‘Regjimi dha 200 mln dollarë për të shtypur protestat’/ Ja çfarë publikuan hakerat e lidhur me MEK

‘Regjimi dha 200 mln dollarë për të shtypur protestat’/ Ja çfarë publikuan hakerat e lidhur me MEK

19:47, 21/06/2023
A+ Aa A-

Mediat publikuan sot detaje nga hetimet e nisura nga SPAK për kampin e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri.

Sipas tyre, këto hetime kanë nisur nga shqetësimet e ngritura nga Irani se ndaj këtij vendi po kryhen sulme kibernetike nga grupimi i Muxhahedinëve të Popullit të Iranit.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, policia shqiptare i nisi hetimet ndaj MEK duke u bazuar në raportimet e Anadolu Ajansi – agjencisë shtetërore turke të lajmeve si dhe Iran International – një stacion televiziv në gjuhën perse me bazë në Uashington, ku zyrtarë të Iranit pretendonin për sulme të reja kibernetike të ndodhura më 7 dhe 8 maj, të lidhura me grupin opozitar iranian të strehuar në Shqipëri.

Sipas këtyre raportimeve, një grup hakerash të vetëquajtur “Kryengritja deri në përmbysje” kishin publikuar në Telegram një numër të madh dokumentesh, kartash identiteti, procesverbale takimesh si dhe numra telefoni të zyrtarëve iranianë.

Ndërkohë, radio Evropa e Lirë, para pak minutash raportoi se ky grupim hakerash, i quajtur “Kryengritja deri në përmbysje”, ka publikuar dokumente qeveritare iraniane, që sugjerojnë se presidenti i vendit, Ebrahim Raisi, miratoi përdorimin e të paktën 100 trilion rialëve (200 milionë dollarë) për të shtypur protestat që shpërthyen në vend pas vdekjes së Mahsa Aminit në shtator. Amini ishte ndaluar nga policia për shkak se nuk mbante shami.

Korrespondenca shumë konfidenciale e publikuar nga hakerat është shkëmbyer mes Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Zyrave Qendrore të Tarallahut dhe zyrës së Raisit. Zyra Qendrore e Tarallahut, që vepron nën komandën e Gardës Revolucionare Islamike, ka për detyrë shtypjen e protestave.

‘Evropa e Lirë’ thotë se nuk ka mundur të verifikojë autenticitetin e dokumentave, që janë shënuar si ‘shumë konfidenciale’.

Në dokument thuhet se Mohammad Bagheri, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura kërkon 100 trilion rialë për t’i dhënë fund situatës. Zyra e presidentit e miraton këtë kërkesë.

Kjo situatë përkon me raportime e medieve shtetërore iraniane për një rritje prej 20 përqind të pagave të ushtrisë dhe forcave të rendit. Prej shtatorit të kaluar, mijëra iranianë kanë dalë në rrugë për të kërkuar më shumë liri dhe të drejta. Këto protesta ishin kërcënimi më i madh ndaj qeverisë islamike që prej revolucionit të vitit 1979.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco