Farsa vazhdon/ Skandal i KAS me kutinë e burgut në Rrogozhinë, ndarje politike për vendimin

Farsa vazhdon/ Skandal i KAS me kutinë e burgut në Rrogozhinë, ndarje politike për vendimin

13:05, 06/06/2023
A+ Aa A-

Vazhdon farsa elektorale!

Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka rrëzuar ankimin e opozitës për të shpallur të pavlefshme kutinë e votimeve në burgun e Rrogozhinës, ku kanë votuar 118 të burgosur, kur vetëm 6 prej tyre kishin të drejtë të votonin sipas ligjit. Kjo për shkak se 6 prej tyre janë banorë të bashkisë.

Kujtojmë që ditën e djeshme u krye dhe rinumërimi i votave për kryetar bashkie. Pas rinumërimit në KAS, diferenca mes kandidatëve është 21 vota nga 30 që ka qenë më herët. Por nëse nuk do përfshihej në rezultat kutia e burgut në Rrogozhinë, Edison Memollaj i PS nuk do ishte kryebashkiak dhe fitues do shpallej Shkëlqim Hoxha i opozitës.

Por KAS mori një vendim në linja partiake. Anëtarët e zgjedhur nga shumica socialiste vendosën në kundërshtim me frymën e ligjit të quajnë të vlefshme kutinë e burgut.

Më herët, koalicioni “Bashkë Fitojmë” kërkoi që të shpallet e pavlefshme kutia e burgut të Rrogozhinës me pretendimin se kjo është një praktikë e paligjshme dhe e dënuar edhe ndërkombëtarisht.

Pas vendimit të KAS, përfaqësuesi ligjor i opozitës, Ivi Kaso, është shprehur në një deklaratë për mediat se këtë vendim do ta ankimojnë në Kolegjin Zgjedhor.

“Të dyja këto aspekte do të përbëjnë bazën e ankimit tonë për Kolegjin Zgjedhor, pra si rivlerësimi i votave, pavarësisht se u bë i plotë në kuptim të ligjit, ashtu edhe nxjerrja e rezultatit në një qendër fantazmë, në të cilën kanë votuar zgjedhës. Shteti i shkrirë me pushtetin do të arrijë me çdo kusht rezultatin në favor të kandidatit të PS. Nuk mund të përdorin këto truke me Drejtorinë e Burgjeve, me atë të Gjendjes Civile, në mënyrë që të sajojnë një qendër që pastaj është përcaktuese për rezultatin. KAS humbi një shans të madh për të vendosur një standard që duhet të aplikohet për të gjitha proceset zgjedhore në të ardhmen. Shpresojmë që këtë përgjegjësi ta marrë Kolegji Zgjedhor, sikundër i takon,” tha Kaso.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco