SYRI TV/ Dosja e ryshfetit korruptiv, projekti reklamohej me bujë nga Rama dhe Manastirliu

14:01, 03/06/2023
A+ Aa A-

Zbardhet dosja e arrestimit të Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialistes së shërbimeve, Laura Sheto. Mësohet se bashkëpunëtorja e ngushtë e Ogerta Manastirliut merrte ryshfet për të favorizuar një kompani, e cila do të kryente supervizimin e rikonstruksionit të qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës. Ky projekt, i reklamuar me bujë nga kryeministri Edi Rama dhe ministrja Manastirliu, duket se ka pas skandalin e korrupsionit, siç në jo pak projekte të tjera

SYRI TV

Ryshfeti me miliona lekë për të favorizuar kompaninë, e cila do të kryente vetëm supervizimin për rikonstruksionin më tej të qendrave shëndetësore në Tiranë dhe Durrës, çoi në pranga Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë Joana Duron dhe specialisten e lartë të shërbimeve publike Laureta Sheton. 330 mijë lekë të rinj, ose 3. 3 milion lekë të vjetra do t’i paguante kjo e fundit bashkëpunëtores së ngushtë të ministres Ogerta Manastirliut që të firmoste tenderin.

Sheto, sipas Prokurorisë së Posaçme, ndërhyri tek Duro për të përcaktuar procedurën e prokurimit të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor.

Vetëm ky prokurim që parashikon supervizimin, pa kostot e rikonstruksionit, kapte vlerën e rreth 9 milionë lekëve të vjetra. Ndërsa për rikonstruksionin e qendrave shëndetësore me kosto shumëfish më të larta, do kryheshin procedura të tjera. Ndjekja e metodave speciale të hetimit, përfshirë përgjimet, dokumentuan rastin e korrupsionit në nivel të kryesekretares së shëndetësisë, që bashkë me Sheton akuzohen për “Korrupsion aktiv dhe pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Hetuesit e BKH-së, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Policisë, arrestuan në flagrance Joana Duron dhe Laureta Sheton ndërsa në zyrën e sekretares së Manastirliut u sekuestruan paratë e marra si ryshfet.

Vetëm një vit më parë, kryeministri Edi Rama dhe ministrja Ogerta Manastirliu nisën fushatën e promovimit të programit kombëtar të rindërtimit të 300 qendrave shëndetësore, teksa si në shumë projekte, edhe në këtë rast dokumentohet ligjërisht korrupsioni.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco