Lajmi i fundit

SYRI I BOTËS/ Me moderatore Dori Daka

VIDEO-SYRI TV/ Beteja mes Tahirit dhe SPAK transferohet në Gjykatën e Lartë

16:26, 06/06/2023
A+ Aa A-

Hesapet e ish- ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri me Drejtësinë nuk kanë përfunduar. Ai pret përballjen në Gjykatën e Lartë me Prokurorinë e Posaçme e cila kërkon dënimin me 12 vite burg, ndërsa vetë Tahiri këmbëngul në pafajësi. Por prej një viti që kur se ka zgjedhur relatorin e çështjes, Gjykata e Lartë nuk ka bërë asnjë përparim. Nga ana tjetër, me rrethanat e reja nga lirimi i Tahirit, del në pah hezitimi i SPAK për ti dhënë ritëm çështjes, që mund të zgjasë edhe dy vite në kushte normale.

Nga SYRI TV

Lirimi nga qelia i Saimir Tahirit me vendim të Gjykatës së Elbasanit, nuk i mbyll hesapet e ish-ministrit të Punëve të Brendshme me Drejtësinë. Në Gjykatën e Lartë mbetet të zhvillohet një betejë jo e lehtë mes tij dhe Prokurorisë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ish-kreu i punëve të brendshme kërkon pafajësi, ndërsa SPAK dënimin e tij me 12 vite heqje lirie. Sipas organit të akuzës, Tahiri që u dënua me 3 vite e 4 muaj për shpërdorim detyre në Apelin e Posaçëm në shkurt të vitit të kaluar, duhet të dënohet për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij, përfshirë grupin kriminal dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

Por dy rekurset e palëve kanë mbetur pezull prej një viti në Gjykatën e Lartë, në të cilën aktualisht po shqyrtohen çështje të vitit 2019, dhe sipas përllogaritjeve procesi mund të zvarritet për të paktën 2 vite. Me rrethanat e reja të krijuara pas lirimit të tij nga qelia për të qëndruar në pjesën e mbetur të dënimit në arrest shtëpie, SPAK-ut i lind e drejta ligjore ti drejtohet Gjykatës së Lartë, me një kërkesë të veçantë për shqyrtimin me përparësi.

Ky opsion thonë burimet e SYRI TV, nuk është ezauruar deri tani Prokuroria Speciale. Por pse ka ngecur procesi me palë Saimir Tahirin, ish-drejtuesin e Policisë së Vlorës Jaeld Çela dhe Prokurorinë e Posaçme në Gjykatën e Lartë?

Kjo shpallje në faqen zyrtare të kësaj Gjykate, që mban datën 23 maj të vitit 2022, tregon se nga shortimi i dytë për të njëjtën çështje, pas të parit ku ishte zgjedhur Sandër Simoni, u caktua Ilir Panda si relator. Rihedhja e shortit u bë për shkak të riformatimit të dosjeve dhe rishortimit tërësor të tyre. Por pavarësisht se ka një emër gjyqtari relator, mungon prej më shumë se një viti data e seancës dhe emrat e dy anëtarëve të tjerë që duhet të përbëjnë trupën gjyqësore. Gjykata e Lartë nga ana e saj po ndjek axhendën e saj, me prioritet radhën e dosjeve, ku aktualisht ndodhet në 2019.

Ndërkohë që Saimir Tahiri qoftë personalisht por edhe përmes avokatit të tij, insiston në pafajësi dhe në shansin që ka në Gjykatën e Lartë, ai sido që të shkojë procesi, qëndron në arrest deri në një vendim të kësaj gjykate.

Të hënën në banesën e tij në zonën e Selitës, mbërritën përfaqësues të shërbimit të provës, ku i komunikuan të drejtat dhe detyrimet që ka në zbatim të vendimit të Gjykatës së Elbasanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco