SYRI TV/ Mesazhet, Klodian Zoto, vartës i Mirel Mërtirit, detajet të reja nga dosja hetimore

14:03, 06/06/2023
A+ Aa A-

Klodian Zoto, i njohur zyrtarisht si bosi i inceneratoreve rezulton se ka qenë vartës i Mirel Mërtirit. Hetimet e pjesshme të  Prokurorisë Speciale, kanë zbuluar se Mërtiri  i jepte urdhra dhe porosi Klodian Zotos, dhe ky i fundit i zbatonte ato me përpikmëri. Bisedat, bosët e aferës së djegësve i bënin përmes e-maileve.

SYRI TV

Hetimet e Prokurorisë Speciale, megjithëse të pjesshme, kanë zbuluar se Klodian Zoto, i njohur zyrtarisht si bosi i klanit të inceneratorëve, në fakt ka qenë thjesht një vartës i atij që konsiderohet si “njeriu hije” i inceneratorëve, Mirel Mërtiri.

Në disa komunikime që gjenden në dosjen hetimore të SPAK-ut për inceneratorin e Elbasanit del qartë se Mërtiri i jep urdhra dhe porosi Zotos dhe ky i fundit i zbaton me përpikmëri.

Në një mesazh të datës 13 mars 2016, Mirel Mërtiri i dërgon një e-mail Klodian Zotos, që lidhet me procesin e ndërtimit të kaldajës në landfillin e Elbasanit nga Ernesto Granelli. Mireli i shkruan Zotos: “Mirëdita, të lutem, ktheji një përgjigje këtij plehrës. Ktheji përgjigje sa më parë”.

Në datën 14 dhjetor 2016, Mirel Mërtiri i ka dërguar e-mail të pandehurit Klodian Zoto, me përmbajtjen “Ok... nise”. Ky e-mail del se është një përgjigje për një e-mail tjetër të mëparshëm të të pandehurit Klodian Zoto, i cili nga ana e tij ka dërguar një shkresë në formë drafti, të panënshkruar, të përgatitur në emër dhe llogari të shoqërisë “Integrated Technology Services”, përfaqësuar nga Klodian Zoto, që i drejtohet Bankës Veneto.

Komunikimet shef-vartës ndërmjet Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos vijojnë edhe më tej.

Në datë 17 mars 2017, Mërtiri i shkruan sërish Zotos për disa pagesa që duhet të kryheshin në funksion të punimeve në landfill: “Zoto të lutem të bëhen pagesat nga ato që do të nisë Elbasani sot. Ditë të mbarë”.

Në datën 17 maj 2017, Mirel Mërtiri i dërgon e-mail Klodian Zotos, si dhe shtetasve Sevi Zani dhe Helada Papa. Bashkëngjitur ndodhet një dokument në formë drafti. Mirel Mërtiri i ka shkruar Klodian Zotos si vijon: “Mirëmëngjesi, Klodi dhe goca ju lutem lexojeni dhe në një fletë të më dërgoni atë çfarë duhet korrektuar...”.

Pak javë më parë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, kërkoi dënimin me 10 vjet burgim të Mirel Mërtirit, duke e konsideruar si “pronarin faktik” të kompanisë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit. Seanca për paraqitjen e mbrojtjes ishte parashikuar në 2 qershor. Por ajo u shty për në datën 8 qershor, pasi avokatët mbrojtës të Mërtirit kërkuan nga gjykata informacion se ku mbështeten hetimet e prokurorisë speciale, të cilat e konsiderojnë klientin e tij si pronar real të shoqërisë “Albtek Energy”.

Komunikimet e zbuluara nga “Syri Televizion” dhe që gjenden në dosjen hetimore kanë krijuar bindjen e plotë te prokurorët specialë se Mirel Mërtiri është pronar real i koncesionarit të inceneratorit të Elbasanit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco