Sejamini: Inceneratorët afera më e madhe financiare në historinë e Shqipërisë

Sejamini: Inceneratorët afera më e madhe financiare në historinë e Shqipërisë

21:51, 22/06/2023
A+ Aa A-

Neritan Sejamini ka folur për aferën e inceneratorëve, duke e konsideruar si abuzimin më të madh financiar në historinë e Shqipërisë. 

I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, analisti deklaroi se dosja e inceneratorëve nuk po hetohet në thelbin e saj, por po fragmentarizohet për t'u mbyllur me akuza të vogla, pa e zbardhur aferën. 

Sejamini shtoi se do të jetë një fatkeqësi nëse Arben Ahmetaj hetohet vetëm për qëndrimin në hotele me paratë e Klodian Zotos dhe jo për rolin e tij të mundshëm në aferën e inceneratorëve. 

Kujtojmë se ish zv. kryeministri është thirrur ditën e sotme në SPAK për t'u pyetur nga prokurorët për një sërë çështjesh, mes tyre edhe për inceneratorët. 

Pjesë nga biseda në studio: 

Neritan Sejamini: Kur kemi folur për inceneratorët, kemi folur që një grua çon një copë letër dhe brenda tre vjetësh ka monopolin e gjithë plehrave të Shqipërisë, pa ndërtuar inceneratorë. Megjithëse janë në hetim, inceneratori i Tiranës edhe pse i pandërtuar vazhdon merr para. Unë nuk e di, si po shpjegohen këto fakte. Po hetohet se si ka mundësi, që ky person nga hiçi ka marrë me urgjencë me bashkëpunimin e të gjithë insitucioneve këto kontrata? Si ka mundësi që vazhdon dhe merr para?
Fatkeqësia do të ishte që zoti Ahmetaj të hetohet për hotelet. Nëse flasim për inceneratorët, prokurorët duhet të shpjegojnë si u morën vendimet brenda 2-3 ditësh për ti dhënë inceneratorët kësaj? Interesi i publikut nuk është thjesht të dënohet Ahmetaj apo Dako, por të zbardhet korrupsioni. A po ndihmohet zbardhja e kësaj skeme? Nuk besoj.

Eugen Beci: Hetimi bëhet për të vërtetuar faktin penale, se ku është shkelur ligji dhe më pas ti  vëmë emrin se kush e ka shkelur. Deri sot që ne flasim, jo vetëm që nuk është qartësuar fakti penal apo çfarë ka ndodhur me inceneratorët, por gjykata kërkon saktësimin e faktit penal. Në hetim duhet të nxirrej a janë të sakta kontratat, si janë bërë mbledhjet dhe VKM-të, pastaj kur të përcaktohen shkeljet u vihet emri se kush e ka bërë.

Neritan Sejamini: Zbardhet skema, përveçse bëhet drejtësi, administrate kupton se ku gaboi. Kam frikë se prokuroria dhe qeveria po e fragmentojnë këtë çështje, me akuza të lehta, për t’i ikur thelbit. Bëhet fjalë për një nga abuzimet më të mëdha financiare në historinë e Shqipërisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco