Analiza therrëse e Surroit për diletantizmin e Ramës ndaj Kosovës

Analiza therrëse e Surroit për diletantizmin e Ramës ndaj Kosovës

13:24, 16/06/2023
A+ Aa A-

Herë me thellësinë e një veterani negociatash, që i njeh deri në detaje proceset dhe herë me ironinë e atij që duhet të komentojë një amator, publicisti kosovar Veton Surroi ka analizuar qëndrimin e fundit të kryeministrit Rama ndaj Kosovës dhe propozimin e tij për një draft për asocacionin. Pa kursyer sarkazmën, themeluesi i “Koha Ditore” thotë se me të njëjtën lehtësi “Rama mund të kishte propozuar edhe një draft për zgjidhjen e krizës në Mijanmar”. Ai vazhdon me ironi duke cituar Ramën që flet në emër të kombit shqiptar dhe thotë: “Negociatat zhvillohen nga negociatorët, nuk janë garë sportive në stadiume me drita të ndezura. As nuk janë procese ku shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare ulen këmbëkryq në një livadh dhe përcaktojnë se çfarë do të jetë fundi historik”.

Por në analizën e tij të titulluar: “Shkarjet konceptuale të kryeministrit Rama” (lexoje të plotë këtu) publicisti e kap kryeministrin tonë në kontradiktë kur ai pretendon të flasë me dy tagra njëkohësisht, edhe si zëdhënës i kombit shqiptar edhe si zëdhënës i bashkësisë euroatlantike. Surroi e kundërshton konceptin se: “Halli është i Kosovës, por është edhe i shqiptarëve, i kombit shqiptar”. Ja seç shkruan ai:

“Kryeministri Rama shpjegoi disa herë përfshirjen e tij personale në çështjen e Kosovës të këtyre ditëve si marrje të përgjegjësisë, ngase pasojat e veprimeve në Kosovë ndihen te të gjithë shqiptarët. E kam pak të vështirë të kuptoj se çfarë pasoje ka qytetari i Kumanovës, Korçës e ai i Ulqinit me dilemën se a duhet të dalë apo jo nga zyra kryetari i zgjedhur i Leposaviqit apo nga dilema se çfarë kompetencash duhet të ketë Asociacioni eventual i komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sepse, në thelb, kur të hiqet tërë ajo zhurmë e tym rreth kësaj “krize” të tanishme në Kosovë, këto janë çështjet që janë vënë në diskutim”.

Sipas analistit koncepti i marrjes së përgjegjësisë në emër të të gjithë shqiptarëve nuk mund të shkojë paralel edhe me të bërin e zëdhënësit të të gjithë bashkësisë euroaltlantike.

“Pra, Shqipëria ndërmori veprimet e fundit qoftë pse ka përgjegjësi shqiptare (kryeshqiptare?), qoftë pse ka përgjegjësi euroatlantike. Pos kundërshtisë së brendshme të këtyre dy koncepteve (përgjegjësisë së “shqiptarizmit” e “atlanticizmit”) këtu dalin disa kundërshti të tjera. Fillimisht, nuk ekziston një “bashkësi euroatlantike” karshi Kosovës. Në atë bashkësi, të cilën e përshkruan zoti Rama, janë shtete si Spanja që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe shtete si Britania e Madhe që e njohin. Në atë bashkësi janë shtete si SHBA-ja që e çliruan Kosovën dhe Qiproja që beson se Kosova është Serbi” vëren Surroi. Dhe nisur nga ky vëzhgim ai arrin në përfundimin cinik se “Gjuha shqipe, teknikisht, nuk përbën ndonjë vlerë të shtuar në komunikim mes “bashkësisë euroatlantike” dhe Kosovës”.

Në analizën e tij ai shqyrton edhe një tjetër koncept të Ramës: “Duhet të jesh idiot që të mos shohësh se Serbia është sjellë në një situatë ku Kosova ka një firmë larg njohjen nga shtetet e bashkësisë euroatlantike, Asociacioni në këmbim të ulëses në OKB”.

Ai shkruan: “Në fakt, numri i idiotëve nga ky përshkrim është tejet i madh, shumica dërrmuese. Procesi negociator nuk është “Asociacioni në këmbim të ulëses në OKB”. Këtë e dinë në Prishtinë, Beograd, çdo kryeqytet të bashkësisë euroatlantike dhe në çdo kryeqytet jashtë kësaj bashkësie.

Procesi negociator është i dizajnuar që pas “marrëveshjes bazë” të arrihet “marrëveshja gjithëpërfshirëse”. Edhe po të arrihen të gjitha këto, ulësja në OKB do të varej prej Kinës dhe Rusisë, e me këtë, me fundin e luftës në Ukrainë.

Ndërkohë, gjatë rrugës , procesi negociator “franko-gjerman” është deformuar aq sa ka mbetur një karakatinë, nga e cila del përherë kërkesa për një dhe të vetmen gjë, Asociacionin e Komunave Serbe (apo siç duhej thënë, komunave me shumicë serbe)”./Lapsi.al/

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco