Kurti takon Borrellin e Lajçakun në Bratislavë, serbët vazhdojnë protestat

Kurti takon Borrellin e Lajçakun në Bratislavë, serbët vazhdojnë protestat

11:30, 31/05/2023
A+ Aa A-

Qeveria e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Albin Kurti po merr pjesë në ditën e fundit të Konferencës për Siguri Globale në Bratislavë.

Zëdhënësi Përparim Kryeziu tha se, në mesin e aktiviteteve, Kurti do të takojë edhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Qëndrimi i tij do të jetë njëditor. Brenda ditës do të jetë në Kosovë”, tha Kryeziu.

Burime të Bashkimit Evropian e përmendën të martën Bratislavën si vendtakim të mundshëm të Kurtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe thanë se janë duke punuar në këtë drejtim.

Vuçiç, megjithatë, tha se nuk do të shkojë në Bratislavë, sepse, siç u shpreh, “është më e rëndësishme të jem me popullin tim”.

Ndërkohë komuniteti serb në veri është duke protestuar për të tretën ditë me radhë.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë në Zveçan, Sandra Cvetkoviç, raporton për tubimin e një numri më të madh protestuesish, në krahasim me një ditë më parë. Situata duket e qetë dhe në mesin e protestuesve ka një numër të madh të të punësuarve në institucionet që punojnë në sistemin e Serbisë.

Ish-kryetari i Kuvendit Komunal të Zveçanit, Sërgjan Milosavleviç, përsëriti kërkesat e protestuesve që lidhen me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës dhe të kryetarëve shqiptarë nga komunat me shumicë serbe në veri.

Misioni i NATO-s, KFOR, ka ngritur tela me gjemba përreth objektit të komunës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco