Masakra elektorale në Elbasan/ Berisha: Ftoj shqiptarët të përballemi me regjimin me mosbindje civile

12:34, 12/06/2023
A+ Aa A-

Kryetari demokrat, Sali Berisha, publikoi të hënën disa video që faktojnë masakrën elektorale në zonën e Elbasanit.

“Në serinë e farsës elektorale, unë kam sjellë këtu para jush dokumente në video, të cilat faktojnë në mënyrë të pamohueshme batërdinë elektorale që ndodhi në Elbasan, rolin prej kriminelësh elektorale të hapur të operatorëve socialistë, kontrollin e tyre të plotë mbi votën e qytetarëve, votimin e tyre për qytetarët, format e votimit jashtë të gjitha standardeve ligjore dhe kushtetuese të vendit dhe ndërkombëtare.

Atë çka tregojnë kamerat në Elbasan, ajo është shëmbëlltyra e shëmtuar e këtyre zgjedhjeve.

Unë ftoj shqiptarët të ndjekin këto fakte dhe dokumente të një rëndësie jetike, për të marrë vendimin, ndoshta më të rëndësishëm të jetës së tyre, të përballemi me mosbindje civile me këtë regjim që nuk na lejon të votojmë, që kontrollon votën, manipulon votën tonë dhe është i aftë të shkelë çdo ligj, çdo vendim, në mënyrë që të grabisë mandatet e pamerituara,” tha Berisha.

Pas publikimit të videove përpara medieve, Berisha tha se zgjedhjet nuk njihen, teksa ftoi shqiptarët në protestë për të vendosur të drejtën e tyre legjitime të votës.

“Këto ishin disa video përfaqësuese të mbi 70 përqind të qendrave të votimit të kontrolluara. Sepse jo të gjitha janë kontrolluar dhe jo në pak raste, kamerat janë vendosur në atë mënyrë që përjashtojnë kontrollin. Është bërë vendosje kamerash që të mos filmojnë përveçse në gjunjë e poshtë votuesit. Kjo ka qenë shumë e përhapur në Kamëz, por është përdorur edhe në zona të tjera.

Elbasani, rrethi i dytë më i madh pas Tiranës, është farsa më e shëmtuar elektorale, pavarësisht nga votimi dixhital që u vendos aty me qëllimin më të mirë për të shënuar një hap cilësor. Por Edi Ramën dhe kriminelët e tjerë elektoralë nuk i ndalon asgjë, asnjë akt, asnjë shkelje ligji, asnjë dhunim kodi, etike, norme, për të rrëmbyer mandate që nuk i takonin.

Prandaj këto zgjedhje nuk njihen kurrë, shqiptarët në protestë do vendosin të drejtën e tyre legjitime, kushtetuese për ët votuar të lirë, njëlloj si kombet e tjera të Europës,” tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco