'Të dy janë njësoj': Rama asnjë fjalë rreth akuzave për lidhjet e Vuçiç me krimin, edhe në Kosovë heshtje!

'Të dy janë njësoj': Rama asnjë fjalë rreth akuzave për lidhjet e Vuçiç me krimin, edhe në Kosovë heshtje!

10:23, 11/05/2023 Nga A.ZH
A+ Aa A-

Presidenti serb, Aleksandër Vuçië, ka qenë personazh i revistës javore të gazetës "New Your Times", ku kjo e fundit pretendon të ketë zbuluar lidhjet e Vuçiçit me botën e krimit në Serbi. Artikulli trajton me hollësi krimet e kryera nga një grup kriminal, udhëheqësi i të cilit thotë se i ka shërbyer pushtetit të presidentit Vuçiç.

Ndaj këtyre akuzave ka reaguar vetë Aleksandar Vuçiç, i cili i cilëson gënjeshtra pohimet e ngritura në këtë shkrim, duke thënë se publikimi i artikullit nuk ishte zgjedhur rastësisht.

Teksti i pakuptimtë në New York Times është porositur para pesë muajsh dhe e kanë hartuar njerëzit këtu (në Serbi). Nuk e ka shkruar atë njëfarë amerikani, gazetar i lirë, që e kanë gjetur diku. Në tekst janë të gjitha gënjeshtrat që i kanë publikuar këtu për ta fshehur bashkëpunimin e tyre me klanin e Bellivukut”, tha ai duke theksuar se është fshehur fakti se dy nga dëshmitarët kanë pohuar se është përgatitur “vrasja ime”, shprehet Vuçiç.

Por, ajo që bie në sy është se në Kosovë kaloi në heshtje e gjithë kjo zhurmë. Ndaj kësaj, me të drejtë ka ngritur pyetje edhe akademiku Mehemet Kraja me anë të një reagim të tij në Facebook.

New York Times” me rrëfim për Vuçiqin dhe lidhjet e tij me botën e krimit. Para disa ditësh prestigjiozja “New York Times” botoi një shkrim të gjatë për presidentin e Serbisë dhe lidhjet e tij me botën e krimit. Shkrimi u përkthye edhe tek ne, por nuk bëri ndonjë jehonë, madje nuk ishte objekt i ndonjë analize ose diskutimi të analistëve tanë. E çuditshme pse gëzon kaq shumë “mbështetje” në Kosovë presidenti i Serbisë!”, shkruan Kraja, transmeton Syri Kosova.

Syri Kosova ka tentuar të flasë me disa nga përfaqësuesit e subjekteve politike më të mëdha në vend, por asnjëra nga to nuk i janë përgjigjur thirrjeve.

Por, pse po hesht politika kosovare dhe ajo shqiptare kundër akuzave të NYT ndaj Vuçiçit?

Për këtë, Syri.net Kosova ka biseduar me profesor Enver Bytyçin, ku është analizuar në detaje se pse po ndodh e gjithë kjo dhe çfarë konkretisht fshihet pas ‘gojëve të mbyllura’ ku fillimisht janë thënë komente se çfarë mesazhi konkretisht po jep ky artikull i NYT.

“Është e paprecedentë që mediet serioze, si ato amerikane, të lëshojnë akuza të tilla për personalitete që ushtrojnë pushtet, përveçse për liderë politikë anti-amerikanë dhe jo vetëm anti, por edhe armiq të betuar të Amerikës. Disa besojnë se zotit Vuçiçi po i bëhet presion që të bëjë lëshime kompromisi në dialogun me Kosovën. Unë besoj se nuk është kjo arsyeja e këtyre akuzave. Arsyeja kryesore e tyre janë lidhjet e ngushta që presidenti serb mban me Rusinë e Vladimir Putin. Ai ka shkelë në kallo. I ka gënjyer amerikanët. U ka thënë se vendi i tij do të jetë pro-Perëndimit, ndërkohë ka bërë dhe bën të kundërtën e kësaj. Pra, merr në mbrojtje sulmet ushtarake të presidentit rus kundër Ukrainës, një aleate kjo besnike e SHBA-be dhe Evropës”, shprehet Bytyçi.

Rama e mbyll gojën për Vuçiçin

“Shqiptarët, në politikë ose jo, nuk reaguan rreth këtyre akuzave. Në vend që ta shfrytëzonin këtë rast për të ulur prestigjin e diplomacisë serbe përballë asaj shqiptare e sidomos kosovare, pasoi deri sot heshtja. Heshtën politikanët në pushtet në Kosovë e në Shqipëri. Heshti pra plotësisht kryeministri Rama dhe autoritete të tjera. Flet çdo ditë dhe ka shkruar editorial, lideri demokrat, ish-kryeministri Sali Berisha. Por jo edhe politikanët e tjerë shqiptarë.

Lidhur me këtë heshtje do më duhet të bëj interpretime të ndryshme për kategori të ndryshme të politikanëve. Kjo, sepse besoj që heshtja e politikanëve në Kosovë ka motive të ndryshme, ndërsa heshtja e Tiranës zyrtare ka shkaqe të tjera.

Dihet tashmë që qeveria dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është në çdo rast dhe në çdo konflikt të Aleksandër Vuçiç me Kosovën, në krah të presidentit serb.

A ka dëgjuar njeri ndonjëherë prej vitit 2014 e deri më sot ndonjë kritikë ose denoncim të Edi Ramës në adresë të Aleksandër Vuçiq?! Kur Edi Rama e ka denoncuar dhe kundërshtuar Vuçiqin, edhe kur ky ka mbrojtur Milosheviçin dhe politikat e tij, edhe kur Vuçiq shkaktoi disa herë trazira në veri të Kosovës., edhe kur ai bën deklarime lufte kundër Kosovës… edhe…. Edhe! Kurrë, asnjëherë Edi Rama nuk ka mundur t’i tërheqë vëmendjen mikut dhe vëllait të tij binjak në Beograd. Përkundrazi, kryeministri I Shqipërisë i ka marrë në mbrojtje vazhdimisht në të gjitha samitet ndërkombëtare presidentin e Serbisë, politikën anti-perëndimore të Serbisë dhe aleancat e Beogradit me Moskën. Kësisoj nuk pres që Edi Rama të flasë kundër Vuçiq me rastin e akuzave të Nju Jork Times për lidhjet e tij me krimin”, shprehet profesor Bytyçi.

Tutje, Bytyçi shton se nuk ka pritshmëri karshi reagimeve të Ramës kundrejt Vuçiqit, duke qenë se janë të dy njësoj, shkruan Syri.net Kosova.

“Nuk pres një reagim të tillë të kryeministrit shqiptar, sepse Rama vetë është i lidhur me kartelet e drogës dhe e ka kthyer Shqipërinë në një vend korrupsioni, parajsë të kromit të organizuar dhe trafikimit të të gjitha llojeve të drogës. Nuk mundet që një shef ekzekutivi si Edi Rama të reagojë kundër një të ngjashmit të tij në rajon apo diku tjetër”.

Bytyçi në analizën e tij flet edhe për rastin e politikanëve dhe figurave me ndikim në Kosovë se pse mbyllën gojën për këtë artikull në vend se të ngrisnin zërin e ta përdornin në arenën diplomatike.

“Sa i përket politikës në Kosovë, arsyet e heshtjes dhe mos-reagimit janë të ndryshme. Nuk e përjashtoj faktin se disa heshtin për shkak të lidhjeve me Beogradin. Këta që heshtin për arsye të tillë janë politikanë dhe njerëz me ndikim publik në Kosovë. Këta janë peng i Beogradit dhe nuk duhet pritur të flasin ndonjë ditë kundër Serbisë. Vetëm nëse marrin urdhër prej Beogradit, me qëllim ruajtjen e fshehtësisë në bashkëpunim”.

Por profesori bën një diferencim mes kategorive të politikanëve të heshtur në Kosovë.

“Nëse ndalemi te heshtja e politikanëve të pakapur, atëherë edhe në këtë rast duhet bërë njëlloj diferencimi.  Mendoj se politikanët në pushtet nuk kanë reaguar për arsye se duan që të të hiqen si “paqedashës”. Kanë frikë se në Perëndim mund të klasifikohen si “zjarrvënës”, si njerëz “që duan konfliktin me Serbinë”!

Nga ana tjetër ndikon fakti se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë të detyruar herë pas here të qëndrojnë përballë njëri-tjetrit në dialog. Pozicionimi në këtë rast mund të përdoret për akuzë për “diversion” nga ana e qeverisë së Kosovës. Por duhet thënë se përfaqësues të presidentes Osmani, njerëzit e stafit të saj, kanë shkruar dhe kanë folur për aferën e Vuçiq, duke e denoncuar atë”.

Në Kosovë opozita është e fokusuar në luftën kundër mazhorancës dhe ka harruar armikun që ka vendi ynë, kështu po e sheh të paktën profesor Bytyçi.

“Opozita e Kosovës fatkeqësisht është fokusuar në luftën kundër mazhorancës dhe prej kohësh ka “harruar” se në Beograd është një president kriminel i dikurshëm në masakrat e gjenocidin kundër boshnjakëve dhe shqiptarëve dhe krimineli i kohës së sotme në bashkëpunim me bandat e krimit serb.

Nuk është në agjendën e opozitës në përgjithësi reagimi dhe kundërpërgjigja ndaj regjimit autokratik të Beogradit, por ka vetëm një axhendë, si ta bllokojnë qeverisjen në Kosovë. Fatkeqësisht! Sigurisht që opozita atë punë ka. T’i bëjë opozitë qeverisë, ta kontrollojë dhe t’i kërkojë asaj zbatimin e programit dhe projekteve. Por  në filozofi thuhet se gjithçka ka masë. Eskili thoshte që në antikitet se edhe kur të drejtën e tejkalon, atëherë ajo kthehet në të kundërtën e vet”, vlerëson Bytyçi në bisedën me Syri Kosovën.

Në anën tjetër, analisti politik Muhamet Kelmendi, pyet ‘pse tolerohet mafia serbe’? Ai tregon qëllimet mbi të cilat është ndërtuar qeveria nacionale kriminale dhe raciste.

“Pse tolerohet mafia serbe e udhëhequr nga mafiozi Vuçiq? Krimi i organizuar dhe i mbështetur në urrejtje raciste është dukuri e integruar në shtetin serb. Nga koha e shpërbërjes së Jugosllavisë, si në Serbi e në Maqedoni, ashtu edhe në Malin e Zi dhe në Republikat tjera të dalë nga Jugosllavia, kemi një veprimtari të rrezikshme kriminale. Krimineli i luftës Millosheviç i kishte dy pikësynime kur erdhi në pushtet. 1. Organizimin e Serbisë së madhe, duke zhdukur kroatët, bosanët dhe shqiptarët dhe 2. Organizimin e mafisë serbe për t'u pasuruar në masë. Mbi këto qëllime e ndërtoi qeverinë nacional kriminale dhe raciste. Bëri luftë në Kroaci, në Bosnië e Hercegovinë dhe në fund edhe në Kosovë, ku bëri gjenocid. Klika e ndërtuar ishte e gjerë. I tërë shteti ishte racisto-kriminal. Baza e urrejtjes raciste u ngulite në shtet. Teoria e kriminelit të luftës dhe të paqes Vuçiq-Daçiq dhe Vulin, që ishin vegla të Millosheviçit, ishte: " Për një serb të vrarë do të ketë hakmarrje nga Serbia duke vrarë me qindra veta". Kjo teori fashiste e Adolf Hitlerit u bë ideologji e shtetit serb. Me këtë u vranë dhe u masakruan fëmijë, gra dhe burra. U bënë përdhunime të shumta dhe u dëbuan me miliona njerëz. Krimineli Millosheviç u kap. Mbetën njerëzit e tij. Mbeti Vuçiq, Daçiq, Vulin, Koshtunica dhe shumë kriminelë të tjerë. Fillimisht kishte vështirësi që të etablonte pushtetin klika e Vuçiqit. Mirëpo, me organizimin e grupit kriminal të drogës, të pasurisë së patundshme kriminale dhe të tregtimit me qenie njerëzore, u forcua klika kriminale e Vuçiqit”, shprehet Kelmendi.

Sipas tij, publikimi i lidhjeve të Vuçiqit mund të jetë për t’i bërë presion mbi forcat mafioze dhe shkëputja e ndikimit rus.

“Gazeta prestigjioze amerikane New York Times ka zbuluar lidhjet e krimit të organizuar dhe mafisë së Vuçiqit me mafinë ndërkombëtare, duke pasur edhe përkrahjen dhe mbrojtjen e Moskës. Edhe James Rubin, ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, i cili tash udhëheq Qendrën Globale të Angazhimit në kuadër të këtij institucioni, ka shpërndarë artikullin e New York Times për presidentin e Serbisë, si kriminel i lidhur me mafinë ndërkombëtare. Pse bëhet kjo? Ndoshta për presion mbi këto forca mafioze, në mënyre që të realizohen planet e UE-së dhe të Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor. Duket se qëllimi primar i tolerancës është shkëputja e ndikimit rus”, shton Kelmendi./Syri Kosova. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco