Analisti amerikan: Qasja e Escobar ndaj Kosovës ishte e papërgjegjshme

09:18, 12/06/2023
A+ Aa A-

Që pas ngjarjeve në veri të Kosovës, Uashingtoni ka qenë kritik në mënyrë të pazakontë ndaj Prishtinës, përfshirë deklaratat e të dërguarit të posaçëm amerikan, Gabriel Escobar ndaj kryeministrit Albin Kurti gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd.

Për analistin e Institutit Hudson, Luke Coffey, qëndrimi i administratës së Presidentit Joe Biden, ka qenë i pabalancuar.

“Mendoj se mënyra se si zoti Escobar i është qasur kësaj çështjeje ka qenë pothuajse e papërgjegjshme, të paktën jo shumë e sofistikuar në aspektin e diplomacisë amerikane. E kuptoj dëshirën për të ushtruar presion ndaj të dyja palëve nga qeveria amerikane, por duket se kohët e fundit presioni ka qenë në mënyrë joproporcionale kundër Kosovës, të paktën publikisht. Dhe mendoj se kjo është e pashëndetshme”, thotë ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Coffey, një analist konservator, e hedh poshtë argumentin se Shtetet e Bashkuara u zunë në befasi nga veprimet e qeverisë së zotit Kurti në Veri pa koordinim me Uashingtonin, duke thënë se nëse kjo është e vërtetë, është një dështim i angazhimit dhe diplomacisë amerikane.

“Do të ishte kulmi i paaftësisë nëse ambasada amerikane nuk e dinte se qeveria e Kosovës do të përpiqej të dërgonte kryetarët në ndërtesat e komunave”, thotë ai.

Zoti Coffey thotë se është e pamohueshme që pakicat etnike duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë sipas ligjit dhe të kenë përfaqësim të përshtatshëm. Por ...

“Mendoj se shqetësimi për një tjetër Republika Srpska është shumë legjitim dhe i vlefshëm. Megjithatë, besoj se diskutimet për këtë Asociacion dhe proceset që do të çojnë ndoshta në themelimin e tij duhet të bëhen para së gjithash me dyer të mbyllura, sepse kjo është një çështje e delikate”, thotë për Zërin e Amerikës.

Zoti Coffey e pranon se kryetarët shqiptarë nuk kanë mandat popullor, megjithëse thekson se nuk është përgjegjësia e tyre që serbët në Veri bojkotuan. Ai thotë se kërkesa e SHBA-së dhe BE-së për zgjedhje të reja, është e arsyeshme ...

“Nëse Serbia tërheq trupat nga kufiri dhe nuk bën përpjekje të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës, nëse serbët etnikë që jetojnë atje angazhohen sinqerisht për të marrë pjesë në këto zgjedhje, atëherë mendoj se do të ishte e arsyeshme të rimbaheshin këto zgjedhje”, thotë ai.

Zoti Coffey thotë se nëse ka kritika legjitime ndaj qeverisë së Kosovës, “një aleate e ngushtë”, atëherë ato duhet të bëhen privatisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco