë le ta këndojë fundin e tij” tha Rama.

Arsyet se përse Rama doli nga Ballkani i Hapur mbeten mister. Ngrirja e marrëdhënieve të tij me Vuçiçin erdhi pas tensioneve në veri të Kosovës, kur forcat speciale të Serbisë rrëmbyen tre policë të Kosovës. Vuçiç e priti me mosbesim daljen e Ramës nga Ballkani i Hapur.

“Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani”, tha Vuçiç kur mësoi për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë.

Lexo edhe: Kronologjia/ Pse po ia mbyllin derën Ramës në Prishtinë

Refuzimi i Kovaçevskit për të kërcyer nga korsia e Ballkanit të Hapur, tek korsia e Procesit të Berlinit me të njëjtën lehtësi që e bën Rama nuk është ogur i mirë për karrierën e “mediatorit të Ballkanit” siç kanë qejf ta përkëdhelin redaksitë pranë tij.

Ngurtësia e Kovaçevskit nuk është asgjë, krahasuar me deklaratën e djeshme të Albin Kurtit që tha se nuk do ta priste Ramën në takim, kur ai të mbërrinte në Prishtinë. Mbetet për t’u parë si do të shkojë vizita në Kosovë dhe më tej ajo në Serbi ku e pret një Vuçiç i habitur për braktisjen e shpejtë dhe aspak diplomatike të Ballkanit të hapur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco