Si e ‘shpëtoi’ KPK kreun e KLP-së nga vetingu

Si e ‘shpëtoi’ KPK kreun e KLP-së nga vetingu

11:07, 20/06/2023
A+ Aa A-

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokuorisë, Alfred Balla ishte subjekt i rivlerësimit kur filloi vetingu, por shumica e një trupe të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit vendosi se procesi ndaj tij duhej mbyllur pa vendim përfundimtar.

BIRN

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla ishte sipas legjislacionit në fuqi subjekt i vetingut për shkak të punës së tij si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri në 31 korrik 2017 dhe duhej t'i nënshtrohej procesit të rivlerësimit.

Por pasi një sërë veprimesh, përfshi tërheqja nga një padi që Balla kishte bërë në Gjykatën Administrative, shumica e trupës gjykuese të KPK-së, përbërë nga Alma Faskaj dhe Xhensila Pine vlerësuan se kreu i KLP nuk ishte më subjekt rivlerësimi dhe se procesi ndaj tij mbyllej pa vendim.

Pine dhe Faskaj arsyetuan se Balla nuk kishte dhënë dorëheqjen dhe se statusin e kishte humbur për shkak se ishte shkarkuar nga kreu i Gjykatës së Lartë në korrik 2017, duke e barazuar këtë vendim në arsyetimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi një rast dënimi penal për një magjistrat.

Në pakicë, komisionerja Valbona Sanxhaktari iu referua interpretimeve të tjera të bëra nga Kolegji në raste të ngjashme dhe cilësoi faktin që Balla nuk iu nënshtrua procesit të rivlerësimit si dorëheqje. Ajo kërkoi që ndaj tij të aplikohej neni G i Kushtetutës që e largon për 15 vjet nga sistem i drejtësisë.

Sanxhaktari arsyetoi se përjashtimi i bërë nga Kolegji vlente vetëm kur konstatohej paaftësia për të kryer punë që parashikohen në Nenin G të Kushtetutës.

Arsyetimi i shumicës

Në shkurt 2021, KPK hodhi në short trupën që do i bënte rivlerësimin Ballës, me relatore Alma Faskaj dhe kryesuese Xhensila Pine dhe anëtare Valbona Sanxhaktari.

Në vitin 2022, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që përfaqësohej në këtë vendim nga Theo Jacobs, i kërkoi KPK-së që Balla të trajtohej si subjekt me prioritet. Në nëntor të atij viti, me gjasë pasi kishte marrë pyetësorët nga KPK që bënin me dije fillimin e hetimit, Balla i kërkoi Komisionit që procesi të ndërpritej.

Kjo kërkesë u refuzua nga KPK. Më pas Balla ankimoi këtë vendim, duke i kërkuar KPK-së t'ia përcillte ankimin Kolegjit.  KPK duke marrë parasysh edhe qëndrimin e ONM-së refuzoi këtë përpjekje të Ballës.

Deri në këtë moment situata ligjore e kreut të KLP-së ishte ajo e një subjekti rivlerësimi. Por në proces e sipër situata ka ndryshuar.

Shumica në Komision referon një situatë ligjore sipas të cilës Balla u shkarkua nga Gjykata e Lartë në vitin 2017. Balla bëri padi në gjykatë adminstrative për këtë vendm dhe kërkoi të paguhej deri në ditën e fillimit të mandatit të tij si anëtar i KLP-së – ku u zgjodh si përfaqësues i shoqërisë civile.  Gjykata Administrative e Shkallës së Parë i dha të drejtë Ballës, por procesi u apelua.

Kur kreu i KLP-së ndodhej nën procedurat e vetingut çështja ishte në Gjykatën Administrative të Apeli. Kjo e dyta vendosi në mars 2023, të prishë vendimin e Shkallës së Parë dhe të rrëzojë padinë. Por ndërsa nuk është plotësisht i qartë arsyetimi i Apelit, shumica e KPK referon se Balla ishte tërhequr nga padia.

“Subjekti i rivlerësimit, Alfred Balla, tërhoqi kërkesën e tij në Gjykatën Administrative dhe ky veprim është legjitim, pasi askush nuk mund të detyrohet të ndjekë një çështje në gjykatë”, arsyeton shumica.

Sipas shumicës nga ky moment shkarkimi i Ballës merrte formë të prerë dhe e shkarkonte atë nga detyrimi për t'iu nënshtruar vetingut.

“Në kushtet kur jemi para një akti i cili tashmë është në fuqi, për pasojë mund të konsiderohet si një ndërprerje e marrëdhënies së punës për arsye ligjore”, shprehet shumica.

Duke iu referuar jurispudencës së KPA-së, shumica e konsideron rastin njëlloj me humbje të statusit të magjistratit “për shkak të daljes në pension, vdekjë apo dënimi me një vendim penal të formës së prerë”.

Duke qënë se Balla është gjalë dhe nuk ka dalë akoma në pension, sipas arsyetimit të KPK-së kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka statusin e një dënuari me vendim penal të formës së prerë.

Duke iu referuar rastit konkret shumica arsyeton se përfundimi i statusit në këtë rast për shkak të shkarkimit është për një arsye ligjore, që dilte përtej tagrit të organeve të rivlerësimit.

“Nëse është ligjor ose jo ky vendim, nuk është çështje e juridiksionit dhe kompetencës së organeve të rivlerësimit”, shprehet shumica.

Bazuar mbi këtë vlerësim shumica cilëson të pamundur vijimin e procesit të rivlerësimit dhe arsyeton se ai duhej të përfundohej pa një vendim.

Arsyetimi i pakicës

Ndryshe nga sa pretendon shumica, komisionerja Valbona Sanxhaktari këmbëngul se vendimmarrja duhej të merrte në konsideratë rastet e shqyrtuara nga KPA dhe ta cilësonte si dorëheqje rastin në fjalë. Sanxhaktari këmbëngul se duhej të aplikohej neni G i Kushtetutës.

“Vlerësoj se trupi gjykues duhet të kish vijuar me ndërprerjen e procesit të rivlerësimit duke aplikuar nenin “G” të Aneksit të Kushtetutës”, shkruan ajo në mendimin paralel.

Sanxhaktari shprehet se përtej vendimit të Gjykatës Administrative, Komisioni duhej të bazohej te ndryshimet Kushtetuese dhe statusi i Ballës kur këto hynë në fuqi.

“Interpretimi i vendimeve të organeve të tjera apo marrja e tyre në vlerësim nga Komisioni nuk mund të përbëjnë një bazë ligjore për tu vlerësuar, pasi rëndësi ka vetëm statusi ligjor që gjendet subjekti në momentin e hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese”, shkruan Sanxhaktari.

Ajo shkruan se situata që merr parasysh shumica i referohet vetëm atyre rasteve “kur objekti është bërë i pamundur sepse subjekti rivlerësues nuk mund të ushtroj më funksionin ose asnjë funksion nga ata të përcaktuar sipas nenit “G” të aneksit të kushtetutës, për shkak se ka humbur përfundimisht aftësinë për punë”.

Në fakt Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në vendimin e fundit të tij për një rast të ngjashëm, atë të prokurorit Bensik Cengu, cilësoi se edhe një largim nga detyra me pension të parakohshëm, konsiderohej sërish si dorëheqje dhe cilësoi të aplikueshëm nenin G të Kushtetutës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco