VIDEO/ Testohet votimi dhe numërimi elektronik, Celibashi: Fshehtësia e votës 100%, rezultati për 30 minuta

12:14, 04/05/2023
A+ Aa A-

Votimi dhe numërimi elektronik garanton 100% të fshehtësisë së votës sipas kryekomisioneri Ilirjan Celibashi. Kreu i KQZ u shpreh se po bëhet testimi i pajisjeve të identifikimit elektronik dhe votimit elektronik.

Ai u shpreh se, pajisjet kanë përmbushur kërkesat e KQZ nga ana teknike për sigurinë dhe garancinë e procesit të votimit dhe fshehtësisë së votës.

Sipas tij në tre bashkitë ku do të aplikohet, Elbasan, Vorë dhe Kamëz, rezultati pritet që të dalë brenda 2 deri në 3 orë, dhe sipas tij në rastin më të mirë për 30 minuta.

“Procesi ka shkuar shumë mirë. Funksionaliteti i pajisjeve në përputhje me manualet. Po testojmë dhe procesin e transmetimit të të dhënave pas votimit. Pajisjet kanë përmbushur kërkesat e KQZ nga ana teknike për sigurinë dhe garancinë e procesit të votimit dhe fshehtësisë së votës. Fshehtësia e votës e çdo qytetari kur votojnë nëpërmjet pajisjes së votimit elektronik është 100% e sigurt dhe nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar se për ka votuar X apo Y votues. Kjo është 100% e sigurt”, u shpreh ai.

Sa i përket informimit të qytetarëve për projektin pilot të votimit elektronik Celibashi tha se kemi bërë mjaftueshëm.

“E kemi bërë relativisht shumë mirë dhe procesin e informimit dhe edukimit të këtyre bashkive. Kemi përdorur mjetet tradicionale të komunikimit publik, por edhe rrjetet sociale për të informuar votuesit mbi procedurat e votimit elektronik në këto tre bashki. Besoj që mjaftueshmërisht KQZ ka bërë për të informuar dhe familjarizuar votuesit e këtyre 3 bashkive. Elbasani ndoshta mund të jetë disi problem, pro Vora nuk besoj se ka problem sepse qytetarët e Vorës e kanë një eksperiencë. Do të jetë një operator teknik i KQZ i cili është i vendosur pas pajisjes dhe nëse do të jetë rasti do ta instruktojë për përdorimin votuesit”, deklaroi komisioneri.

Lidhur me printimin e fletëve të votimit dhe në tre bashkitë ku do të ketë votim elektronik, Celibashi tha se është bërë për arsye sigurie, pasi Kodi Zgjedhor nuk ka një parashikim se çfarë ndodh me sistemin tradicional kur aplikon një sistem elektronik.

“Kodi Zgjedhor nuk ka një parashikim se çfarë ndodh me sistemin tradicional të votimit kur ti aplikon një sistem elektronik ndaj u vendos në bashkëpunim me subjektet që të prodhohej e gjithë sasia e fletëve të votimit”, tha Celibashi.

Komisioneri bëri dhe një apel për reformën zgjedhore.

“Duhet që partitë politike dhe politika në përgjithësi të angazhohet seriozisht pas përfundimit të këtij procesi zgjedhor për ta përmbushur reformën brenda këtij vitit. Do duhet që të paktën njëherë kodi zgjedhor të jetë i përfunduar dhe në fuqi më shumë se një vit para zgjedhjeve të ardhshme. Kjo gjë do duhet edhe nëse duam që të votojmë shqiptarët jashtë Shqipërisë”, tha ai.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco