Kim Mehmeti: Voto lokalisht, por duke menduar mbarëshqiptarisht!

Kim Mehmeti: Voto lokalisht, por duke menduar mbarëshqiptarisht!

15:15, 14/05/2023
A+ Aa A-

Nga Kim Mehmeti

Shqipëria sot voton. Pra sot ajo do dëshmojë nëse asaj i parapëlqejnë ata që e rrënojnë të shkuarën shqiptare, nëse e ka kuptuar apo jo se politika i zgjidh problemet që vetë ajo i shkakton si dhe nëse e ka të qartë se nga politika nuk pasurohet ai që e mbron pronën e popullit, por ai që e shet atë.

Dhe që sonte do nisë numërimi i votave dhe i tërë vendi do i jetojë ethet e para shpalljes së rezultateve përfundimtare, rezultate që do tregojnë çka kanë fituar politikanët që e kriminalizuan shtetin e çka ka humbur Shqipëria.

Ndërkohë duhet shpresuar se Shqipëria ka arritur pjekurinë politike që të del nga balta e ‘diktaturës demokratiek’ ku dy të pafytyrë e mbivotojnë të ndershmin, ku një i pasur e kontrollon vullnetin politik të shumë të varfërve, kur një i pushtetshëm i nënshtron dhe i detyron të votojnë për të qindra hallexhinj....

Siç duhet shpresuar se vëllezërit tanë të mëmëdheut e kanë kuptuar se duhet të votojnë lokalisht, por duke menduar mbarëshqiptarisht.

Pra duke menduar si ta shpëtojnë vendbanimin dhe shtetin e vet nga ata që u premtojnë atë që ua kanë grabitur: të burgosurve lirinë e të varfërve pasuri.

Po pra, Shqipëria sot voton. E nesër do dihet nëse këto zgjedhje do e shpëtojnë atë nga kthetrat e robërisë njëpartiake, apo do e forcojë shtetin e kullave të larta të cilat nuk të lejojnë të shohësh se zgjedhjet e mëmëdheut janë shndërruar në kapak i gropës septike, gropë ku derdhen ujërat e zeza të krim-politikës. (Kim Mehmeti)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco