Çështja Beleri/ Një rast që Athina ti kërkojë BE-së bilancin e Reformës në drejtësi

Çështja Beleri/ Një rast që Athina ti kërkojë BE-së bilancin e Reformës në drejtësi

19:08, 23/05/2023
A+ Aa A-

Nga Lapsi.al

Ndonëse reforma e re e drejtësisë mban mbi vete njolla shumë më të mëdha, është dashur fatkeqësisht arrestimi i padrejtë i një kandidati minoritar për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, që personalitete të një niveli ndërkombëtar të hedhin hije dyshimi për atë që po ndodh në Shqipëri.

Deri më tani, edhe BE edhe SHBA e kanë quajtur këtë reformë një ‘histori suksesi’. Ajo është përshkruar me termat ‘progres’ dhe ‘përparim’ edhe në raportet e përvitshme të Komisionit Europian apo ato të Departamentit të Shtetit. Liderët dhe politikanët perëndimorë i kanë mbyllur sytë me pasivitetin e prokurorive dhe gjykatave tona ndaj krimeve ulëritëse zgjedhore dhe kleptokracisë të shndërruar në sistem.

Por, për herë të parë pas prangosjes së Fredi Belerit, dy ditë para zgjedhjeve lokale, shefi i diplomacisë së njërit prej 27 vendeve anëtare të BE-së ka hedhur dyshime për pavarësinë e organeve shqiptare të drejtësisë, të pjella nga reforma e zhvilluar me suportin dhe financimin e SHBA dhe Evropës.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias u takua të hënën me homologen e tij Xhaçka për t’i shprehur shqetësimin për urdhrat politikë, që marrin gjykatat në vendin tonë. Ndonëse shefja e diplomacisë shqiptare i përmendi sloganin e Tiranës se mbi drejtësinë ‘as mund të paragjykohet, as mund të hamendësohet’, kjo nuk e bindi aspak Dendiasin.

Në një intervistë për televizionin Ant1, pasi SPAK dhe GJKKO konfirmuan lënien në burg të Belerit, ai tha: ‘jo vetëm qeveria greke, por edhe BE nuk do të tolerojë shkeljet e shtetit ligjor nga një vend në Europë’. E më pas e vuri theksin tek drejtësia jonë:

‘Kur u themi të gjitha vendeve që janë në rrugën e anëtarësimit, se duhet të ketë drejtësi të pavarur dhe me të drejtë e themi këtë, në asnjë mënyrë kjo që nuk mund të kundërshtohet dhe të mos zbatohet’.

Referenca me rastin Beleri dhe urdhrat politikë ndaj prokurorisë qe e qartë. Po të njëjtën gjë kishte bërë pak ditë më parë edhe kryeministri Micotakis, i cili kërcënoi se kjo sjellje do ‘ndikonte në rrugën Evropiane të Shqipërisë’. Ai tha se i ka bërë me dije kryeministrit Rama se ‘në këtë çështje nuk pranojmë lëshime për shtetin e së drejtës’.

Deri këtu, për shumëkënd mund të mos ketë ndonjë çudi. Opinioni shqiptar është mësuar me intervencionizmin e ekzagjeruar të politikës greke, sidomos kur vjen puna për çështjet e pronave apo të drejtave të minoritetit. Por ama, duhet theksuar se ky është rasti i parë kur qeveria e një vendi anëtar të klubit, vë në diskutim rezultatet e një reforme të mbështetur me kokëfortësi nga Brukseli, që për hir të fondeve të taksapaguesve evropianë që ka shpenzuar, refuzon me kokëfortësi të pranojë kapjen politike të drejtësisë. Dhe e keqja është se vala e shpërthyer në Athinë, një vend gjithsesi në konflikt interesi, po përhapet edhe matanë oqeanit.

Kreu i Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan, senatori Robert Menendez, gjatë një mbledhjeje ku shqyrtoheshin çështjet e Ballkanit Perëndimor, hodhi dyshime për një arrestim të bërë dy ditë para zgjedhjeve. Dhe më pas ai e vuri theksin tek besueshmëria e gjykatave.

‘Qeveria greke ka theksuar se kjo çështje mund të pengojë rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë’ tha ai, duke ngritur më pas pyetjen: ‘Çfarë po bëjmë ne për të verifikuar nëse autoritetet shqiptare dhunojnë shtetin e së drejtës? Cili duhet të jetë hapi ynë i radhës’?

Pra, si kurrë ndonjëherë më parë ka filluar të shtrohet pyetja nëse, pas një dekade përpjekjesh për reformën në drejtësi, kjo reformë e mbështetur nga perëndimi ka qenë një dështim. Nga këndvështrimi shqiptar këtu nuk ka asgjë të re. Prokuroritë, gjykatat, SPAK dhe GJKKO i kanë treguar publikut se janë në gjendje të durojnë mbi shpinë edhe njolla më të mëdha se arrestimi i minoritarit Beleri.

Por ndoshta për perëndimorët kjo mund të jetë pika e vogël që të derdhë gotën e mbushur. Sepse shpesh në politikën ndërkombëtare atë ç’ka s’e shtyn përpara morali dhe parimi, mund ta bëjë interesi. Dhe fakti që një nga vendet anëtare të BE po hedh hije dyshimi për atë që ka ndodhur prej 8 vitesh me drejtësinë shqiptare, mund të jetë një shtysë për të hapur petët e tërë lakrorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco