Berisha në Shkodër: Votoni Bardh Spahinë, kandidatin e pluralizmit! Benet Beci të tërhiqet, që t’i mbetet pak nder!

20:14, 11/05/2023
A+ Aa A-

Kryetari i PD, Sali Berisha vijoi në Shkodër turin përmbyllës të fushatës elektorale të 14 Majit. 

Nga kryeqendra e veriut, lideri i opozitës i bëri thirrje qytetarëve të votojnë të dielën kandidatin e "Bashkë Fitojmë", Bardh Spahia. 

Gjithashtu, Berisha kishte një mesazh edhe për kandidatin e Edi Ramës, Benet Becin, të cilit i kërkoi të tërhiqej nga gara, në mënyrë që t'i mbetet pak nder. 

"Është nder i madh sot të vij këtu te ju për mbështetjen tuaj, për kryetarin e ardhshëm të bashkisë dhe kryetarin aktual, Bardh Spahia. T’u ftoj ju me 14 maj, në traditën tuaj më të shkëlqyer, në përkushtimin tuaj ndaj lirive, dinjitetit tuaj të Shkodrës, të votoni numrin 1. Është vota për pluralizmin politik, është vota për idealet tuaja, asnjë qytet, asnjë komunitet nuk ka sakrifikuar sa ju për pluralizmin dhe vlerat e tij.

Merita juaj është se kurrë nuk ia kthyet shpinën, pavarësisht sakrificave që u detyruat të bënit. U ftoj që të votoni Bardh Spahinë, kandidatin e pluralizmit politik. Të votoni njeriun, që gjatë një periudhe të shkurtër që qeverisi, bëri gjithçka për të përmirësuar shërbimet, për të përdorur me transparencë të gjitha burimet e mundshme, bëri gjithçka për të ruajtur dhe mbrojtur dinjitetin e Shkodrës, emrin e saj të madh.
Me 14 maj, ju votoni për Këshillin Bashkiak, por Bardh Spahisë duhet t’i njohim një meritë tjetër. Unë po vij nga Lezha, rrugës shoh që Pjerini kishte shkruar: po vijnë talebanët. 

M’u kujtua Bardh Spahia që qeverisi me një këshill socialist dhe nuk i cilësoi kundërshtarët si talebanë, por i cilësoi si njerëz me të cilët duhet të negocionte, të bënte edhe kompromise, në mënyrë që bashkia të mbetej e të gjithë qytetarëve të Shkodrës. 

Bardh Spahia ka dhënë një provë të madhe dhe unë i garantoj socialistët e Shkodrës se Bardh Spahia është dhjetë herë më afër atyre se Benet Beci që përfaqëson Edi Ramën.

Ndaj qytetarët e Shkodrës duhet të votojnë për Bardh Spahinë.

Po ia them sërish dy fjalë Benet Becit: ke edhe 48 orë, tërhiqu të të mbetet pak nder.

Të ftosh shkodranët që të votojnë për flamurin e Edi Ramës, do të mbetet peng gjithë jetën tënde", u shpreh Berisha. 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco