Lajmi i fundit

LIVE/ Punimet e Konventës Kombëtare të Partisë së Lirisë

SYRI TV/ Rrëzohet propaganda e Veliajt me 40 shkollat e reja, me fondet e bashkisë u ndërtuan vetëm 12

17:18, 09/05/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, po trubeton me të madhe se ka ndërtuar 40 shkolla gjatë 8 viteve në krye të institucionit vendor. Por nga verifikimet, ka rezultuar që jo vetëm që nuk janë 40, por bashkia ka bërë 12 shkolla të reja dhe ka rikonstruktuar 9 institucione arsimore. Ndërkohë që 3 prej shkollave janë kantier ndërtimi. 

SYRI TV

Një prej arritjeve që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po promovon në fushatën e zgjedhjeve vendore për mandatin e tij të tretë, është ndërtimi i 40 shkollave gjatë tetë viteve në detyrë.

Nga verifikimi i të dhënave rezulton se bashkia ka bërë 12 shkolla të reja dhe rikonstruktuar 9 shkolla ekzistuese me investimet e veta dhe pjesa tjetër, janë shkolla ekzistuese të rikonstruktuara apo të rindërtuara pas tërmetit të viti 2019 me fondet e qeverisë apo donacione.

Nga verifikimi në terren rezulton se të paktën 3 prej shkollava janë ende kantier, ndërkohë që mësimi me turne dhe mbulimi i zonave me objekte arsimore sipas planit të territorit, mbeten çështje të pazgjidhura.

I ftuar në emisionin ‘Opinion’ më 27 prill, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se janë bërë 40 shkolla të reja në kryeqytet gjatë dy mandateve në detyrë. Ndërkohë, kryebashkiaku theksoi se Tirana ka nevojë edhe për 10-15 shkolla të reja.

Por a janë ndërtuar 40 shkolla te reja në Tiranë? 

Gjatë përpunimit të të dhënave të siguruara në rrugë zyrtare, rezulton se shkolla të reja me fonde të bashkisë janë vetëm 12 pra thuajse ¼ e asaj që deklaron Veliaj, 9 të tjera janë shkolla ekzistuese të rikonstruktuara po me fondet e bashkisë, që në rastin më të mirë e çojnë në 21 numrin e objekteve arsimore me investime të saj.

Pjesa tjetër janë financimi i qeverisë, si pjesë e fondeve të rindërtimit, dhe financime të huaja (Eu4Schools, Katari, 1 Sllovakia dhe një investim i pjesshëm nga Çekia). Një pjesë e tyre janë financuar nga Fondi i Rindërtimit, disa të tjera janë financuar nga Bashkimi Europian nëpërmjet projektit EU4schools, por ka edhe shkolla të financuara nga Katari.

Shkollat e ndërtuara me financim nga Bashkimi Europian në Tiranë janë: “Shkolla 26 nëntori’; ‘Asim Vokshi’; ‘Emin Duraku’; ‘Musine Kokalari’; ‘Myslym Keta’; ‘Xhezmi Dielli’; ‘Ardian Klosi”. Shkollat e ndërtuara me financim nga Katari: “Shkolla 9-vjeçare ‘Jeronim De Rada’; Shkolla 9-vjeçare ‘Lasgush Poradeci’; Shkolla fillore dhe e mesme ’16 Shtatori”. Në 40 shkollat e artikuluara si të “bëra“ ka disa të cilat ende nuk janë gati pasi vijojnë punimet.

Në gjimnazin “Partizani”, ku financues është bashkia Tiranë po zhvillohen punime. Në kantier, tabela e punimeve përcakton afatin 12 muaj, por jo datën e nisjes dhe përfundimit të tyre. 

Ky objekt nuk kishte përfunduar ende dhe nga verifikimi në terren shihet se ka akoma punë deri në përfundimin e plotë të objektit. Një tjetër objekt arsimor, që nuk ka përfunduar ende dhe financohet nga Bashkimi Europian është gjimnazi i gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”. Punimet kanë filluar në nëntor të vitit 2022 dhe afati i përfundimit të punimeve është 8 muaj.

Një tjetër objekt arsimor që ende nuk ka përfunduar është edhe shkolla “Musine Kokalari” në zonën e Kombinatit. 

Tabela e punimeve e vënë në hyrje të kantierit tregon qartë se ky objekt financohet nga Bashkimi Europian.

“Rindërtimi dhe riparimi i shkollës 9-vjeçare ‘Musine Kokalari’, Tiranë”.

Aty janë të përcaktuara edhe data e nisjes së punimeve 9 shkurt 2023 dhe e përfundimit pas 9 muajsh. Referuar tabelës në hyrje të kantierit, vlera e kontratës është 179,839,899.75 lekë. Sipas studimit të fizibilitetit, bazuar në VKM nr. 671, datë 29.07.2015 “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit” rrezja e mbulimit me shërbimin parauniversitar në vijë ajrore duhet të jetë: “Për shkollat fillore dhe 9-vjeçare, rrezja e mbulimit në vijë ajrore: 500 – 600 metra në zona urbane; 1000 – 1500 metra në zona urbane

Për shkollat e mesme, rrezja e mbulimit në vijë ajrore: 1000 – 1500 metra në zona urbane; 2000 – 4500 metra në zona rurale”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco