KFOR përfundon hetimin për rrëmbimin e 3 policëve: Nuk dihet vendi ku ishin, kur u arrestuan

KFOR përfundon hetimin për rrëmbimin e 3 policëve: Nuk dihet vendi ku ishin, kur u arrestuan

19:58, 16/06/2023
A+ Aa A-

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.

‘Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit’, thuhet në komunikatën e KFOR-it, dërguar mediave.

Autoritetet e Kosovës pretendojnë se policët janë arrestuar brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi thonë se ata kanë qenë ‘thellë’ në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që t’i respektojnë marrëveshjet dhe procedurat e bashkëpunimit me këtë mision, si dhe të përmbahen nga ‘retorika provokuese’.

‘Ua rikujtojmë të dyja palëve përgjegjësitë sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it, si dhe procedurat për koordinim ndërmjet Policisë së Kosovës - përfshirë policinë kufitare - dhe KFOR-it’.

‘Po ashtu, ua rikujtojmë të gjitha palëve se vendosja e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it’, thuhet në komunikatën e misionit paqeruajtës.

KFOR-i kërkoi, po ashtu, nga Kosova dhe Serbia që ‘të shmangin çdo veprim të njëanshëm, që mund t'i përshkallëzojë tensionet në zonë’.

‘KFOR-i i mirëpret të gjitha përpjekjet e komunitetit diplomatik për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës’, thekson misioni i NATO-s, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës.

Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë - qytet në jug të Serbisë - dha të premten urdhër për kryerjen e hetimeve ndaj tre policëve të arrestuar të Kosovës dhe u shqiptoi atyre masë paraburgimi prej 30 ditësh.

Sipas autoriteteve serbe, ata dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse, e cila bart dënimin deri në 12 vjet burg.

Autoritetet në Kosovë shprehën shqetësim për, siç thanë, ‘kushtet çnjerëzore’ në të cilat mbahen policët.

Zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti, tha për Radion Evropa e Lirë se në, bazë të informatave që ka, policët ‘po mbahen pa ushqim dhe pa trajtim adekuat mjekësor’.

REL-i kontaktoi dy avokatë që përfaqësojnë policët kosovarë, por ata nuk pranuan të flasin.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si ‘rrëmbim’ arrestimin e tre policëve.

Sipas Policisë së Kosovës, ata u arrestuan në lokacionin Tresave/Bare, që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës. Ndërsa në Beograd thanë se policët u arrestuan ‘në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica, në afërsi të Rashkës’.

Incidenti ndodhi në kohën e tensioneve të larta në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - si pasojë e hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave atje, të cilat shfrytëzohen edhe nga strukturat paralele serbe.

Ata hynë me ndihmën e Policisë së Kosovës - gjë që shkaktoi protesta të komunitetit serb, të cilat vazhdojnë për më shumë se dy javë.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur protestuesit serbë u përleshën me ushtarë të KFOR-it. Dhjetëra të plagosur u raportuan në të dyja anët.

Bashkësia ndërkombëtare bëri përgjegjëse Kosovën për situatën në veri dhe kërkoi prej saj që ta shtensionojë atë. /REL

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco