Shtyhet sërish gjyqi/ Bledian Koka: Dëshirë e Veliajt për të më intimiduar

11:09, 05/05/2023
A+ Aa A-

Gazetari Bledian Koka është paraqitur ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës në lidhje me padinë për shpifje që ka depozituar Erion Veliaj pas emisionit investigativ Piranjat, në të cilin shtetasi italian Gabriele Tarroni Longinotti​, konstatonte se e njihte personalisht kryebashkiakun dhe ishin takuar në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Koka shpjegoi për mediat se kjo ishte seanca e dytë që u shty për shkak se nuk ishte njoftuar shtetasi italian, Gabriele Tarroni Longinotti, për mungesë të adresës së tij.

Sipas Kokës, kjo padi është e pavlefshme dhe nuk është asgjë tjetër përveç se dëshira e Erion Veliajt për të intimiduar gazetarin.

Koka: Edhe sot u konfirmua, që nuk është asgjë tjetër kjo seancë, përveç se dëshira e Erion Veliajt për të më intimiduar mua, emisionin investigativ dhe për të refuzuar përgjigjen për pyetjet që ne i kemi drejtuar publikisht jo nga unë, jo nga emisioni, por nga një person që pretendon se e njeh Erion Veliajn, që e ka takuar Erion Veliajn dhe e ka parë në disa raporte që Erion Veliaj si zyrtar publik, të paktën deri në 14 maj, ai duhet të japë llogari publike.

Dhe në vend që ne të kemi këto përgjigje publike, siç do duhej që në një vend normal ku njerëzit me poste publike japin përgjigje për pretendimet që ngrihen, në vend të kësaj, ne jemi dëshmitarë se si kemi marrë në këmbim një padi për shpifje, e cila është e pabazuar në fakte dhe prova. Kjo duhet ta gjykojë drejtësia dhe shpresoj të funksionojë e tillë deri në fund.

Sot ishte një seanca, e cila u shty për të dytën herë, përfaqësuesit ligjorë të Veliajt nuk tërhiqen dhe duket se duan ta mbajnë presionin të paktën deri në 14 maj, ku të duket se Veliaj është i pafajshëm dhe fajtorë jemi ne që kryejmë detyrën.

Seanca e sotme u shty për shkak të mosnjoftimit prej mungesës së adresës së njërit prej të akuzuarve, konkretisht shtetasi Italian. Mendoj se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në seancën e radhës, e cila është lënë në datë 22 maj pasi Veliaj ka vendosur si adresë të tij zyrën e Bashkisë Tiranë. Erion Veliaj mund të mos jetë më në zyrë pas 14 majit.

Veliaj duhet të shënojë një adresë të re sepse në të kundërt padia është e pavlefshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco