'14 Maji, mizerabilitet nga fillimi në fund'/ Ilda Zhulali: Kemi dorëzuar dosje voluminoze te ODIHR dhe KiE

21:28, 16/05/2023
A+ Aa A-

Ilda Zhulali, drejtuesja e fushatës së kandidatit të "Bashkë Fitojmë" për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, deklaron se opozita ka dorëzuar disa dosje voluminoze që faktojnë manipulimin e zgjedhjeve të 14 Majit. 

A Shoë me Adi Krastën në Syri Tv, Zhulali tha se materialet i janë dorëzuar përfaqësuesve të OSBE/ODIHR dhe atyre të KiE, që ndoqën procesin në Shqipëri. 

Ajo tha se PD do t'i kërkojë KQZ-së të dhëna për pajisjet e identifikimit elektronik, për fletët e dyshimta që janë gjetur në kutitë e votimit duke ngritur pretendime për votim karusel mafioz apo edhe për presionet e shantazhet ndaj qytetarëve nga përfaqësues të zyrave të shtetit. 

"Ne e kemi nisur këtë gjë, nuk po e bëjmë tani. Kemi patur edhe disa takime me përfaqësuesit e ODIHR, të Kongresit të Autoriteteve Rajonale të KiE. Kemi dorëzuar tashmë disa dosje goxha voluminoze. Pjesë të atyre gjetjeve janë reflektuar edhe në raportin e ODIHR-it që u prezantua si gjetje paraprake nga ambasadorja Glover. Zonja Glover nuk tha dot formulën magjike që "është hedhur një hap përpara në zgjedhje". Madje u frenua që të përmendte terma më të kujdesshëm që, nuk arriti dot t'i përkufizonte gjithsesi si zgjedhje të lira dhe të ndershme, por la hapësirë për të njollosur më shumë këto zgjedhje për t'i dhënë ashtu siç janë. Do ta ndjekim të gjithë ciklin zgjedhor deri në fund. Kemi dorëzuar atë që ka ndodhur deri në 14 Maj. Dhe tani do të marrim, pasi të bëjmë edhe kërkesat pranë KQZ-së për të kuptuar se çfarë ndodhi me pajisjet e identifikimit biometrik, çfarë ndodhi me fletët e votimit të ndryshme, që hedhin dyshime për votim karusel mafioz që është përdorur si skemë në disa vende, çfarë ndodhi me të gjithë atë prezencë të paligjshme të punonjësve të administratës që trysnonin votuesit. Kërkesës tonë për kontestimin e këtyre zgjedhjeve që ishin mizerabilitet nga fillimi në fund, do t'i shkojmë deri në fund me të gjitha mundësitë që kemi ne", u shpreh Zhulali. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco