Shtetet e QUINT-it kërkojnë lirimin e policëve dhe shtensionim të situatës

Shtetet e QUINT-it kërkojnë lirimin e policëve dhe shtensionim të situatës

21:57, 16/06/2023
A+ Aa A-

Policët që u rrëmbyen të mërkurën në Leposaviq kanë dalë të premten para një gjykate në Kralevë, e cila ua ka caktuar masën e paraburgimit, kohëzgjatja e së cilës nuk është bërë e qartë. Pavarësisht zonës ku janë arrestuar policët, shtete të QUINT-it ia kanë kërkuar Serbisë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tyre. Ndërkaq për KFOR-in vazhdon të mbetet e paqartë se ku ishin të tre policët e Kosovës kur u arrestuan dy ditë më parë

Të tre policëve të Kosovës, që u rrëmbyen nga njësitë policore e ushtarake serbe më 14 qershor, të premten u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Vendimin e mori një gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë pas kërkesës së prokurorit publik.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka kualifikuar këtë si rast të paprecedent dhe të papranueshëm.

“Fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë. Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë te kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërsyer objektin e komunës, si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona”, ka shkruar Sveçla. “Të gjitha këto në më pak se 10 orë, të gjitha këto nga persona të njëjtë që pranojnë urdhra të tillë kriminalë nga persona të njohur për autoritetet tona e për publikun. Mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cenojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhrat i marrin nga Beogradi”.

Avokati Arianit Koci ka thënë se ka biseduar me njërin prej kolegëve në Beograd të caktuar në rastin e të tre policëve kosovarë. Sipas tij, Prokuroria serbe ka vendosur që lëndën penale të të tre policëve kosovarë të kidnapuar - ta bartë prej Departamentit Special të Gjykatës së Lartë në Beograd, në Gjykatën Themelore në Kralevë. Sipas Kocit, bartja e rastit në kompetencë të Gjykatës Themelore do të thotë që policët e Kosovës do të ngarkohen për vepra penale për të cilat janë paraparë dënime më të buta.

Edhe avokati serb Qedomir Stojkoviq kishte shkruar për rastin më herët, duke thënë se ai duhet të vendoset gjatë mesditës të së premtes.

KFOR: E paqartë ku u arrestuan policët e Kosovës

Për KFOR-in vazhdon të mbetet e paqartë se ku ishin të tre policët e Kosovës kur u arrestuan, dy ditë më parë. Në një komunikatë për media të premten, KFOR-i ka thënë se ka rishikuar lokacionin e ngjarjes dhe ka biseduar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve të Serbisë.

“Bazuar në të dhënat në dispozicion, mbetet e paqartë se ku ishin zyrtarët policorë të Kosovës në momentin e arrestimit. Në këtë lokacion, afër vijës kufitare administrative, si institucionet e Kosovës, ashtu edhe autoritetet e Serbisë kanë përgjegjësi të qarta për t’u koordinuar me KFOR-in”, thuhet në njoftim.

“Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë e tyre sipas Marrëveshjes ushtarako-teknike në mes të Serbisë dhe KFOR-it dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës, përfshirë Policinë Kufitare dhe KFOR-in”.

KFOR-i po ashtu “ua ka kujtuar të gjitha palëve se vendosja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqim paraprak të komandantit të KFOR-it”.

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që t’u përmbahen marrëveshjeve dhe procedurave për të bashkëpunuar me KFOR-in. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga retorika provokuese dhe të shmangin çdo veprim të njëanshëm që mund ta përshkallëzojë situatën në zonë”, thuhet në reagimin e KFOR-it.

Në fund të komunikatës, KFOR-i ka thënë se i mirëpret përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e çështjes dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizim raportesh.

KFOR-i ka thënë se do të vazhdojë ta kryejë mandatin “si reagues i tretë – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes, për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë”.

Një ditë më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur habinë ndaj KFOR-in për mosreagim pas kidnapimit të të tre zyrtarëve policorë në Leposaviq. Sipas shefit të ekzekutivit, ka pasur edhe mungesë bashkëpunimi me forcën që ia ruan kufijtë, edhe pse, siç ka theksuar Kurti, KFOR-i e ka vizituar zonën ku ishin arrestuar policët.

SHBA-ja, Gjermania e Britania kërkojnë lirimin e policëve

Rastin e të tre policëve kosovarë e ka komentuar edhe emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të premten.

“Kemi ndjekur rastin e arrestimit të të tre policëve të Kosovës. Janë dy skenarë, një se ata janë kidnapuar nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka theksuar Escobar.

Thirrje për lirim të menjëhershëm dhe pa kushte të të tre policëve kanë bërë Britania e Madhe dhe

Gjermania.

“Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të të tre policëve kosovarë të ndaluar më 14 qershor. U bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen maksimalisht, të evitojnë masat e njëanshme dhe të marrin veprime të menjëhershme për shtensionim. Ne i përsërisim thirrjet ndaj kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij që të sigurojë që kryetarët e zgjedhur të ushtrojnë detyrat e tyre nga lokacione alternative jashtë objekteve të komunave dhe që njësitet speciale të Policisë të tërhiqen nga ndërtesat e komunave”, thuhet në reagimin Qeverisë së Britanisë. “Zgjedhje të reja gjithëpërfshirëse të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës të marrin pjesë në ato zgjedhje. Ne presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillohet, pa vonesa të mëtutjeshme, me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Britania e Madhe po ashtu i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që kryetarët e katër komunave veriore të ushtrojnë detyrën nga objekte alternative dhe të largohet njësiti special i Policisë së Kosovës nga ndërtesat e komunave në veri. Kërkesat e tyre të tjera janë zgjedhjet e reja dhe themelimi i Asociacionit.

E ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka kërkuar lirimin e pakushtëzuar të të tre policëve, duke shtuar se Beogradi dhe Prishtina duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për ta qetësuar këtë situatë të pasigurt.

Ajo përsëriti se e ardhmja e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Evropë dhe është projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të BE-së për ta.

“Ky është prioriteti ynë i rëndësishëm. Ne ju duam në BE. Ne po shkojmë në këtë rrugë me ju dhe jemi në krahun tuaj dhe ju mbështesim me të gjitha forcat tona”, ka thënë ajo.

Ndërkaq kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka thënë se është e domosdoshme që të tre policët kosovarë të lirohen dhe të kthehen sa më parë në shtëpi.

“Është imediate nevoja, domosdoshmëria, urgjenca që të tre policët e Kosovës të kthehen në shtëpi. Përtej pretendimeve që janë kapur këtu apo atje apo janë marrë këtu, për të cilat KFOR-i nuk do të japë konkluzion publik, por do të depozitojë dosjen përkatëse në NATO, është e qartë që në të gjitha rastet efektivët nuk kanë asnjë krim, edhe nëse supozohet se kanë shkelur vijën e kufirit, ka vetëm një përgjigje, kthimin e tyre në shtëpi”, është shprehur Rama.

Të tre policët kufitarë të Kosovës u rrëmbyen në kohën kur po vazhdojnë tensionet në veriun e populluar me shumicë serbe, që nisën prej 26 majit kur kryetarët shqiptarë shkuan në komunat që deri para zgjedhjeve të 23 prillit menaxhoheshin nga Lista Serbe.

 

Stano: BE-ja në pritje të saktësimit se çfarë e si ndodhi me policët e që po mbahen në Serbi

Bashkimi Evropian ka përsëritur se është në pritje të saktësimit se çfarë ka ndodhur me të tre policët nga Kosova që po mbahen në territorin e Serbisë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë BE-ja është në pritje për të saktësuar se si ka ndodhur ky arrestim. Ai termin arrestim e përdori pikërisht duke u përgjigjur në pyetjen se pse përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, po e përdor këtë term, pasi që ai është term që përdoret nga Serbia për të sugjeruar se ata janë arrestuar pasi kishin kaluar në territorin e Serbisë, ndërkohë që autoritetet e Kosovës e përdorin termin kidnapim.

I pyetur se a e ka tashmë Borrelli rezultatin e hetimeve, pasi që po e përdor termin që e përdor Serbia apo është përdorur për diçka tjetër, ky zëdhënës vetëm ka përsëritur se qëndrimi i BE-së është i qartë dhe po presin rezultatet për të saktësuar se çfarë ka ndodhur.

“Pa dashur që të hyj në interpretime, qëndrimi i BE-së dhe i përfaqësuesit të lartë ishte shprehur shumë qartë të mërkurën vonë pasdite dhe sërish dje, kur Borrelli po fliste para takimit të NATO-s. Jemi të vetëdijshëm për arrestimin e policëve të Kosovës nga autoritetet serbe. Jemi në kontakt me të dyja palët dhe me KFOR-in për të mësuar saktësisht se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Kjo është ajo që është shumë me rëndësi që të kemi në tavolinë, pra qartësimi se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Dhe deri atëherë po u kërkojmë të dy palëve që përnjëmend të mos bëjnë gjë, as veprim apo reagim, që do të nxiste edhe më tej situatën edhe ashtu shumë të tensionuar dhe e përsërisim thirrjen tonë për të dy palët që ta deeskalojnë situatën në mënyrë të shpejtë, urgjente dhe kuptimplotë”, ka deklaruar Stanio.

Ky zëdhënës i BE-së nuk është përgjigjur as në pyetjen se a ka kërkuar Bashkimi Evropian që të tre policët të lirohen në mënyrë të pakusht.

Një thirrje e tillë ka ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, por edhe disa shtete të BE-së, mirëpo deri në këtë moment, nga BE-ja, si organizatë nuk është dëgjuar ndonjë thirrje e tillë formale.

Zëdhënësi i BE-së ka thënë edhe një herë se pikërisht për shkak të vazhdimit të tensioneve në veri të Kosovës, përfaqësuesi i lartë Borrell i ka thirrur të dy liderët, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të vijnë në një takim javën që vjen në Bruksel. Ky zëdhënës nuk ka dashur të japë më shumë detaje në këtë moment, duke thënë se hollësitë do të jepen në një kohë të duhur kur të dihen më shumë plane rreth këtij takimi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco