Pakti mashtrues për universitetin pas 5 vitesh: As buxhet, as Kartë me vlerë, as tituj, as bibliotekë dixhitale

Pakti mashtrues për universitetin pas 5 vitesh: As buxhet, as Kartë me vlerë, as tituj, as bibliotekë dixhitale

17:50, 20/06/2023
A+ Aa A-

Me përfundimin e një viti tjetër universitar, fillon të vlerësosh atë që ndodhi 5 vjet më parë, kur studentët filluan të kërkonin të drejta dhe shërbime më të zgjeruara mbi jetën e tyre akademike dhe atë që është arritur çfarë është dështuar të materializohet pas gati gjysëm dekade, shkruan Albanian Center for Quality Journalism në investigimin më të fundit.

“Sekreti i Lirisë, qëndron në edukimin e individit, sekreti i Tiranisë është t'i mbajë ata injoratë”, “404, error, monye not found”, “Kafshatë që s’kapërdihet asht o vlla tarifa”, këto jane vetëm disa nga parrullat e protestave masive të studentëve në vitin 2018, të cilat për javë të tëra paralizuan auditoret në gjithë Shqipërinë.

Një listë me kërkesa nga studentët ju drejtua qeverisë, duke e bërë të qartë nevojën e pashmangshme që kishin Universitetet në vend për tu reformuar. Rritje e buxhetit të arsimit në masën 5 % PBB, transparencë me buxhetin nga MASR dhe Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL-të), publikimi i të gjitha shpenzimeve online, pajisja e të gjithë studentëve me Kartën e Studentit brenda vitit akademik 2018 – 2019, kontrolli i titujve akademik të profesorëve për plagjaturë, si dhe rritja e peshës së vendimarrjes në universitete të studentëve, ishin disa nga kërkesat.

ImageProtesta e studentëve përballe Ministrisë së Arsimit
 
Përballë presionit të shtuar, qeveria doli me “Paktin për Universitetin”, nëpërmjet të cilit pretendohej që t’ju jepen përgjigjigje kërkesave të studentëve.  Por, 5 vite pas këtyre protestave, çfarë është realizuar nga pakti?

Buxheti për arsimin vetëm 3.3%, transparenca vijon të mbetet në letër

Një nga kërkesat  kryesorëve të studentëve, ishte rritja e buxhetit për arsmin në masën 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por edhe 5 vite më pas, vendi ynë është larg plotësimit të kësaj kërkese. Aktualisht buxheti për arsimin në Shqipëri është vetëm 3.3% e PBB.

Gevio Tabaku, nga Qëndresa Qytetare, OJF që në fokusin e saj ka problematikat me arsimin në vend, thotë se buxheti 5% e PBB për arsimin do të ishte super investim, por dhe një ngritje e cilësisë, por situata vijon të jetë e njëjtë çdo vit, premtohet shumë dhe vijohet njësoj.  “Nuk ka ndonjë ndryshim të madh dhe esencial buxheti i arsimi i këtij viti, i vitit të kaluar apo para tre viteve”, thotë ai.

“Buxheti i këtij viti i miratuar diku te 3 % dhe mua më vjen cudi sepse nuk është për të bërë krahasime qeveritare por unë kam punuar në ministri të arsimit dhe kur u larguam buxheti ishte 4.1 % faktiku, jo i premtuar”, thotë eksperti i arsimit të lartë, Ndriçim Mehmeti i cili shton se jemi në një zgrip, pasi ai 5% edhe sikur të bëhet duhet të mos abuzohet me të. Ndërkohë zoti Mehmeti thekson edhe nevojën për të patur njerëz vizionarë. “Ne nuk kemi, duhen njerëz me pasion qe ne nuk kemi dhe ta kesh vizion qe ne nuk e kemi”, thotë ai duke sjellë në vemendje edhe shifrat që përvit vinë në ulje të maturantëve si dhe studentëve, e duke thënë se Shqipëria në vend që të bëj “brain gain” po bën “brain drain”, pasi një pjesë e konsiderueshme zgjedhin të largohen jashtë vendit.

Një problem që nuk po gjen zgjidhje është edhe transparenca mbi shpenzimet e fondeve në buxhetin e arsimit.

“Do doja të dija se si është menaxhuar sistemi i lartë arsimor dhe se si janë shpërndarë fondt në mënyrë të tillë që të shikohet se ku është nevoja më tepër”, thotë në një intervistë për ACQJ Irsa Ruci, eksperte për arsimin e lartë, e cila shton se: “Ky buxhet duhet detajuar, pra zërat e buxhetit aktual se si janë përdorur, ku kanë shkuar ato para, si jane menaxhuar fondet, si janë shpërndarë, pra me zëra konkret”, këmbëngul ajo.

Por platforma “ u-transparenca.al” e cila u krijua në fillimi të muajit prill 2019 për të bërë trasparente CV e pedagogëve, të dhënat mbi bordin administrues të emëruar nga MARS dhe të dhëna mbi buxhetin dhe shpenzimet universitare, nuk e ka kryer funksion e saj.

“E vërteta është se ky portal sot nuk ka asnjë lloj informacioni për shpenzimet. Vetëm universiteti i sporteve e ka bërë transparent buxhetin e tyre, te tjerët janë në të zezë”, thotë Gevio Tabaku, i cili pjesë të punës së tij të përditshme ka edhe monitorimin e kësaj platforme duke shtuar se nëse bazohesh në monitorimet e platformës, nuk dihet si janë shpezuar paratë e universiteteve.

Për eksperten Ruci, platforma u-transparenca.al, ishte diçka pozitive dhe dhe e nevojshme për të menaxhuar të gjithë situatën. “ Nuk po flas për transparencën që do të mbetet jetim, po flas për atë transparencën që duhet të ishte. Ka një person konkret që duhet ta bëjë atë transparencën ku ka shkuar dhe % kanë shkuar për çdo politikë qeveritare”, thotë zonja Ruci duke shtuar se vetëm duke bërë një transparencë të tillë, do të arrihet të kuptohet se çfarë ka shkuar keq për shkak të buxhetit dhe çfarë ka shkuar keq për shkak të qeverisë.

Nga ana tjetër, zoti Mehmeti i pyetur për këtë çështje shprehet se studentët shqiptarë janë të shkëlqyer, por ne nuk dimë ti trajtojmë. “Ne i kërkojmë atyre çdo gjë, por nuk tregohemi transparentë ndaj tyre. Këto janë të vertetat!”, përfundon ai.

Karta e Studentit, premtimi që bëhet sikur është mbajtuar

“Karta e Studentit”, është një nga kërkesat themelore të studentëve, e cila nëpërmjet shërbimeve që ofron, e lehtëson ndjeshëm jetën studentore. Aktualisht në Shqipëri nuk ka një kartë studenti kombëtare, e vetmja që ofrohet është ajo nga Bashkia Tiranë. Karta e studentit u premtua fillimisht në vitin 2016 dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj premtoi se brenda vitit, të gjithë studentët do të pajiseshin me këtë kartë. Ky premtim u bë realitet në 2019 dhe vetëm për studentët në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare nga Bashkia Tiranë, 70% e studentëve janë të pajisur me këtë kartë.

Ritvana Hajdari, studente e vitit të parë në degën e psikologjisë, shprehet se e ka marrë këtë kartë dhe e përdor vetëm për të marrë abonenë e studentit. “Me sa kam parë nga shërbimet që ofron karta e studentit kemi ulje në markete apo vende të tjera,  por mendoj se qeveria duhet ta përdorë për ulje librash nëpër librari, sepse është më e arsyeshme dhe e nevojshme për ne studentët”, thotë ajo. Për më tepër, në 2016  kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj premtoi se kjo kartë do të shërbente si abone për studentët dhe do të ishte një nga format e biletimit elektronik. Nevoja e studentëve për të përdorur transportin publik falas, u bë e mundur në nëntor të 2022, por dhe për këtë studentët duhet të marrin abone dhe jo të përdorin kartën e studentit. Abonetë falas për studentët do të vazhdojnë deri në Qershor të 2023 dhe më pas ngelet për tu parë. Nga ana tjetër studenti nuk përfiton uljen në mensa, në një kohë që shpenzimet për ushqim, janë një ndër zërat kryesor që rëndojnë buxhetin mujor të tyre.

Edhe pse e kanë patur detyrë, që të krijonin dhe të shpërndanin kartën e studentit, zyrtarisht të pyetur nga ACQJ, Universiteti i Shkodrës, Durrësit dhe Korçës thotë se asnjë prej studentët e tyre nuk janë të pajisur me kartën e studentit. Institucionet përgjegjëse, të cilat dështuan në vendosjen e kartës në duart e mijërave studentëve shqipëtar në përfundim të vitit 2019, listës së dështimit i shtuan edhe premtimin e bërjes pjesë në Projektin e Kartës Europiane.

E kur në vend e vetmja kartë studenti funksionale që ekziston është ajo e lëshuar nga Bashkia Tiranë, Gevio Tabaku e cilëson të magnët dhe diskriminuese këtë kartë. “Karta duhej të jepej nga vet universitetit, ai i Tiranës, Politekniku, i Shkodrës, Durrësit, i Elbasanit duhet të kishin kartën e tyre. Përveç kësaj, funksionaliteti i kartës kur e krahason me kartat e studentëve në vendet e tjera, ajo përdoret dhe si kartë debiti, bankare, për ulje në mensa etj”, thotë ai.  

Nga ana tjetër, për ekspertin e arsimit, zotin Mehmeti situtata me këtë kartë është qesharake. Ai shprehet se kjo kartë nuk ka asnjë ngjashmëri me vendet e BE-së dhe se karta e studentit është pronë e Universitetit dhe jo e bashkisë.

“Pse a janë studentët keq për Valentiono dhe Pierre Cardin, studentët janë keq për libra për literaturë shtesë, laboratorë”, thotë ai.

Kampusi Universitar, ende asgjë konkrete

19 qershor të 2019, kryeministri Rama dhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,  deklaruan se do të fillonin punimet për ndërtimin e Kampusit Universitar. Në fund të 2021 bashkia e kryeqytetit hapi tenderin për ndërtimin e Kampusit Universitart të Tiranës po ashtu dhe Universitetit të Arteve dhe Akademisë së Policisë.  Në 2023, e pyetur zyrtarish për këtë çështje bashkia tiranë shprehet se ky insititucion është duke realizuar hartimin e detyrave të projektimit për ndërtimin e objekteve përbërës të Kampusit Universitar të Universitetit të Tiranës. Ndërkohë në lidhje me kostot e këtij projekti, bashkia Tiranë thotë se : “Kostot, kohën e implementimit apo vënien në dispozicion të projektit të zbatimit, ju informojmë që projektet e zbatimit të kampusit universitar nuk kanë filluar ende të hartohen”. 

 Ndriçim Mehmeti shprehet se kampusi është i një rëndësie të madhe për jetën studentore. “Jemi i vetmi vend në që nuk kemi jetë studentore, nuk ndricohet vendi nga jeta studentore. Kampusi siguron mundësi për të studiuar, siguron qetësi sociale, socializim, ka bibloteka ku ulesh mëson, jeta është me e sigurtë sepse nuk do të kemi as studentë që do të bëhen pre e dhunës, alkoolit etj”,  thotë ai. Zoti Mehmeti, shprehet pesimist kur pyetet se kur mund të ndërtohet ky kampus, duke thënë se ai ka frikë, se kur të ndërtohet kampusi do shkojmë të bëjmë shëtitje se studentë nuk do të ketë. Edhe për eksperten Ruci, nevoja që universitetet kanë për kampuse të tyre është ulëritëse. “Pedagogu ruan auditoret që mos ti zënë sallat, që të mund të bëjë apo jo mësim. është fatkeqësi që disktohen këto në vendin tonë, është fatkeqësi”, thotë ajo.

Vlerësimi i performacës në mësimëdhënie dhe titujt shkencorë

Një ndër kërkesat kryesore të studentëve ishte edhe vlerësimi i performancës në mësim- dhënie i stafit pedagogjik. Aktualisht nuk ka një metodologji të unifikuar në të gjitha universitetet në vend, por universitete të ndryshme përdorin metoda të ndryshme. Universiteti i Tiranës, i pyetur zyrtarisht shprehet se e kryen me anë të raporteve të vetëvlerësimit. E njëjta metodologji përdoret edhe nga Universiteti i Shkodrës. Ndërkohë universiteti i Durrësit, thotë se vlerësimin e cilësisë në mësimëdhënie e siguron nëpërmejt pyetësorit të studentit i cili vlerëson performancën e stafit akademik të angazhuar në mësimdhënie, duke vlerësuar duke vlerësuar karakteristika që lidhen me aftësitë komunikuese dhe profesionale të pedagogut, etikën, metodat inovative të përdorura, korrektesën, vlerësimet e dijeve të studentit etj.

“Ky pyetësor zhvillohet në fund të çdo semestri, zakonisht javën e 13 dhe të 14. Vlerësimi i cilësisë së mësimdhënies kryhet për të gjithë pedagogët me kohë të plotë dhe kohë të pjesshme”, thotë në një përgjigje zyrtare UDAM duke shtuar se vlerësimet i vihen në dispozicion individualisht të gjithë anëtarëve të stafit akademik të vlerësuar, përgjegjësve të departamentit, si dhe dekanëve përkatës nga DKSC në Rektorat.

Problematikë që mori zë gjatë protestave të studentëve ishin edhe titujt akademikë të stafeve pedagogjike, ku sipas studentëve kishte një shtrirje të gjerë të plagjaturës në punimet shkencore. Edhe pse u pyet drejtëpërdrejtë Universititeti i Tiranës në lidhje me procesin e verifikimit të titujve akademik,nuk jep një përgjigje nëse e ka nisur, është në proces, apo e ka përfunduar verifikimin e titujve shkencorë. Universiteti më i madh në vend, shprehet se “UT mbron pronësinë intelektuale dhe dënon plagjiaturën duke rekomanduar softuerë si Unicheck, Turnitin, Oxisico dhe plagiarism check, në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Nga ana tjetër, Universiteti i Shkodrës nuk e ka nisur fare procesin e verifikimit të titujve akademik për plagjaturë, ndërsa ai i Korçës, nuk ka preferuar të japi përgjigje duke e shmangur pyetjen dhe duke u shprehur se “këto informcione duhet të merren nga zyra e burimeve njerëzore ku janë marrë këto tituj”. 

Universiteti “Aleksandër Moisiu”, thotë se verifikimet për plagjaturë për stafin akademik janë kryer. “Gjithashtu janë verifikuar edhe kontrollit antiplagjiaturë të atyre punimeve për gradat shkencore të dhëna ndër vite nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës”. Por në asnjë moment, ky institucion nuk vendos shifra në dispozicion.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama më 1 prill të 2019 u shpreh se: “Nuk do ketë harresë dhe nuk do ketë bllokim të procesit të titujve akademikë.” Më tej, i pyetur nga pedagogë se si do të bëhet rivlerësimi i titujve akademikë në aspektin ligjor, kryeministri u zotua se  “çdo gjë që ju besoni dhe mendoni që duhet ta bëjë qeveria për t’jua lehtësuar këtë proces, ne jemi gati ta bëjmë me procedurë të përshpejtuar si na vjen propozimi, direkt”, duke lënë kështu të kuptohet se sipas tij, ka një mungesë vullneti nga univeristetet dhe pedagogët për ti shkuar në fund këtij procesi.

Ish- zëvendës Ministri për Arsimin, Taulant Muka, thotë se asgjë nuk është bërë në këtë drejtim dhe jemi shumë larg marrjes së masave për parandalimin e plagjaturës. “Ndërkohë që u ndërmor një nismë për të vendosur një sistem anti-plagjiaturë në universitete, jo vetëm që universitetet shqiptare nuk e përdoren sistemin duke shpërdoruar para, por më vonë i anulluan kontratat me qëllim evitimin e kontrollit të kopjes”, thotë ai duke theksuar se kjo tregon që shkenca dhe orgjinaliteti në vendin tonë nuk vlerësohen nga Universitetet, kur këto dy elementë duhet të jenë themeli mbi të cilën ndërtohen universitetet. Zoti Muka shton se nuk mund të edukosh një brez dhe të ndërtosh profesionistë të mirëpërgatitur me një elitë akademike të ndërtuar mbi kopje dhe vjedhjen e titujve akademikë.

Ish-  zëvendës ministri i arsimit, thotë se kjo situatë kërkon një analizë të thelluar nga Ministria e Arsimit. “Në mungesë të këtij studimi është e vështirë të japësh një mendim të bazuar në fakte”, shprehet ai, ndërkohë sugjeron edhe disa faktorë të cilët ndikojnë për nivelet e larta të pagjiaturës në sistemin arsimor të Shqipërisë. Për Mukën nëse stafet akademike jane të ndërtuara mbi shkelje të ligjit dhe kopje, sigurisht që ky fenomen pritet të rritet edhe më tej.

“Mjafton të shikosh dhe akademinë e shkencave. Kryetari i akademisë së shkencave nuk ka asnjë publikim shkencor, dhe pyetja që lind natyrshëm: si mundet ai të drejtojë akademinë e shkencave? Së dyti, është mungesa e investimeve në arsim dhe shkencë. Shteti ynë ende renditet në vendet me investimet më të ulëta në arsim”,përfundon ai.

Biblioteka digjitale 

Një ndër premtimet e shumë përfolura dhe ku kryeministri i vendit Edi Rama, mori një angazhim personal ishte dhe biblioteka digjitale. Në deklaratë për mediat dhe bashkëbisedim me pedagogë ai shprehet se: “ Është e pakuptueshme dhe e patolerueshme që biblioteka digjitale sot të mund të vihet në funksion nga një pjesë e konsiderueshme e rrjetit të universiteteve dhe të mos vihet dot në dispozicion nga Universiteti i Tiranës ende, sepse Universiteti i Tiranës është i papërgatitur nga pikëpamja teknologjike…duhet të merret Ministria e Arsimit, duhet të merret agjencia përkatëse që të lehtësojnë aksesin e studentëve të Universitetit të Tiranës në bibliotekën digjitale, për shkak se s’ka asnjë shprehje vullneti minimal nga ana e rektoratit dhe personalisht e rektorit të Universitetit të Tiranës. Është e papranueshme.”

Rektorit i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha, ju kërkua një intervistë nga ACQJ mbi zbatimin e paktit për universitetin por kërkesa u refuzua. Shumë studentë nga ana tjetër shprehen se nuk e kanë përdorur kurrë këtë bibliotekë dhe as pedagogët e tyre nuk i kanë drejtuar drejt këtij opsioni.

E pyetur nga ACQJ, nëse ka një bilanc për Paktin për Universitetit, tashmë që po kanë kaluar më shumë se 4 vite, Ministria e Arsimit thotë se “Nuk ka një bilancë të mirfilltë”. Euejda Buzhiqi, studentë në vitin e dytë në Universitetin Politeknik të Tiranës thotë se ndihet e tradhëtuar dhe e harruar nga qeveria.

“Kush do të përgjigjet për premtimet e dhëna, me çfarë do të na bindin për të qëndruar në një vend ku përveç mjerimit duket se nuk ka të ardhme”, thotë ajo.

Tashmë kur kanë kaluar pothuajse 5 vite nga pakti për universitetin, duket se boja e premtimeve të qeverisë është tharë prej kohës. Në një situate të pakuptimtë, ku shumë nuk pranojnë të flasin për atë që kanë patur për detyrë të bëjnë, shumë pikëpyetje për mira students mbesin pa përgjigje./ Laboratori i Gazetarisë Investigative

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco