Gjokutaj: Bashkëshorti i Felajt ka bërë arrestimet më të bujshme, kur është dashur të hiqej vëmendja nga skandalet e Qeverisë!

19:24, 30/06/2023
A+ Aa A-

Gjokutaj: "Në kohën kur parlamenti u braktis nga ana e opozitës...me një nivel shumë të ulët, janë bërë shumë ligje të cilave sot po iu del tymi."

“Është shumë shqetësues fakti që në KLP, një organ kolegjial, kanë ngritur duart të gjithë për të hequr një ndalim ligjor, të cilin ata e dinë dhe e kanë zbatuar gjithë jetën e tyre.”

“Bashkëshorti i znj. Felaj është nga prokurorët që ka bërë arrestimet më të bujshme në prokurorinë e Tiranës, arrestime kolektive dhe në momente kyçe që është dashur të tërhiqet vëmendja e opinionit publik nga një skandal i radhës i qeverisë.”

"Ja pra se çfarë impakti sjell afrimi i pushtetit politik, futja e duarve të pushtetit politik në organet e gjyqësorit"

Intervistë me avokat Genc Gjokutaj në SYRI TV, nga gazetari Bledi Marku, lidhur me skandalin e radhës të kapjes së drejtësisë me ligj nga PS-ja, uzurpimit të prokurorisë së Tiranës nga familja e Zv.Kryetares së Kuvendit, Ermonela Felajt: bashkëshorti i saj, vëllai me gruan e tij dhe së fundi, edhe motra e saj si prokurore.  

Marku: Z. Gjokutaj, me sa po shohim, prokuroria e Tiranë po bëhet çiflig i një familjeje.

Genc Gjokutaj: Faktikisht, prokuroria e Tiranës është prokuroria më e rëndësishme në Republikën e Shqipërisë, sepse është prokuroria e kryeqytetit, ku ndodhet bashkia më e madhe, ndodhet qeveria, ndodhet parlamenti. Është prokuroria që dikton politikën penale, të veprave të ndryshme penale nga zyrtarë deri tek njerëzit më të thjeshtë.

E thënë me fjalë të tjera, kjo temë që ju po trajtoni sot është një temë që nuk ka qenë diskutuar ndonjëherë. Pse e them këtë?! Sigurisht që ka qenë një lloj zakoni, jo një ndalim ligjor, që personat e lidhur me krushqi, familje, të mos punonin brenda të njëjtit institucion dhe kemi shembuj plot kur me emërimin e një zyrtari, p.sh. rasti i një prokurori rrethi në Tiranë, kunata e tij për 24 orë u transferua në Durrës.

Pra, në zbatim të ligjit dhe të integritetit moral - sepse nuk mundet p.sh, prokurori i rrethit të caktojë dosje dhe të gjykojë mbi akte që merr kunata apo kunati apo nusja e vëllait etj. etj.

Kjo, siç e referuat dhe ju, është bërë pikërisht në kohën kur parlamenti u braktis nga ana e opozitës, djegia e mandateve më saktë. Unë kam dhe një pikëpamje tjetër, që të gjitha vendimet e atij parlamenti, i cili nuk kishte 142 deputetë, por 120 deputetë, si pasojë e cenimit të këtij standardi kushtetues, të gjitha këto vendime janë nul.

Megjithatë sot askush sot nuk i hyn dhe pikërisht në atë periudhë janë bërë me një rendiment shumë të lartë, por me një nivel shumë të ulët, janë bërë shumë ligje të cilave sot iu del tymi siç është edhe rasti i ndryshimit të këtij ligji, i cili është bërë me qëllim dhe me objektiv të qartë, që këta persona, këta që dimë, por po të shikoni, keni dhe të tjerë atje brenda në prokurorinë e Tiranës, që janë të lidhur ngushtësisht me pushtetin politik të mazhorancës, por po marrim këtë që është hapur anëtarë të një familjeje.

Ligji zgjedhor e quan shkelje votimin familjar, që në fakt votimi familjar është shumë herë më lart nga pikëpamja e objektivitetit dhe e vendimarrjes së prokurorëve të një familjeje. Votimi familjar në të gjitha raportet e OSBE/ODIHR përshkruhet si një shkelje në zgjedhje etj. etj. Po kjo që kanë bërë këta me ligj, që kanë hequr një ndalim ligjor që ka qenë mot e jetë?!

Po ta shikoni, në KLP i vetmi zë që e ka ngritur këtë problem është Sokol Stojani i cili, edhe ai po ta ndjekësh, është “Too Much”, që do të thotë se e vë këtë shkelje në dukje, por e relativizon me shprehjen “Too Much”. Kjo nuk është “Too Much”, kjo është “E Ndaluar” për t’u bërë!

Dhe ajo që tërheq vëmendjen dhe është shumë shqetësuese në këtë fakt është fakti që KLP është organ kolegjial; llogariteni, aty kanë ngritur duart të gjithë për të hequr një pengesë. një ndalim ligjor, të cilin ata e dinë dhe e kanë zbatuar gjithë jetën e tyre.

Pra kjo është një ndërhyrje e fuqishme politike në një organ kolegjial dhe nuk e them kot “kolegjial, sepse organi kolegjial është i mbrojtur në të gjithë vendimmarrjet e tij dhe është i caktuar me ligj pikërisht për të vënë ndalesa të ligjit në funksion të objektivitetit të hetimit, të efiçenës së hetimit dhe jo te heqë paragrafë të cilët lejojnë kot lloj thagmash që po ndodhin tani.

Marku: Po thoni që edhe në KLP ka ndikim të fortë të politikës?

Genc Gjokutaj: Absolutisht! Po patjetër, pse, ç’kujton?! Ky ligj që është bërë, e sigurt që ka marrë edhe konsultimin e KLP. Ndryshe, KLP, kur t’i shkonte ky ligj, duhej të ndërmerrte hapat ligjorë për të kërkuar ndryshimin e ligjit, si një ligj që i hap rrugën nepotizmit, i hap rrugën emërimeve familjareve, që të gjitha këto në analizë të fundit shkojnë në favor të arbitraritetit, shkojnë në cenim të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe sigurisht janë segmente të fuqishme brenda organit të akuzës në shërbim të mazhorancës.

Mos harroni se bashkëshorti i znj. Felaj është nga prokurorët që ka bërë arrestimet më të bujshme në prokurorinë e Tiranës, arrestime kolektive dhe në momente kyçe që është dashur të tërhiqet vëmendja e opinionit publik nga një skandal i radhës i qeverisë.

Hyni i shikoni këto dhe i keni të gjitha të evidentuara. Ja pra se çfarë impakti sjell afrimi i pushtetit politik, futja e duarve të pushtetit politik në organet e gjyqësorit, pasi edhe prokuroria (pavarësisht se mbron akuzën, është organ i sistemit të drejtësisë dhe akuza është një nga institucionet më të rëndësishme mendoj unë, e cila e fillon procesin me një fije letër dhe e përfundon me volume të tëra, që ia servir pastaj gjykatësit me prova, pra është një punë shumë profesionale, shumë voluminoze, është një punë që kërkon përkushtim, profesionalizëm, por sigurisht kërkon dhe mosndërhyrje në punët e saj.

Prandaj siç po e shikojmë dhe po e dimë, prokuroria e Tiranës, por edhe SPAK që është njësi e posaçme, ka hyrë në një seleksion të çështjeve, merret me çështje pa asnjë vlerë, ndërkohë që çështje që fliten për miliona e miliona fonde publike, i zvarrit, nuk godet personat real përgjegjës./ar.sh/SYRI.NET

Ndiqni intervistën e plotë në video:

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco