Liderët e BE: Të mos ketë masa vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Serbisë

Liderët e BE: Të mos ketë masa vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj Serbisë

10:29, 01/07/2023
A+ Aa A-

Burime të KOHËS kanë thënë se liderë të disa vendeve anëtare të BE-së kanë theksuar gjatë samitit të Brukselit se, për situatën në veri, s’mund të paralajmërohen apo të ndërmerren masa vetëm ndaj Kosovës, e jo edhe ndaj Serbisë. Qëndrim të këtillë kanë shprehur hapur kryeministri i Kroacisë dhe ai i Sllovenisë. E në fund të samitit, janë miratuar konkluzionet, në mesin e të cilave edhe ato që kërkojnë shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri dhe që paralajmërojnë pasoja negative nëse kjo nuk do të ndodhë

Nga Augustin Palokaj, KOHA DITORE

Qasje më e balancuar ndaj Kosovës dhe Serbisë për çështjen e veriut është kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE), prej disa udhëheqësve të vendeve anëtare, në samitin e liderëve që ka përfunduar të premten në Bruksel.

Udhëheqësit e shteteve anëtare kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe kanë paralajmëruar pasoja negative nëse kjo nuk do të ndodhë.

Burime të KOHËS kanë thënë se këta liderë kanë theksuar se s’mund të paralajmërojnë apo të ndërmarrin masa vetëm ndaj Kosovës e jo edhe ndaj Serbisë.

Sipas këtyre burimeve, disa shtete kanë thënë se pajtohen se mund të fajësohet pak më shumë pala kosovare, meqë në kundërshtim me sugjerimet e të gjithë ndërkombëtarëve dërgoi në ndërtesat komunale në veri kryetarët e zgjedhur nga një proces elektoral që u bojkotua nga serbët. Por, për shumë pjesë të tjera, sipas tyre, fajin e ka pala serbe.

Një qasje të këtillë e kanë shprehur hapur edhe kryeministrat e dy vendeve të vetme të rajonit që janë anëtare të BE-së, Kroacisë dhe Sllovenisë.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka theksuar se deeskalimi nuk mund të bëhet vetëm nga njëra palë.

“Ne pamë se si, në çfarë mënyre dhe kush i sulmoi ushtarët e KFOR-it dhe pjesëtarët e EULEX-it. Stabilizim, po. Pjesëmarrje në zgjedhje, po. Bisedime me të dyja palët, po. Respektim i marrëveshjes, po. Dhe, krijimi i parakushteve për normalizimin e marrëdhënieve, po”, ka thënë kryeministri Plenkoviq. “Mesazhi është: një qasje e balancuar. Jo presion mbi njërën nga palët”.

Në këtë frymë ka folur edhe kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob.

“Asnjëherë nuk ka vetëm një fajtor, edhe pse në një moment të caktuar mund të duket kështu”, ka thënë kryeministri Golob.

Në prag të samitit, në Komisionin Evropian u paralajmërua se do të ndërmerren një numër masash kundër Kosovës, e të cilat do të komunikohen brenda javës.

Drejtori i përgjithshëm për zgjerim i Komisionit Evropian, Jan Koopman, theksoi se situata është brengosëse dhe autoritetet e Kosovës nuk u janë përgjigjur kërkesave të BE-së.

“Fatkeqësisht, Komisioni Evropian sigurisht që do të ndërmarrë një numër masash që do të komunikohen pak më vonë në këtë javë dhe ato do të përfshijnë pezullimin e punës në kuptimin e organeve të Stabilizim-Asociim dhe do të pezullojmë programin e fondeve për Kosovën, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor, e cila nuk do të procedohet në këtë moment. Mbështetja e vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimi i kontratave, po ashtu, do të pezullohen”, ka thënë ai. “Ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe po ashtu do të pezullohen”.

Koopman foli për masat, derisa së bashku me Lajçakun mori pjesë në një debat në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Ai tha se këto masa “nuk janë marrë me lehtësi” dhe se ato janë të kthyeshme në rast se merren hapat e duhur drejt shtensionimit të situatës.

E gjatë samitit që përmbylli punimet të premten, liderët e vendeve anëtare të bllokut kërkuan shtensionim të menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe paralajmëruan pasoja negative nëse nuk bëhet një gjë e tillë.

Thirrjen e bënë nëpërmjet konkluzioneve që i miratuan në fund të samitit dyditor.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit të dhunshme në veri të Kosovës dhe bën thirrje për një shtensionim të menjëhershëm të situatës, bazuar në elementet kyçe që Bashkimi Evropian i ka theksuar tashmë më 3 qershor 2023. Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat e veriut të Kosovës. Dështimi i shtensionimit të tensioneve do të ketë pasoja negative”, është përmbajtja e paragrafit të konkluzioneve të miratuara, e që i kushtohet situatës së krijuar në veri dhe tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në to përfshihet edhe kërkesa për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Edhe pse konkluzionet u përgatitën me kohë dhe nuk u kontestua përmbajtja e tyre, miratimi ishte i pasigurt deri në momentin e fundit, sepse ishte një paketë konkluzionesh me të gjitha temat që ishin në rend dite gjatë dy ditëve sa u zhvillua samiti.

Në këtë samit, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell, ua prezantoi liderëve të vendeve anëtare një raport mbi situatën në veri dhe tensionet mes Kosovës e Serbisë. Para takimit, ai shkroi në Twitter, se do të flasë, mes tjerash, edhe për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, banorët lokalë protestojnë qysh në fund të majit kundër kryetarëve shqiptarë të komunave. Tensionet kanë kulmuar edhe në përleshje të dhunshme midis protestuesve serbë dhe ushtarëve të misionit të NATO-s, KFOR. Ka pasur, po ashtu, raporte për sulme me granata dore dhe mjete të tjera. Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën për situatën e krijuar.

E në konkluzionet e samitit është bërë thirrje për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin-Potok dhe Leposaviq.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco