Familjet që mbahen nga emigrantët, po goditen si nga zhvleftësimi i euros, edhe nga inflacioni i lekut

20:09, 12/06/2023
A+ Aa A-

Kush po humb dhe kush po fiton nga zhvleftësimi i euros në Shqipëri?! Sipas Prof. Assoc. Dr. Selami Xhepës, zhvleftësimi i monedhës euro këto kohë po i jep një goditje shumë të fortë në veçanti, familjeve shqiptare që e kompensojnë mungesën e të ardhurave me dërgesat nga emigracioni, shtuar kësaj faktin se edhe vetë leku, monedha kombëtare, vlen më pak në tregun e brendshëm si pasojë e inflacionit.

Megjithatë, ka dhe të fituar nga ky zhvleftësim i monedhës europiane. Z. Xhepa e shpjegoi këtë situatë sot në SYRI TV, i pyetur nga gazetarja Armela Ferko në edicionin e orës 19:00.

“Zhvillimet kanë qenë të paprecedenta për gati pothuajse dy vite, - tha profesori. -  Sigurisht që ka pasur intensitete të ndryshme në momente të caktuara kohore, ku bën pjesë edhe fushata elektorale (një fenomen ky i njohur në fakt dhe nuk përbënte ndonjë surprizë të rëndësishme) por përpos kësaj do të thosha që zhvillimet kanë qenë tepër të forta dhe intensive dhe një ndryshim në vlerën e parasë; në rastin konkret, një fuqizim në vlerën e monedhës kombëtare në përmasa të tilla që kalon gati 25%-30% në raport me vlerën e saj maksimale, sigurisht që përbën shqetësim për segmente të rëndësishme të ekonomisë dhe të shoqërisë.

Eksportuesit janë pa dyshim sektori më thelbësor, që goditen në mënyrë më të drejtpërdrejtë , për arsye se produktet e tyre tashmë në tregjet ndërkombëtarë vlejnë më pak ose më mirë le të themi ato janë detyruar që të ulin ndjeshëm marzhin e tyre të fitimit në mënyrë që të ruajnë pozitat e tyre të konkurencës në tregun ndërkombëtar.

Ndikon gjithashtu në mënyrë të veçantë tek prodhuesit  e brendshëm, tek prodhuesit vendas, që konkurojnë me importuesit dhe importuesit në fakt janë ndoshta ata që kanë përfituar më shumë nga kjo situatë.

Por, do të thotë që segmente të rëndësishme të ekonomisë prodhuese, si ato të eksportit, por edhe prodhuesit për tregun e brendshëm, po vuajnë pasoja të forta dhe goditje të forta negative.

Në aspektin social do të thosha që një implikim të rëndësishëm, zhvleftësimi i monedhës euro - një rol të rëndësishëm po luan për familjet shqiptare, të cilat i kanë kompensuar të ardhurat e tyre të munguara nga emigracioni.

Pra, ato familje që presin dërgesa nga emigrantët sigurisht që sot e gjejnë euron me një fuqi blerëse të rënë dhe humbasin si nga kursi i këmbimit (sepse euro vlen sot më pak, 100 euro vlen shumë më pak sot sesa p.sh.,para dy vjetësh) po nga ana tjetër përballen edhe me pasojat e inflacionit, sepse edhe vetë leku, monedha kombëtare, vlen shumë më pak sot në tregun e brendshëm.

Pra, do të thosha që këto kategori e shoqërisë që në përgjithësi janë dhe shtresa jo shumë të shëndetshme nga pikëpamja e mundësive të tyre ekonomike, kanë dhe goditje shumë më të fortë", tha Xhepa ndër të tjera/ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco