Lajmi i fundit

LIVE/ Komisioni Hetimor për sistemin TIMS

Berisha: Po shkatërroni Fakultetin e Mjekësisë! ! Rrisni rrogat në vend që të vidhni 138 miliardë lekë në një vit

11:58, 06/07/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, kërkoi në Kuvend që të tërhiqet ligji për kushtëzimin e diplomave të studentëve të mjekësisë.

“Sot, ndërkohë që po flas, para parlamentit kanë ardhur në një protestë të ligjshme, kundër një akti absurd që revokon kohëra të shkuara, më të zezat e këtij vendi, studentët e Fakultetit të Mjekësisë.

Ju me procedurë të përshpejtuar, pa asnjë konsultim, jashtë çdo standardi të ligjbërjës, keni sjellë këtu për të kaluar gjysëm fshehtas një ligj që ndëshkon çdo student, çdo të ri që ëndërron të diplomohet mjek në këtë vend.

Me këtë ligj, në fakt ju shkatërroni edhe bastionin e fundit të këtij sistemi jetik për qytetarët shqiptarë, shkatërroni Fakultetin e Mjekësisë.

Ky ligj i marrë hua nga Kuba aktuale, bëhet gjoja në mbrojtje të shërbimit publik për qytetarët në zonat periferike. Në fakt ai ka në themel vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e shumave kolosale.

Kontrolli i Lartë i Shtetit faktoi se vetëm në një vit, keni vjedhur dhe shpërdoruar 138 miliardë lekë. Vetëm në një vit keni vjedhur dhe shpërdoruar një shumë të atillë me të cilën mund të rriteshin rrogat së paku me 170 përqind të të gjithë shqiptarëve.

Dhe ju, në vend që të përdorni stimulin, interesin e mjekut të ri, për të shërbyer në zona në të cilat ai ka mundësi të marrë një rrogë më të madhe, ka mundësi të shpërblehet për një start më të mirë ekonomik në jetën e tij, ju i tregoni kamxhikun dhe i kërkoni në mënyrën më absurde që ai të firmosë se do shërbejë 5 vite në periferi apo në Shqipëri dhe pastaj mund të largohet nga Shqipëria.

Akti i tillë është i pashembullt. Ju u tallët me këtë sistem. Në kulmin e Kovidit, një vend më i zhvilluar se ne, anëtar i BE, kur konstatoi se mjekë dhe infermierë po largoheshin me shpejtësi drejt Gjermanisë, dhe kjo është Hungaria, vendoi rrogat të njëjta me Gjermaninë.

Sigurisht, që është e kushtueshme. Sigurisht që është jo e lehtë. Por është e detyrueshme. Nëse do të mbash një sistem shëndetësor në shërbim të qytetarëve.

Kurse ju u tallët, i përdorët për para. I përdorët për të maskuar krimin tuaj të shëmtuar, me të cilin ju jeni përgjegjës për vdekjen e mbi 20 mijë shqiptarëve nga Kovidi. Ngjitjen e Shqipërisë në 3-4 vendet me vdekshmërinë më të lartë në botë. Dhe kur KLSH e çon ministren për hetime në SPAK, Edi Rama ndërhyn brutalisht dhe përfundon e akuzuar Silva Bino, në një kohë kur çdo gjë e drejtonte Manastirliu.

Pra, pasi faktuat se keni një sistem shëndetësor nga më të shpartalluarit, tani doni të shpartalloni Fakultetin e Mjekësisë.

Doni që ata që kanë ëndërr të marrin diplomën e mjekut, të bëjnë gjithçka të shkojnë në vende të tjera për t’u diplomuar dhe të mos diplomohen në Shqipëri për shkak të kamxhikut tuaj.

Ky është një akt i turpshëm. Ky është një akt armiqësor ndaj studentëve.

Në vitet e mia studenteske kishim një detyrim. Do na merrnin ushtar 3 muaj. I garantoj studentët se pas këtij detyrimi ndaj studentëve të mjekësisë, një seri detyrimesh të tjera do vendosen një e nga një.

Ndaj u bëj thirrje gjimnazistëve në radhë të parë, të ngrihen ndaj këtij regjimi që vret dhe shkërmoq ëndrrat tuaja për të marrë diplomën e profesionit më fisnik.

I bëj thirrje studentëve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen studentëve të mjekësisë se kauza e tyre është e drejtë. Se ndëshkimi që u bëhet atyre është një atavizëm e regjimit të etërve të tyre.

U bëj thirrje prindërve të mbështesin kauzën e drejtë të fëmijëve të tyre.

Kjo ndodh në Kuvend sepse keni vjedhur 138 miliardë në një vit. Dhe jeni të gatshëm të vidhni vitin tjetër 150 miliardë. Në vend që të mendoni të kundërtën, të caktoni rroga të larta, të dy ose trefishoni rrogat e mjekëve dhe t’i jepni vendit sistemin që meriton.

E keni mirë ju se nuk mjekoheni në spitalet tona. E keni mirë se nuk doni t’ia dini për përkeqësimin e treguesve shëndetësore nga viti në vit.

Dhe tani eureka, të votojmë ligjin për të ndëshkuar studentët, për të ndëshkuar të drejtën e zgjedhjes së të rinjve.

Kërkoj tërheqjen e këtij ligji si një ligj atavist, si një ligj antidemokratik, si një ligj që shkelmon të drejtat dhe liritë e studentëve shqiptarë,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco