BE po bën përpjekje për të organizuar një takim mes Kurtit e Vuçiçit

BE po bën përpjekje për të organizuar një takim mes Kurtit e Vuçiçit

11:56, 30/05/2023
A+ Aa A-

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, është duke bërë përpjekje për të organizuar një takim ‘ad hoc’ mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Bratislavë, mëson Radio Evropa e Lirë nga burimet diplomatike në Bruksel.

Sipas tyre, “kjo është ende një ide dhe një përpjekje” dhe “nuk ka konfirmime nga palët nëse janë apo jo të gatshme për një takim të tillë”.

Bratislava është përmendur si vend i mundshëm për takim, pasi dy udhëheqësit janë të ftuar të marrin pjesë në një konferencë për sigurinë globale që po zhvillohet në këtë vend.

Kryeministri Kurti ka paralajmëruar se të martën pasdite do të marrë pjesë në një panel me temën: “E shkrirë – Ballkani Perëndimor dhe rruga drejt BE”-së. Në të njëjtin panel, pjesëmarrës do të jetë edhe Lajçak, ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, dhe ish-kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Por, nga Qeveria e Kosovës i thanë Radios Evropa e Lirë se pjesëmarrja e Kurtit në këtë konferencë në Sllovaki, mund të anulohet.

"Ka qenë e planifikuar [që Kurti] të shkojë. Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo", thanë nga Qeveria e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është parashikuar të marrë pjesë në një panel të mërkurën, me temën: “Rruga e hapur – Ballkani Perëndimor kthehet në punë”. Në këtë panel do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.

Prania e Kurtit dhe Vuçiçit, si dhe e Lajçakut në këtë konferencë, është parë si mundësi që të organizohet një takim i përbashkët i tyre. Për një takim të tillë, sipas burimeve diplomatike, Lajçak e ka edhe mbështetjen e disa prej shteteve më të rëndësishme perëndimore.

Një takim i tillë shihet edhe si përpjekje për të ulur tensionet në veriun e Kosovës, zonë ku serbët lokalë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë dhe po kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Më 29 maj, protestuesit serbë në Zveçan u përleshën me trupat e misionit të KFOR-it. Ky mision tha se tre ushtarë janë plagosur nga armët e zjarrit, ndërkaq edhe 27 të tjerë kanë pësuar lëndime të ndryshme.

Pas përleshjeve të së hënës, Bashkimi Evropian dhe NATO kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen për “uljen e menjëhershme” të tensioneve.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco